Marko Bello, ish-ministër i PS-së/ Zgjedhjet e parakohshme, shtetarët e inkriminuar, padia ndaj Haradinajt, Mini Shengeni dhe Shqipëria që duam

903
Sigal

Marko Bello,  ish-ministër i PS-së

Është ende shpejt të nxirret një konkluzion, por gjithsesi, është një fillim i mirë: Opozita del nga absurdi i djegies së mandateve, ndërsa shumica ka shansin të “anulojë” absurdin e zgjedhjeve monopartiake

 

Ngritja në detyrë e kriminelëve, Mini Shengen me Serbinë, nuk është kjo Shqipëria që duam

 

Jakup B. GJOÇA

Marko Bello,  ish-ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se marrëveshja opozitë-mazhorancë për reformën zgjedhore më shumë erdhi si rezultat i presionit të ndërkombëtarëve, prandaj askush nuk mund të jetë i sigurt se kjo do të jetë edhe fillimi i zgjidhjes së krizës politike. Zoti Bello shprehet, se për një reformë zgjedhore, më tepër se sa ndryshimi ose jo i Kodit Zgjedhor, duhet të kërkohet respektimi i ligjit dhe i standardeve demokratike. Zoti Bello është shumë kritik ndaj padisë së kryeministrit Rama për Haradinaj, dhe e cilëson se përtej miopisë politike, është ligësi. Ndërsa për kryebashkiakët e 30 qershorit me rekorde kriminale, zoti Bello thekson se kjo është përgjegjësi e kryetarit të PS-së që i përzgjodhi.

 

-Zoti Bello, mendoni se marrëveshja PS-PD për Reformën Zgjedhore është fillimi i zgjidhjes së krizës politike?

– Ka qenë disi e papritur ulja e përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës në tryezën e reformës zgjedhore. Ndonëse ky ka qenë njeri prej kushteve të përcaktuar nga Bundestagu gjerman dhe institucionet e BE, unë mendoj se më shumë sesa ndërgjegjësim i krerëve politike, faktori kryesor që i ka bërë palët bashkë ka qenë ai ndërkombëtar. Tashmë duket qartë se kancelaritë perëndimore, kryesisht Gjermania, Britania e Madhe dhe pa diskutim SHBA kërkojnë integrimin e rajonit në strukturat e BE dhe po punojnë për të bindur edhe Francën e Holandën për një qasje më elastike kundrejt Shqipërisë dhe Maqedonisë, edhe pse problemi i azilkërkuesve nga Shqipëria mbetet shqetësues për Francën, ndërsa lufta e pamjaftueshme kundër drogave të forta ndikon në mosndryshimin e qëndrimit të Holandës në lidhje me avancimin  e Shqipërisë drejt BE. Në këto kushte, si opozitës, ashtu edhe mazhorancës u janë bërë presion nga miqtë e Shqipërisë, të cilët kërkojnë që kriza politike në Shqipëri të marrë fund dhe opozita të rifutet në sistem. Mendohet se pas reformës zgjedhore, vendi të shkojë në zgjedhje vendore ose të përgjithshme, por asgjë nuk është e sigurt. Është ende shpejt të nxirret një konkluzion, por gjithsesi, është një fillim i mirë: opozita del nga absurdi i djegies së mandateve, ndërsa shumica ka shansin të “anulojë” absurdin e zgjedhjeve monopartiake.

– Produkti i Reformës Zgjedhore do t’u shërbejë procesit për të pasur zgjedhje të gjithëpranueshme, apo që PS-PD të konsolidojnë privilegjet e tyre zgjedhore ndaj partive të tjera?

– Pyetja mbart një farë zhgënjimi të arsyeshëm të opinionit publik, i cili pret shumë më tepër, sesa një kompromis tjetër si ai i 17 majit 2017. Të hutuar janë edhe një pjesë e militantëve të dy forcave politike, opozitës parlamentare dhe shoqërisë civile, e cila me të drejtë kërkon shumë më tepër se një retushim i kodit zgjedhor, pa prekur sistemin në thelb. Mirëpo, kështu ndodh shpesh në politikë, pragmatizmi, interesat partiake dhe kalkulimet e liderëve politike prevalojnë ndaj idealizimit, apo interesave më të gjera se ato të ditës. Gjithsesi, unë mendoj se më shumë se nga sistemi zgjedhor, apo listat e mbyllura që forcojnë kontrollin e liderit mbi të zgjedhurit, të këqijat më të mëdha vendit i kanë ardhur nga mosrespektimi i rregullave demokratike, dobësia e institucioneve, mungesa e kulturës së kompromisit, vënia e interesave të grupit mbi ato të vendit, mungesa e ndëshkueshmërisë së të korruptuarve dhe abuzuesve me pasurinë publike, arrogance e lidershipit dhe zhdukja e frymës demokratike brenda partive politike, simbioza e krimit me politikën dhe dështimi i pushtetit gjyqësor.

