Marko Bello: Liderët e partive politike, përgjegjës të kriminalizimit

553
Marko Bello, ish deputeti i PS, në intervistën për gazetën “Telegraf” pohon se përgjegjësit politikë të kriminalizimit të politikës në Shqipëri janë lidërët e partive (PS dhe PD) që kanë mbushur listat e kandidatëve për deputetë me njerëz të inkriminuar, duke shpërfillë personalitetet politike dhe intelektuale. Kjo ndodhi me marrëveshjen e turpshme të 2008, ku PD dhe PS shkatërruarn Sistemin elektoral, Kushtetutën, me qëllim, që kryetarët e partive të pronësonin partitë. Ndaj sot, debati politik për dekriminalizimin, sipas zotit Bello është i kotë, sepse të dy palët politike rrahin ujë në havan, derisa mungon vullneti politik i liderëve të tyre. Zoti Bello thotë hapur se lideri i PS e degradoi PS, nga një parti e njerëzve të lirë, në një grup klientelistësh, në një grupim me elementë të inkriminizuar. Politikanët tanë duket se e kanë humbur betejen për të luftuar krimin, korrupsionin dhe për të dekriminalizuar jetën politike dhe adminstratën e vendit, ndaj thotë zoti Bello, duhen forca të reja politike në Shqipëri, që të ringjallin shpresën e demokracisë. 
-Zoti Bello përse politika mbërriti në ketë stad, ku kryetema të jetë dekriminalizimi i saj?

– Ajo që po ndodh me Parlamentin e Shqipërisë është pak të thuash e habitshme. Në vend që të merret me hartimin, diskutimin apo miratimin e ligjeve dhe reformave, për të cilat ka nevojë urgjente vendi dhe shoqëria, deputetët harxhojnë energjitë dhe kohën me cic-micet e ditës dhe gërr-vërret e një politike që nuk të çon asgjëkundi, që nuk i intereson vendit dhe që e lodh qytetarin dhe i’a zbeh edhe më tej besimin tek institucionet. Më keq akoma, sot parlamenti e ka “hallin” si të pastrojë veten nga krimi dhe korrupsioni që po i zënë frymën. Është energji e shkuar dëm, është kohë e humbur kot, në fund do të pyesim: Ku ishim? Dhe përgjigjja në majë të gjuhës: Asgjëkundi!
– Ndërsa kemi marrëveshje mazhorancë-opozitë për të bërë dekriminalizimin, mendoni se ato kanë bërë analizën dhe kanë gjetur shkaqet e kriminalizimit të politikës?

– Mua më duket se të dyja palët po rrahin ujët në havan, pra po zihen se cila është më e zezë se tjetra, ndonëse duhet pranuar se opozita i’a doli ta sensibilizojë opinion publik vendas, ashtu sikurse arriti që ta ndërkombëtarizojë çështjen e dekriminalizimit të politikës. Dhe kjo nuk është pak, nëse marrim parasysh deklaratat e para një viti të drejtuesve të mazhorancës, që nuk e merrnin seriozisht këtë shqetësim, madje nuk pranonin se elemente me të shkuar kriminale ishin ulur në Kuvend. Megjithatë, tani, që gjerat kanë shkuar disi larg, në kuptimin që imazhi i Shqipërisë është dëmtuar, mirë do të ishte të gjendej konsensus midis forcave politike për të realizuar, jo vetëm dëkriminalizimin e politikës dhe administratës, por edhe reformimin e sistemit gjyqësor, i cili është bërë gangrenë dhe duhet adresuar urgjent.
– Sipas jush, cilët janë përgjegjësit politikë të kriminalizimit të politikës?

– Tashmë gishti që tregon fajtorin është drejtuar pa mëshirë drejptësëdrejti tek liderët e partive politike, të cilët janë të vetmit që kanë ekskluzivitetin e hartimit të listave me kandidatet e partive të tyre për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato për pushtetin vendor. Ndryshimet e nxituara të Kushtetutës në pranverën e viti 2008 nga PD në pushtet dhe PS në opozitë sollën anomali në mbarëvajtjen e institucioneve dhe prishën ekuilibrat midis pushteteve në Shqipëri. Një nga dëmet e mëdha ishte edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor me piksynimin për të krijuar një system dypartiak, duke eliminuar praktikisht partitë e tjera, pra, duke i hequr elektoratit shqiptar mundësinë për të patur më shumë opsione, duke e detyruar të zgjedhë “të keqen më të vogël”…Nga ai moment, nëpërmjet listave të mbyllura, liderët e partive të mëdha u kthyen në zotër të partive të tyre, duke venë e hequr cilin dëshironin. Kështu ndodhi në Partinë Socialiste, ku u goditën forumet dhe u nëpërkëmbën rregullat statusore që garantonin procesin e përzgjedhjes, nëpërmjet garës brenda partisë, të elementëve më të mirë përfaqësues: njerëz me integritet moral, me aftësi profesionale dhe me karrierë politike të qëndrueshme dhe të sprovuar, kandidatë të pëlqyeshëm dhe të besueshëm nga populli. Në vend të tyre u preferuan elementë mediokër, por besnikë të kryetarit, anëtarë të sektit rrotull tij, klientë të pasuruar nga lejet e ndërtimit që u kishte dhënë ai si kryetar i bashkisë Tiranë, individë të pasuruar në mënyrë të dyshimtë që garantonin shuma të mëdha për të blerë votat e të varfërve si dhe të ashtuquajturit “të fortë” që u mbyllnin gojën dhë zërin kritikëve brenda partisë dhe kërcënonin kundërshtarët politikë gjatë zgjedhjeve… Kështu degradoi PS, nga një parti e njerëzve të lirë në një grup klientelistësh që uronin kryetarin “Rrofsh sa malet” dhe “Marrsh nga ditët tona”; nga një parti me idealist dhe intelektualë të shquar, në një grupim me elementë të inkriminuar muskulozë dhe koburemëdhenj; nga përfaqësuese e shtresës së mesme, sipërmarrësve të vegjël, bujqërve e fermerëve, në një parti që mbron dukshëm interesat e biznesit të madh. Shkurt, një parti që u kërkon votat 90% të shqiptarëve për t’i shërbyer vetëm 10% të tyre.
– Duke hequr disa të zgjedhur që kanë rekorde kriminale, mendoni se do të përmirësohet gjendja?

