Marko Bello: Ngërçi politik rrezikon statusin në Bashkimin Europian

408
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” z. Marko Bello, ish-ministër i Jashtëm

Situata e tensionuar dhe ngërçet politike në vend midis maxhorancës dhe opozitës, kauza e trafikimit të drogës, mungesa e një konsensusi dhe mungesa e ndërmarrjes së veprimeve konkrete në reformat më të rëndësishme të venit, kanë ngritur shumë pikëpyetje lidhur me marrjen e statusit në BE në qershor. Ndërsa na ndanë dhe një muaj nga vendimi final, vendi ynë është përfshirë në një valë protestash masive, ku duket se do të mungojë një dialog i përbashkët. Lidhur me çështjet e sipërpërmendura, flet për “Telegraf”, z. Marko Bello, ish-ministër i Jashtëm. Z. Bello shprehet se, mungesa e dialogut midis forcave politike, mungesa e fokusit tek reformat reale, për të cilat ka nevojë vendi, sasia e madhe e lëndës narkotike që kapet brenda dhe jashtë Shqipërisë, prishja e konsensusit për disa ligje të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli etj., mund të rrezikojnë seriozisht të ardhmen europiane të vendit. Ndërsa lidhur me situatën politike të krijuar në vend, shprehet se, duke u nisur edhe nga përvoja e këtyre 23 viteve të pluralizmit politik, vështirë të themi se klima politike do të qetësohet, ndërsa bashkëpunimi midis forcave politike kundërshtare duket larg standardeve të vendeve, ku ne duam të integrohemi. Ndërsa thekson mundësin e mos pasjes së një takimi midis z.Rama dhe z.Basha.

Z. Bello, a mund të na thoni se si e komentoni situatën e krijuar në vend si pasojë e përplasjeve midis maxhorancës dhe opozitës?

-Ka disa kohë që situata politike në vend është tensionuar, sidomos pasi disa ministra të Qeverisë Rama denoncuan në Prokurorinë e Përgjithshme ish-ministra të qeverisë Berisha. Vijuan më pas akuzat e demokrateve për shkatërrimin e administratës publike prej qeverisë socialiste, për të kulmuar më tej me akuzat për trafik droge. Opozita pretendon se, trafiku i lëndëve narkotike ka kapur shtetin dhe se për këtë qëllim është përdorur edhe infrastruktura e Forcave të Armatosura. Për pasojë, është ndezur debati në Kuvend, ndërsa opozita ka refuzuar të bëhet pjesë e reformës territoriale dhe administrative… Situata ka precipituar në një ngërç apo qorrsokak të rrezikshëm vetëm 1 muaj para se Këshilli Europian të shprehet nëse Shqipërisë do t’i jepet ose jo statusi i vendit kandidat në Bashkimin Europian. Sigurisht që mungesa e dialogut midis forcave politike, mungesa e fokusit tek reformat reale, për të cilat ka nevojë vendi, sasia e madhe e lëndës narkotike që kapet brenda dhe jashtë Shqipërisë, prishja e konsensusit për disa ligje të rëndësishme të kërkuara nga Brukseli etj., mund të rrezikojnë seriozisht të ardhmen europiane të vendit.

BE bën thirrje për bashkëpunim midis dy forcave politike. Sa është e mundur kjo, kohët e fundit?

-Ndonëse Bashkimi Europian, por edhe vendet anëtare të BE kanë kërkuar më se njëherë që klasa politike të demonstrojë maturi për standardet që lidhen me procesin e integrimit në strukturat standarde, forcat politike në Parlament vijojnë ta bëjnë veshin shurdh dhe syrin qorr, duke shpërthyer në akuza dhe kundërakuza të zhurmshme, larg zgjidhjes së problemeve reale që shqetësojnë qytetarin. Nisur edhe nga përvoja e këtyre 23 viteve të pluralizmit politik, vështirë të themi se klima politike do të qetësohet, ndërsa bashkëpunimi midis forcave politike kundërshtare duket larg standardeve të vendeve, ku ne duam të integrohemi.

A mendoni se do ketë një takim të z. Basha dhe z. Rama para qershorit?

