Marko Bello, ish-ministër/ Shqipëria nuk po qeveriset dhe kryemnistri nuk frymëzon. Moralisht, një parlament pa opozitë nuk ka sens

566
Sigal

Marko Bello, ish-ministër i PS-së

Palët të tërhiqen nga llogoret dhe të afrohen drejt një zgjidhje politike përmes dialogut dhe konsensusit. Pse jo, pa ndihmën e partnerëve. Çdo skenar tjetër është në dëm të interesave të vendit dhe popullit

Shqipëria nuk po qeveriset dhe kryeministri nuk frymëzon

Jakup B. GJOÇA

Marko Bello, ish-ministër i PS-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër të krizës politike, përveçse dialogut e konsensusit të palëve politike, qoftë edhe pa ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve. Zoti Bello thotë se skenarët e kryeministrit Rama të shuajë opozitën do t’i kthehen boomerang, prandaj nuk ka sens parlament pa opozitën. Zoti Bello thekson se besimi i shqiptarëve tek kjo “demokraci” ka rënë, ndërkohë që qeveria, institucionet shtetërore tregohen të pa interesuara, që ligji të zbatohet.

-Zoti Bello, a qeveris Kryeministri Rama derisa përditë mban fjalime nëpër qytete dhe fshatra?

– Duket se në mandatin e dytë në krye të ekzekutivit, Z.Rama po has vështirësi në disa drejtime dhe nuk po arrin të realizojë reforma të qenësishme dhe të domosdoshme për jetën ekonomike dhe sociale të vendit. Madje, edhe një ndër pikat e forta të qeverisjes së tij, sikurse propaganda, apo marrëdhënia me publikun e ka humbur ritmin dhe nuk po bind më qytetarët se vendi po shkon në drejtimin e duhur. Përkundrazi, përshtypja që të krijohet është se Shqipëria nuk po qeveriset dhe kryeministri nuk është në gjendje të frymëzojë dhe mobilizojë edhe simpatizantët e partisë së tij. Edhe ndryshimet në kabinet nuk ka sjellë efektin dhe pritshmërinë e shpresuar, duke demoralizuar edhe më entuziastët. Investimet e huaja për të cilën ekonomia ka nevojë si shkretëtira për shiun nuk po vijnë, incentivat dhe kuadri ligjor për garantimin e tyre mungojnë, korrupsioni ka prekur gjithë nivelet e qeverisjes, polarizimi është thelluar, beteja me krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme është larg së konsideruari e fituar, ndërsa klima politike vijon të mbetet e nxehtë dhe rreziqet për destabilizim janë rritur ndjeshëm…

Ju si e gjykoni “fshesën” e zv. ministrit të Jashtëm në ambasadat tona? Është Reformë apo larje hesapesh?

– Në mungesë të transparencës është realisht e vështirë të japësh një opinion sa më pranë së vërtetës, por nga sa kemi mësuar prej deklaratave konfuze të zv/ministrit të jashtëm Gent Caka mund të themi se ka një kombinim të lëvizjeve paralele brenda dikasterit, çka është normale dhe ndonjë spastrimi për arsye politike apo thjesht për të tërhequr vëmendjen nga problemet e tjera më të rënda. MPJ vijon të konsiderohet për fat të keq nga ata që drejtojnë Shqipërinë si një sektor ku mund të bëhen qoka dhe ndere për klientë të ekzekutivit dhe oborrit të shefit të qeverisë. Megjithatë. pavarësisht përpjekjeve për të dëmtuar dhe demotivuar trupin diplomatik të vendit, ne kemi sot diplomatë me përvojë dhe profesionalizëm, të cilët kanë kontribuar në këto vite për përmbushjen e objektivave dhe realizimin në praktikë të një diplomacie në shërbim të interesave të vendit. Në fund të fundit, veprimtaria në sektorin e jashtëm varet shumë nga situata brenda vendit, nga zhvillimi dhe stabiliteti i tij, nga dialogu politik, konsolidimi i institucioneve demokratike dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit…

Cili është mesazhi i Kryeministrit kur tha dje, se do të zhdukte Opozitën?

– Ndonëse kreu i Qeverisë nuk përfaqëson të gjithë qytetarët e vendit të tij, është dashur që për kushtet e Shqipërisë të mos kemi një kryeministër që ndan, por një personalitet që rreket të bashkojë, që nuk denigron qytetarët e tij, por që synon të arrijë një konsensus sa më të gjerë kombëtar për realizimin e reformave dhe rritjen e mirëqenies për qytetarët e tij dhe jo një grusht oligarkësh që stërpasurohen në kurriz të shumicës që varfërohet gjithnjë e më tepër. Opozita është pjesë e sistemit dhe kryetari i shumicës është i detyruar të gjejë pika takimi për gjithçka shkon në interes të vendit dhe kombit. Përpjekja e kryeministrit për të shuar opozitën do të dështojnë dhe herët a vonë do t’i kthehet si boomerang kundër. Është e goditur thënia e intelektualit shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti se, “Ushtria dhe policia janë për të mbrojtur shtetin dhe jo pushtetin”.

