Maqedoni, votohet 90% “Pro”, por pjesëmarrja është nën 50 %

516
Sigal

Maqedonia nuk mundi ta mbyllë sot çështjen e ndryshimit të emrit të saj me referendum. Përqindja e votuesve pas mbylljes së kutive duket se nuk e kaloi kufirin ligjor për referendumet. Këtë të diel, 1.8 milionë votues u thirrën që t’i përgjigjen pyetjes se janë ata apo jo për anëtarësim në NATO dhe BE, duke pranuar marrëveshjen me Greqinë? Pas numërimit të 34,48% të votave, autoritetet në Maqedoni kanë bërë me dije se rreth 90% e votuesve kanë votuar pro, pasi janë pyetur, nëse janë për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë për emrin. Ndërkohë, 6% janë shprehur kundër kësaj marrëveshjeje. Kryeministri Zoran Zaev e ka quajtur referendumin si të suksesshëm, edhe pse pjesëmarrja nuk ka qenë e kënaqshme. Kryeministri deklaroi se ai respekton vullnetin e qytetarëve dhe se çështja do t’i kalojë Kuvendit dhe ,nëse me deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk arrihet në një konsensus, vendin e presin zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në konferencë për shtyp pas mbylljes së vendvotimeve tha se qytetarët në referendum, ia deleguan vendimmarrjen deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë. Drejtuesi i partisë kryesore opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski deklaroi, se është fakt që marrëveshja me Greqinë nuk mori dritën jeshile në referendumin e sotëm dhe se populli e ndaloi, duke mos lejuar ndryshimin e emrit dhe identitetit. “Maqedonia sot tregoi se Marrëveshja nuk kalon. Kemi një referendum, i cili është thellësisht i pasuksesshëm. Politika e Qeverisë dhe e Zaevit pësoi një disfatë, ndërsa Maqedonia fitoi.