Manjani takim me Presidentin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë

447
Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani ka pritur në një takim Presidentin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë, z. Krzysztof Kwiatkowski, i cili ka kryesuar një delegacion ekspertësh gjatë një vizite në vendin tonë, në kuadër të thellimit të bashkëpunimit me institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
I pranishëm gjatë këtij takimi ka qenë edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj, i cili ndër të tjera vlerësoi me mjaft pozitivitet përqasjen e Ministrisë së Drejtësisë ndaj aktivitetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ministri Manjani dhe z. Kwiatkowski, dikur Ministër Drejtësie i Polonisë, kanë ndarë disa ide lidhur me disa elementë të rëndësishëm të reformës në drejtësi, veçanërisht duke u ndalur tek sistemi gjyqësor.
Referuar përvojës së tij në krye të Ministrisë së Drejtësisë, z. Kwiatkowski vlerësoi se në çdo shoqëri demokratike një pjesë e shoqërisë do të jetë e pakënaqur ndaj gjyqësorit ndaj dhe çdo ndryshim është i mirëpritur. Ai cilësoi me rëndësi që çdo ndryshim që përfshin këtë sistem duhet argumentuar mirë dhe gjithashtu ka mjaft rëndësi që të qartësohet se nuk ka interesa politike mes ndryshimeve të ndërmarra.
Z. Manjani u shpreh se e vlerëson eksperiencën polake në drejtim të reformave të zbatuara për forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit si dhe evidentoi faktin që nuk ka thjesht rëndësi të merren modele të gatshme dhë thjesht të ketë përpjekje për t’i asimiluar ato, por duhet treguar kujdes që këto procese të realizohen me dinjitet duke ndërtuar në final standarde që t’i shkojnë për shtat vendit ku aplikohen.
Ndër të tjera, gjatë takimit bashkëbiseduesit vlerësuan se koncepti i auditit të performancës është një proces i domosdoshëm dhe z. Manjani u shpreh se do t’i ndjeki me interes rezultatet që do të prodhohen.
Ecuria e projektit të binjakëzimit për ngritjen e kapaciteteve institucionale të Kontrollit të Lartë të Shtetit ka qenë një tjetër temë me rëndësi që është diskutuar gjatë këtij takimi, ndërsa ndër të tjera është vlerësuar mjaft pozitivisht kualifikimi i audituesve të këtij institucioni sipas standardeve të BE-së.
Ministri Manjani vuri në dukje rëndësinë e përdorimit me efektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri të fondeve publike, ndërsa inkurajoi thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit edhe në kuadër të arritjes së objektivave të projektit të binjakëzimit.
Sigal