Marko Bello: Cili do të jetë Sanaderi shqiptar?

469
Sigal

Para disa vjetësh, ish- Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanadar u arrestua për korrupsion, ndërsa Kroacia hodhi një hap të sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke provuar se përpara ligjit të gjithë janë dhe duhet të jenë të barabartë.

Arrestimi i Ivo Sanaderit bëri bujë në gjithë rajonin, aq sa eksponentë të Partisë Socialiste, në opozitë atëherë, u shprehën se shembullin e Kroacisë duhet ta ndjekë edhe Shqipëria, e cila duhet të mos ngurojë që të çojë përpara drejtësisë “sanadaret” shqiptare. Një tjetër rast që tregon se si mund të luftohet me sukses korrupsioni është Rumania, ku që prej disa vjetësh vepron me autoritet të plotë Drejtoria Kombëtare e Antikorrupsionit (DNA), një zyrë me prokurorë të përgatitur dhe të përkushtuar që po godasin korrupsionin në nivelet e larta të politikës. DNA heton ministra, parlamentarë, gjyqtarë, oficerë policie, drejtues të lartë kompanish etj.. DNA në Rumani i a ka dalë të tronditë seriozisht nga themelet klasën politike, shkruante e përditshmja franceze “Le Monde” dy ditë më parë. Në vitin 2012, në sajë të punës se kësaj drejtorie, u dënuan 743 zyrtare të lartë, në 2013 mbi 1 mijë ndërsa në 2014 numri i të hetuarve dhe dënuarve ka arritur në 1.500 vetë.

Një ndër të dënuarit e lartë është edhe ish-kryeministri socialdemokrat, Adrian Năstase, ndërsa këto dite u arrestua edhe një parlamentar dhe eksponent i lartë i Partisë Socialdemokrate në pushtet, Viorel Rebenciuc, i cili bashkë me vjehrrin e Kryeministrit Viktor Ponta, kanë përvetësuar 120 km2 pyje dhe livadhe, gati sa gjysma e territorit të kryeqytetit Bukuresht. Mbetet ende të shikohet se, cili do të jetë Sanaderi shqiptar…