Marko Bello: Presidenti Trump dhe ligjet shqiptare

571
Akt revolucionar dhe fllad lirie, i kanë konsideruar disa analistë perëndimorë veprimet e para të Presidentit Donald Trump, i cili pranon, se qeveritë mund të gabojnë dhe, se çdo veprim në dëm të qytetarëve, i ndërmarrë nga ekzekutivi duhet korrigjuar sa më shpejt. Duke vlerësuar përparësinë dhe dinjitetin e individit në një shoqëri demokratike, Trump ka urdhëruar burokratët që administrojnë dhe zbatojnë ligjin, që të mos nguten, por ta aplikojnë ligjin në favor të qytetarëve dhe të mos hezitojnë, në rast se qeveria gabon. Fatkeqësisht, në Shqipëri ka shumë raste kur mazhorancat qeverisëse adoptojnë ligje dhe marrin vendime që bien ndesh me parimet demokratike dhe cenojnë interesat e qytetarëve. Prandaj, duhet që, jo vetëm Gjykata Kushtetuese të shprehet kryesisht, por edhe institucionet që e venë atë në lëvizje, duhet të jenë të vëmendshme dhe të reagojnë menjëherë, kur shkelen dispozitat kushtetuese apo preken parimet demokratike. Më shumë se për diktaturën e ligjit, shqiptarët kanë sot nevojë për supremacinë e ligjit, për respektimin e ligjit dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që e shkelin ligjin. Shqipëria do të integrohet në boten demokratike vetëm atëherë, kur të gjithë qytetarët e saj do të jene të barabartë para ligjit.
Sigal