-Në politikë, kurrë mos thuaj kurrë! E megjithatë, një takim midis kryeministrit dhe liderit të opozitës zor se do të realizohej në këto momente. Fatkeqësisht, secili prej tyre ndjek axhendën e vet politike dhe duket se preokupohet më shumë për interesat e grupit që përfaqëson, sesa për fatet dhe të ardhmen e vendit. U bënë vite qëkurse që spektri politik shqiptar po demonstron një miopi të theksuar politike, mungesë vizioni dhe duket se asgjë nuk e qas këtë klasë politike krejt të papërgjegjshme me Europën dhe frymën e  dialogut dhe tolerancës që ajo përçon. Kryetarët e partive kryesore parlamentare sillen njëlloj si feudalët apo çifligarët mesjetarë, secili duke u përpjekur të forcojë feudin apo domenin e vet. Atyre fare pak ose aspak u interesojnë fatet e Shqipërisë, ndërsa nuk mbyllin sy e nuk gjejnë rehat derisa të  realizojnë qëllimet e tyre, sipas konceptit makiavelist se “qëllimi justifikon mjetin”.

Sipas mendimit tuaj, a ka kauzë PD-ja për t’u ngritur në protestë?

-Në demokraci, opozita e ka mision kryesor kontrollin, mbikëqyrjen dhe kritikat ndaj maxhorancës që qeveris vendin, sidomos kur qeveria devijon nga programi qeverisës, për të cilin është votuar dhe ka marrë mbështetjen e Kuvendit. Opozita kishte ngritur disa akuza të rënda lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike, duke shenjestruar ministri dhe agjenci qeveritare, si të implikuara në këtë trafik të paligjshëm. Këtyre pretendimeve, disi të ekzagjeruar të opozitës, kryeministri dhe përfaqësues të tjerë të koalicionit të majtë që qeveris vendin që prej shtatorit të vitit të kaluar, iu përgjigjen në mënyrë ironike, larg seriozitetit dhe përgjegjshmërisë që duhet të ketë një qeveri, që pretendon se ka mbështetjen e 1 milion votuesve. Rënia e avionit italian në Divjakë, në një tentativë për të transportuar kanabis -sativa, ishte shishja e benzinës që rindezi zjarrin e debateve  parlamentare dhe tensionoi më tej situatën politike. Tashmë, është e qartë se opozita e ka kapur të ashtuquajturën “aferë të drogës” si një kartë, me anë të së cilës kërkon të rritë presionin mbi qeverinë e Edi Ramës, me shpresën se, edhe nëse nuk e detyron dot atë të japë dorëheqjen, të paktën të shfokusojë, hutojë dhe paralizojë punën e kabinetit qeveritar, duke rritur pastaj pakënaqësinë e qytetarëve dhe përgatitur terrenin për protesta, edhe më të fuqishme në vjeshtë, kur njerëzit  të kthehen nga pushimet verore.

Sipas jush, i ka plotësuar qeveria dhe politika shqiptare në tërësi kushtet e Europës për t’u pranuar në BE? Dhe nëse, jo cilat janë pa u plotësuar? A do ta marrë Shqipëria statusin në qershor?

-Anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të kërkojë kohë dhe shumë përpjekje në vazhdimësi. Përpara qeverisë shqiptare ndodhen një sërë detyrash që duhen plotësuar, me qëllim që vendet anëtare të binden se, reformat po kryen dhe se vendi po avancon drejt realizimit të standardeve europiane. Komisioni Europian, si institucioni kryesor mbikombëtar i Bashkimit Europian, që analizon edhe teknikisht progresin e vendeve që aspirojnë të anëtarësohen, ia ka ndezur dritën e gjelbër Shqipërisë për t’u bërë shtet kandidat në BE. Pritet që Këshilli Europian dhe Këshilli i Bashkimit Europian, si institucione ndërqeveritare, ku përfaqësohen vendet anëtare të pranojë rekomandimin e Komisionit dhe të na akordojë statusin e vendit kandidat. Shanset që ky vendim të jetë pozitiv janë rritur dhe shqiptarët e meritojnë këtë status. Por, statusi, nëse nuk shoqërohet me çeljen e negociatave për anëtarësim të plotë në BE, nuk mjafton. Që negociatat të mund të çelen në vjeshtë, kërkohet klimë paqësore, dialog politik, respektim i parimeve dhe normave europiane, administratë publike profesionale dhe jo partiake, respektim i ligjit dhe ndëshkim për të gjithë ata që abuzojnë, luftë e pakompromis kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme etj. Përpjekje po bëhen, por shpeshherë punohet me hope dhe pa ritmin e duhur. Në fund të fundit, nuk ka shumë rëndësi sesa i kënaqur është kryeministri me kabinetin e vet. Rëndësi  ka se çfarë mendojnë qytetarët dhe kryesisht faktorët vendimmarrës në Bruksel.