– Nuk kam kurrfarë iluzioni se largimi i dy, tre apo katër deputetëve me të shkuar kriminale do të mund ta përmirësonte gjendjen dramatike në të cilën ndodhet sot Parlamenti, si institucioni më i rëndësishëm, por me kredibilitetin më të ulët në Shqipëri. Analisti Fatos Lubonja theksonte me të drejtë pak ditë më parë se “përpjekja për të hequr disa të inkriminuar, është sikur të heqësh pak ngarkesë, me qëllim për të lehtësuar peshën e një anijeje, kursi i së cilës është i krejt i gabuar. Prandaj, sipas tij, duhet ndërruar kapiteni që anija të mos përplaset nëpër shkëmbinj, pra, duhet ndërruar kursi i anijes që ka zgjedhur kapiteni. Nëse për disa ministra, ai konsiderohet si “kapiteni i tyre”, unë di të them me siguri se ai nuk është kapiteni i popullit që e votoi dhe të cilin ai e gënjeu dhe e mashtroi. 
– Mendoni se kriminalizimi i politikës do të luftohet vetëm me (çfarëdo) ligj, kur PD dhe PS anashkalojnë Sistemin Elektoral, që me listat e mbyllura të kandidatëve nga kryetarët e partive mundësoi që persona me rekorde kriminale të bëhen deputetë dhe kryebashkiakë?

– E theksova edhe më sipër që dekriminalizimi kërkon para së gjithash vullnet politik. Koha tregoi se ka qënë gabim i madh deformimi i sistemit zgjedhor, ashtu sikurse edhe ndryshimet e nxituara kushtetuese. Partitë ia dorëzuan pa kushte pushtetin lidereve, a thua se ishin lodhur me demokracine dhe lirinë e brendshme. Fatkeqësisht, edhe kësaj radhe doli në pah një difekt i shqiptarëve, të cilët preferojnë liderët e fortë ndaj institucioneve të forta. Tani situata duket e pashpresë, dhe pa vullnet politik, pa liderë demokratë në shpirt e zemër, asnjë ligj, apo nen nuk garanton se në të ardhmen ky fenomen i shëmtuar nuk do të përsëritet. Në këtë kontekst, si drafti i opozitës, ashtu edhe ai i mazhorancës më duken si makiazh, si lustër për të retushuar thelbin: Të mos i lihet më në dorë vetëm një personi e drejta për të propozuar kandidatë në zgjedhje. Pa eliminuar diktaturën e njëshit, e ardhmja europiane dhe e demokracisë në vendin tonë është në rrezik të madh.
– Derisa edhe raporti i OSBE për zgjedhjet e 21 qershorit të 2015, edhe raporti i ambasadorit të SHBA në OSBE, raporti i BE, haptazi u bëjnë thirrje shqiptarëve të mos pranojnë të qeverisen nga kriminelë, çfarë tjetër duhet që në Shqipëri të mos bëhen zgjedhje të parakohshme, për të bërë katharsin nga kriminalizimi me votë të drejtpërdrejtë?

– Partnerët tanë ndërkombëtare po përpiqen si gjithmonë të na ndihmojnë. E kam fjalën për përfaqësitë e SHBA, BE dhe OSBE në Tiranë, drejtuesit e të cilave nuk po rreshtin dhe nuk po lodhen, duke sqaruar shqiptarët se duhet të marrin në dorë fatet e tyre, duke hedhur në kosh kandidatët e inkriminuar të partive politike, duke menduar pak më thellë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Politikanët tanë duket se e kanë humbur betejen për të luftuar krimin, korrupsionin dhe për të dekriminalizuar jetën politike dhe adminstratën e vendit. Janë ata shkaktarët kryesore që i kanë poshtëruar shqiptarët, duke u serviruar për deputetë dhe kryetarë bashkish elementë me të kaluar kriminale, njerëz të dyshuar për trafikimin e qënieve njerëzorë, ish-skafistë, trafikantë droge, të tjerë të dyshuar për vrasje dhe implikime në grupe mafioze apo në krimin e organizuar brenda vendit apo jashtë tij. Nuk ka asnjë justifikim për këtë zullum dhe dëm të madh që këta i kanë shkaktuar qytetarëve dhe vendit. Jam besimplotë se herët a vonë kjo çetë maskarenjsh do të japë llogari dhe do të marrë dënimin e merituar për të gjithë këtë situatë tejet të rëndë, anti-shqiptare, anti-perëndimore dhe anti-europiane, që kanë krijuar në këto vite….Po afron dita, kur edhe me ndihmën dhe bekimin e partnerëve tanë perëndimore, shqiptarët do t’i japin shkelmin e duhur këtyre pseudopolitikanëve, këtyre abuzuesve me djerësën dhe pasurinë e brezave të tërë, duke votuar për forca të reja politike, për figura të pastra, për njerëz të thjeshtë e të përgjegjshëm, që kanë misionin dhe obligimin për ta orientuar anijen e vogën shqiptare drejt ujërave të pastra, drejt vlerave dhe parimeve demokratike, drejt integrimit final të Shqipërisë në familjen europiane.
-Faleminderit!
Sigal