Marko Bello: Në demokraci nuk mund të  qeverisësh nëpërmjet veprimeve arbitrare, selektive e të dhunshme

480
Sigal

Intervistë me Marko Bello, ish deputet i PS-së: Rama dhe Meta injorojnë bashkëpunimin me opozitën, duan parlament pa opozitë

Ish deputeti Marko Bello, në intervistën për “Telegraf” pohon se kjo maxhorancë është larg premtimeve elektorale. Duke iu referuar reformave të deritanishme, zoti Bello konstaton se këto reforma “shihen më tepër si mjet për të hequr një palë nëpunësish për t’i zëvendësuar me të tjerë”. Dhe më tej, kjo maxhorancë nuk ka ndryshuar nga sjellja e maxhorancës së kaluar, sepse Rama dhe Meta injorojnë bashkëpunimin me opozitën. Duke iu referuar aktualitetit, ku njerëzit kërcënohen me burg dhe me përjashtime nga administrata publike, nëse kanë pamundësi për të paguar energjinë elektrike, zoti Marko paralajmëron maxhorancën: “Është fatkeqësi  sesi një qeveri e ardhur nëpërmjet votës, pra në rrugë demokratik,e i kundërvihet vetë sistemit që e solli në pushtet, duke prerë degën ku po rri, duke adoptuar masa aspak demokratike, të turbullta, në shkelje të hapur me liritë dhe të drejta e njeriut.”

– Zoti Bello, a është formuar dhe arrirë ajo ndërgjegje politike që lindi nga Dhjetori i 1990-s, në këto 24 vjet?

– Është vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje, aq më tepër që sot shumë njerëz ndihen të zhgënjyer. Me sa duket, realiteti i sotëm politik nuk i përgjigjet pritshmërisë që kanë pasur shqiptarët në kapërcyell  të shekullit të kaluar. Nëse Shqipëria e Zogut ishte tejet e varfër, Shqipëria në kohën e Enver Hoxhës kishte mungesë të theksuar të lirisë dhe demokracisë, ndërsa Shqipëria e viteve të demokracisë karakterizohet  nga drejtësia e munguar.

– Maxhoranca e Majtë në këto 16 muaj qeverisjeje, a i ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga premtimet e saj elektorale?

– Qeveria ka hyrë në vitin e dytë të mandatit të saj 4 vjeçar dhe nga sa shikoj, konstatoj dhe bisedoj me shumë njerëz, mund të konkludoj se jemi ende larg përmbushjes së premtimeve elektorale. Megjithatë, nuk duhet mohuar përpjekja e ekzekutivit për të frenuar rënien ekonomike, eliminuar pasojat e krizës dhe ndalur abuzimin me ligjin dhe pronën publike, fenomene që gjalluan gjatë qeverisjes së kaluar, veçanërisht të viteve 2009-2013, kur ligji u përdhos dhe individi bëri siç i desh qejfi. Nga të gjitha pasojat, dëmtimi i territorit dhe bregdetit janë më të dhimbshmet dhe me pasoja thuajse të parikthyeshme.

– A është konkretizuar ajo pritshmëri e elektoratit për një qeverisje ndryshe, nga kjo maxhorancë?

– Nuk mund të flasim për realizim të pritshmërisë së elektoratit, për të paktën dy arsye. Së pari, u bënë shumë premtime, të fryra, nisur ndoshta nga dëshira e mirë, por që objektivisht vështirë të realizohen brenda një mandati qeverisës, si  punësimi (300 mijë), shëndetësia falas, zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, subvencionimi i bujqësisë, ndihma ndaj biznesit etj. Edhe taksimi  progresiv  që promovoi qeveria nuk ka sjellë rezultatet e synuara. Së dyti, për shkak të dobësisë së trupës legjislative dhe ekzekutive, të cilat nuk ngjallin besim se mund të qeverisin ndryshe. Populli ynë thotë: Me miell misri, nuk bëhet dot bukë gruri.

– Përse kjo maxhorancë, me një shumicë të cilësuar në Kuvend, e ka të vështirë të ndërmarrë reformat e thella, për të cilat është zotuar, si në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, etj?

– Më tingëllon si një pyetje retorike, për të cilën e dimë përgjigjen, ndonëse jo të gjitha arsyet përse një shumicë e cilësuar të jetë kaq e dobët dhe hezituese  në ndërmarrjen e reformave. Më keq akoma, reformat shihen më tepër si mjet për të hequr një palë nëpunësish për t’i zëvendësuar me të tjerë, se sa si reformë ligjore dhe strukturore, e cila do të krijonte mundësitë për nxjerrjen e  sistemit të drejtësisë nga bataku ku ka rënë.

A kemi një sjellje politike ndryshe nga kjo maxhorancë, në sjellje dhe në raport me opozitën? Duke u nisur nga bojkoti i PD-së, por edhe nga qëndrimi i maxhorancës, a mund të themi që integrimi, është në agjendën e maxhorancës, por edhe të opozitës?