A mundet ky Parlament tashmë pa Opozitën të votojë ligje të cilësuara, meqë ka 84 vota? A mundet të ketë normalitet Parlamentar pa Opozitën dhe kur Parlamenti ka 102 deputetë dhe jo 140 siç e kushtëzon Kushtetuta?

– Ka shumë debate lidhur me ligjshmërinë e trupës ligjvënëse, tani kur opozita ka braktisur përfundimisht Kuvendin. Mendimet janë të ndarë. Pra, disa argumentojnë se ky parlament është i cunguar, nuk ka kuorumin e plotë prej 140 deputetësh, se ata që zëvendësojnë të larguarit nuk mund të konsiderohen deputetë të ligjshëm, për pasojë produkti i veprimtarisë së tyre është i paligjshëm. Nga ana tjetër, shumë të tjerë insistojnë se Parlamenti është funksional sa kohë ligji e ka parashikuar zëvendësimin e deputetëve dhe se numri prej 140 anëtarësh nuk e prek thelbin e veprimtarisë së tij, aq më tepër që opozita është larguar 2 vjet nga konstituimi i parlamentit dhe pa ndonjë arsye të përligjur. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese është e vështirë të thuhet se cila palë ka të drejtë. Moralisht, një parlament pa opozitën reale nuk bën sens, por edhe “djegia” e mandateve është e paprecedentë. Që sistemi të funksionojë, duhet që lufta politike të zhvillohet brenda institucioneve.

A mund të zhvillohen zgjedhjet vendore pa pjesëmarrjen e Opozitës? Nëse PS zhvillon zgjedhje vendore pa opozitën dhe nuk bëhen zgjedhje të përkohshme Parlamentare, sa real është Përplasja Civile?

– Kjo është një pyetje e vështirë për të gjetur përgjigjen e duhur. Jemi përpara një situate të paprecedentë dhe askush nuk mund të thotë me siguri se cili skenar do të zbatohet. Unë uroj që palët të tërhiqen nga llogoret dhe të afrohen drejt një zgjidhje politike përmes dialogut dhe konsensusit. Pse jo, pa ndihmën e partnerëve, duke demonstruar pjekuri politike dhe atdhedashuri, vënie të interesave të vendit mbi ato të partive. Çdo skenar tjetër është në dëm të interesave të vendit dhe popullit.

Deri tani Drejtësia nuk ka gjykuar e ndëshkuar asnjë zyrtar të Lartë për Korrupsion. A duhet të jemi optimist se SPAK kur të ngrihet do të luftojë korrupsionin, kur dimë që mazhoranca përzgjedh Anëtarët e SPAK, KLP, KLGJ etj?

 

– Po mbushen 3 vjet qëkurse reforma në drejtësi u miratua me konsensus të plotë në Kuvend, por implementimi saj ka ecur me hapat e breshkës. Duket se edhe shpresat e qytetarëve janë zbehur dhe sondazhi më i fundit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit e tregoi qartë këtë tendencë. Në Shqipëri pranohet korrupsioni, por nuk po ndëshkohen të korruptuarit, ndërsa në dyert e drejtësisë përfundojnë vetëm peshqit e vegjël. Ligji nuk zbatohet për të gjithë njëlloj, duke e tretur gjithnjë e më shumë ëndrrën e studentëve në dhjetor 1990 për një Shqipëri si gjithë Evropa. Madje, në disa drejtime, gjërat duket se po shkojnë keq e më keq, ndërsa besimi tek sistemi demokratik ka rënë dhe qytetarët e dëshpëruar po përpiqen t’i zgjidhin problemet e tyre dhe t’i përmbushin qëllimet për një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë. Më keq akoma, Qeveria, agjencitë dhe institucionet e tjera të shtetit duken të pa interesuara për adresimin e këtij fenomeni, ndërsa shoqëria civile dhe shtypi i pavarur po e humbasin fokusin tek problematikat që shqetësojnë qytetarët dhe rrënojnë të ardhmen e tyre. Jemi duke përjetuar momente tejet të vështira si popull, ndërsa sfidat e së ardhmes tonë të përbashkët sa vijnë e bëhen më të rënda.