Zoti Bello, si do ta vlerësonit padinë e kryeministrit Rama ndaj kryeministrit Haradinaj?

Ky është padyshim një nga gabimet më të mëdha të kreut të Qeverisë, dëshmi kjo e asaj se sa shumë është shkëputur ai nga realiteti dhe sa i cekët e i gjymtuar ka qenë gjykimi i atyre që e rrethojnë dhe këshillojnë. Të paditësh për shpifje një hero kombëtar që nuk i është trembur Gjykatës së Hagës, njeriun që është shpallur “Qytetar nderi” në mbarë trevat, ku jetojnë shqiptarët, luftëtarin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës është jo vetëm miopi politike, por edhe ligësi njerëzore. Thjesht, një tjetër rast i humbur për një politikan që të mund të ngrihej në nivelin e një burri shteti.

–  A mund të ketë MiniShengen pa u njohur Kosova shtet i pavarur nga Serbia?

– I ashtuquajtur “MiniShengen” është një përpjekje e sforcuar për të mbuluar dështimin e reformave të qenësishme brenda vendit dhe luftën e pamjaftueshme kundër krimit dhe korrupsionit që kanë bërë skeptike disa vende anëtare. Adresimi i këtyre çështjeve, që do të bindin të gjitha vendet anëtare të pranojnë çeljen e negociatave për anëtarësim të plotë në BE është rruga e duhur dhe e vetme për shqiptarët në këto momente. Çdo devijim nga kjo strategji, çdo përpjekje për të ndjekur shtigje të tjera është në dëm të interesave kombëtare dhe duhet shmangur menjëherë, sa nuk është vonë. Bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, hapja e tregjeve dhe lëvizja e lirë kanë rëndësinë e tyre, por ato janë komplementare të anëtarësimit në BE. Aty duhet të fokusohet gjithë energjia e kombit, aty është interesi ynë.

A duhen zgjedhje të parakohshme për të zgjidhur krizën politike?

– Zgjedhjet e parakohshme janë një fenomen i njohur në demokraci dhe ato mund të realizohen sa herë një vend ndodhet në situatë të vështirë ekonomike apo ngërç politik. Mendoj se Shqipëria e pas vitit 2017 ndodhet në një ngërç të tillë: një ekzekutiv i dobët që nuk po qeveris dot, edhe pse kontrollon të gjitha pushtetet, një opozitë jashtë institucioneve, një ekonomi e brishtë dhe larg pritshmërive, pa investime të huaja domethënëse, rënie e ndjeshme e konsumit, largim masiv i rinisë, mplakje e popullsisë dhe polarizim i frikshëm i shoqërisë. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 e bëjnë thuajse të pamundur provokimin e zgjedhjeve pa dëshirën e mazhorancës. Kryeministri mund të kërkojë mocion besimi dhe të rrëzohet me dashje, duke i hapur rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Nuk mund të them se sa e interesuar është forca politike që drejton vendin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe as të pretendoj se ajo do të vendosë interesa më të mëdha mbi ato partiake. Koha do të tregojë nëse do të shkojmë në zgjedhje këtë vit apo vitin tjetër, kur janë zgjedhjet e radhës.

E kujt është përgjegjësia politike, që shumë kryebashkiakë të 30 qershorit kanë rekorde kriminale?

– Mënyra se si drejtohen sot partitë politike në Shqipëri të jep të kuptosh se përgjegjësia është një dhe e drejtpërdrejtë dhe ajo bie mbi atë që i ka emëruar apo caktuar të kandidojnë elementët me të shkuar kriminale, duke njollosur keqas forcën politike që drejton dhe dëmtuar së tepërmi interesat e vendit. Kjo nuk është dhe nuk mund të jetë Shqipëria që duam të gjithë.

A mendoni se SPAK- u do të përmbushë pritshmëritë? 

– Ka shumë pritshmëri se SPAK do të bëjë hatanë, duke zhdukur nga harta politike e vendit shumicën e drejtuesve dhe figurave qendrore që kanë dominuar skenën politike në 30 vjet e fundit. Personalisht nuk jam aq entuziast, pasi jetojmë në një mjedis të vështirë dhe të kontaminuar në të gjitha nivelet. Me miell misri, thonë tiranasit nuk mund të bësh dot bukë gruri. Sidoqoftë, uroj që shpresat e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të korruptuar, të përmbushen. Viti 2020 është viti i provës së madhe për strukturat e reja të sistemit të drejtësisë. Të gjithë po presim të shikojmë dritë në fund të tunelit.

– Faleminderit!