Maqedoni, Ivanov kthen ligjin për gjuhët

564
Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, ka bërë të ditur se nuk do ta nënshkruaj ligjin për gjuhët që miratoi parlamenti i Maqedonisë para një jave. Duke iu drejtuar opinionit publik përmes një mesazhi, ai theksoi se arsyetimin ia ka dërguar parlamentit, ndërsa u bëri thirrje ligjvënësve që t’i rishikojnë vërejtjet e tij. “Ligji u miratua pa një debat publik, pa konsultuar ekspertët dhe pa opozitën”, thekson presidenti maqedonas, duke shtuar se ligji po ashtu u miratua pa një direktivë të Bashkimit Evropian. Presidenti Ivanov shkruan më tej se në punën e tij gjithmonë ka respektuar Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve të vendit. Ai vlerëson se miratimi i ligjit synonte arritjen e pikëve politike nga parti të caktuara. Qëndrimi i Ivanov ndaj këtij ligji ishte i njohur. Edhe në paraqitjen e fundvitit para deputetëve, ai pati theksuar se “Maqedonia do të bëhej shteti i parë evropian i cili i parashtron kushte vetvetes të cilat askush, nuk i kërkonte”. Ivanov, i cili po ushtron mandatin e dytë si president, i propozuar dhe mbështetur nga partia konservatore VMRO-DPMNE, thotë se ligji për gjuhët instalon një paralelizëm në të gjitha organet e pushtetit dhe bën bllokimin e tyre, ndërsa ekziston rreziku, sipas tij, për ripërkufizimin e Kushtetutës që do të cenonte bashkimin, sovranitetin dhe integritetin tokësor të Maqedonisë.
Sigal