Marko Bello:” Zoti pastë mëshirë për euforikët e majtë!”

443
Sigal

Përmbysja e rezultateve të para të zgjedhjeve në Itali, ku sondazhet e Exit-Poll fillimisht nxorën fitues demokratët e Bersanit, por më vonë ngritja e Berluskonit, u komentua me një dozë të fortë kritike të hapur nga deputeti i PS-së Marko Bello, në rrjetin e tij social, sidomos kundër  euforikëve të majtë, të cilët mendojnë se, e kanë të fituar rezultatin e 23 Qershorit, për më shumë, nga këndvështrimi i rotacionit, se sa nga puna dhe nga afrimi i alternativave bindëse, ose siç sqaron më vonë, vetë deputeti Bello, injorojnë rëndësinë e votës “pro”. Deputeti Bello, i shqetësuar pohon se, e majta në Shqipëri ka 8 vjet që është e përçarë dhe kjo mund të kushtojë fatale për  23 Qershorin. Njëfarësoj, deputeti Bello, indirekt, alarmin politik e drejton te Kryetari i PS-së, i cili është përgjegjësi i bashkimit, apo përçarjes së të majtës. Ja komenti i parë i deputetit Marko Bello. “Arsyet përse e majta dhe Bersani nuk arritën të korrnin fitore janë të shumta, por mësimi që mund të nxjerrim ka rëndësi edhe për të majtën tonë. E përçarë ka 8 vjet që është në opozitë, ndërsa euforia dhe optimizmi i tepruar se fitorja është e garantuar mund të jenë fatale. Zoti pastë mëshirë për euforiket e majtë tek ne dhe ishallah i bën esëll sa nuk është vonë…”. Më vonë, duke qenë se komentet ishin të shumta, deputeti Bello, u detyrua të sqarohej, duke u kujtuar të majtëve e socialistëve, që për fitoren, nuk mjafton vetëm vota kundër, vota e protestës ndaj kësaj maxhorance, por duhet edhe vota “pro”, d.m.th, vetë alternativat që afron PS-ja te elektorati për fitoren. Ndaj, deputeti Bello është i drejtpërdrejtë. “Po të dashur miq, frika ime vjen se disave u mjafton vota Kundër, duke injoruar rëndësinë e votës Pro. PS duhet të fitojë dhe do të fitojë nëse përqendrohet tek njerëzit dhe komunikon me ‘ta direkt. Këtu ndoshta gaboi Bersani. Së dyti, fitorja vjen përmes gjithpërfshirjes dhe jo eliminimit. Askush nuk është i tepërt dhe kombinimi i brezave sjell rezultate…”.