– Sa i përket raporteve maxhorancë-opozitë po konstatohet i njëjti avaz: maxhoranca që imponohet me forcën e kartonit, opozita që kundërvihet për çdo gjë, pra njëlloj si më parë, kur në maxhorancë  ishte opozita e sotme, ndërsa  në opozitë  maxhoranca aktuale. Duket si një sëmundje e pashërueshme për klasën politike shqiptare, pikërisht paaftësia për dialog dhe konsensus. Aq të papërgjegjshëm po tregohen politikanët e të gjithë spektrit politik shqiptar, aq të fokusuar në interesat e vockla meskine dhe llogaritë partiake në dëm të interesave të vendit, saqë po i çudisin të huajt, miqtë dhe partnerët tanë, të cilët duan sinqerisht mirëfunksionimin e institucioneve demokratike të vendit dhe integrimin e tij në BE. Është dashur që Edi Rama, si përfaqësues i një brezi më të ri politikanësh ta kishte kapërcyer këtë handikap dhe ta bënte diferencën me Berishën, duke adoptuar një qasje më moderne, më të hapur dhe pa komplekse me opozitën. Është për të ardhur keq që drejtuesit e koalicionit të sotëm qeverisës  po tejkalojnë edhe vetë Berishën në këtë drejtim, i cili, me gjithë defektet dhe gabimet  që manifestoi në raportet me opozitën, pati edhe  momente bashkëpunimi real, si në rastin e Kodit Elektoral, ndryshimet  kushtetuese, zgjedhjen e Avokatit të Popullit  etj. Rama dhe Meta  duken  shumë më shumë  intrazigjentë në këtë drejtim, duke e injoruar dialogun me opozitën dhe preferuar më mirë një parlament  pa praninë e opozitës. Rasti i qëndrimit ndaj disa institucioneve të pavarura, sikurse ILDKP, AMA, KLD dëshmojnë  mungesë vizioni nga maxhoranca, i cili duhet kapërcyer më shpejt dhe më me guxim. Nga ana tjetër, edhe qëndrimi i opozitës për të bojkotuar parlamentin dhe braktisur  luftën politike në institucione është tejet i gabuar, pasi ia ngushton frymëmarrjen asaj dhe i pamundëson arritjen e objektivave si opozitë që duhet të mbrojë interesat e pakicës, me synimin për ta kthyer atë në alternativë të shumicës së qytetarëve.

– E kam të vështirë që të gjej në ligj një arsyetim që duhet të pushohen nga puna, të zbohen nëpunësit e administratës publike, që kanë detyrime të papaguara te OSHEE. Kjo që trumbetohet me të madhe, edhe nga kryeministri, a nuk është një shkelje flagrante e ligjit nga pushteti ekzekutiv?

– Është fatkeqësi sesi një qeveri e ardhur nëpërmjet votës, pra në rrugë demokratike i kundërvihet vetë sistemit që e solli në pushtet, duke prerë degën ku po rri, pra duke adoptuar masa aspak demokratike, të turbullta, në shkelje të hapur me liritë dhe të drejta e njeriut.  Nuk ka rëndësi  qëllimi apo objektivi, i cili mund të jetë  pozitiv, në të mirë të forcimit të luftës kundër  abuzimeve dhe në respekt të zbatimit të ligjit. Në demokraci, në një shtet  të së drejtës, po aq rëndësi sa përmbajtja ka edhe forma, procedura. Qeveria Rama po përpiqet  të vendosë rregull nëpërmjet veprimeve arbitrare, selektive, të dhunshme. Siç thotë populli, bashkë me të thatin në shumë raste po digjet edhe i njomi. Të preferosh  burgun ndaj mjeteve të tjera demokratike, do të thotë të zgjedhësh përjashtimin dhe jo rregullën.  Këto masa janë afatshkurtra, nuk japin zgjidhje afatgjata, pra duket se qeveria ka zgjedhur shkatërrimin e së keqes, por aspak ndërtimin e së mirës.

– Nga ana tjetër, shumë nga këta nëpunës që tani i zbon qeveria se nuk kanë paguar detyrimet në OSHEE, janë të emëruarit e saj. Përse, fillimisht, nuk e verifikoi këtë qeveria, që të mos i emëronte fare ata? Apo kemi të bëjmë me një politikë zbatuese, të diktuar nga nevoja e çastit.

– Të largosh nga puna qytetarët, pasi nuk kanë shlyer detyrimet dhe nuk kanë paguar faturat e energjisë, ke shkelur disa nene të Kodit të Punës. Cili është qëllimi? Të paguhen faturat apo të nxirren në rrugë njerëzit, duke i bërë edhe më të varfër? A nuk do të ishte më mirë dhe në interes të shtetit që punonjësve që nuk kanë qenë korrektë me pagesat e energjisë, t’u mbahet një pjesë nga paga mujore, sesa ti nxjerrësh në rrugë, duke mos pasur asnjë mundësi rikuperimi të energjisë së papaguar? Prandaj them se, duke inkurajuar qeverinë në luftën dhe masat kundër shkelësve të ligjit, ti kërkojmë asaj të ndryshojë krejtësisht qasjen, duke preferuar  zhdëmtimin e dëmit që ka pësuar shteti nga abuzimet, sesa burgosjen e qindra  qytetarëve, çka nënkupton pamundësi për të rikuperuar paratë në arkën e shtetit dhe për më tepër kosto shtesë për të mbajtur  me paratë e taksapaguesve të burgosurit, ku vetëm për 1 të burgosur duhen 70 mijë lekë (50 Euro) në muaj. Duket qartë se tundet dera e burgut, si pretekst për të hequr  “Prenën” dhe vënë “Lenën”,  e jo  të bëhen përpjekje për të ndërgjegjësuar  qytetarët  se detyrimi  ndaj  shtetit  duhet  përmbushur.

– Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA