Manjani: Rama donte të më mbyllte gojën! U shkarkova për kanabisin

456
Ministri i shkarkuar i Drejtësisë, Ylli Manjani ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama në një konferencë për shtyp, duke thënë se kreu i qeverisë nuk lë ministrat të flasin nëpër mbledhjet e qeverisë. Gjithashtu, deklaroi se partnerët i kanë kërkuar Edi Ramës shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.
“Kur hyra në qeveri gjeta një praktikë që nuk kishte lidhje me profesionalizmin dhe me Kushtetutën. Ministrat nuk lejohen të flasin në mbledhjen e qeverisë. Me Ramën, asgjë personale, vetëm parimore. Kryeministri i ka bërë presion kryetarit të Parlamentit që të më shkarkonte. Donte të më mbyllte gojën. Ankohej se flisja në media pa lejen e Fugës. Po fole pa lejen e Fugës, shkarkohesh. Po dhe mendim, shkarkohesh. Rri urtë, bëj nai tender apo koncesion dhe je në rregull. Ky është mesazhi i kryeministrit”, tha Manjani, i cili shtoi se është i “nderuar që është shkarkuar” dhe se i “vjen turp për këtë qeveri”, me të cilën, sipas tij, nuk ka asnjë lidhje.
“Denoncova se shteti nuk po mbronte investimet e huaja dhe pas kësaj deklarate në Këshillin e Ministrave u përzu dhe u rrah një biznesmen, duke e përzënë nga Shqipëria. Kam marrë nisma që më janë refuzuar në mënyrë të tmerrshme nga njerëz që nuk janë mbi ministrat. Këto kanë qenë debatet, por më i madhi është se pse flet me mediat. U shtua presioni pas deklaratës për kanabisin. E bëra atë deklaratë si qytetar i shqetësuar për këtë fenomen dhe e kam bërë pa asnjë paragjykim”, shtoi Manjani.
Ish-ministri tha gjithashtu se, “partnerët kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm”. 
“Nuk kërkuan shkarkimin tim, por kryeministri kërkon të heqë vëmendjen”, u shpreh Manjani, i cili përsëriti disa herë se është i nderuar që nuk bën më pjesë në qeveri sepse nuk është “për të majtën e bashkuar me krimin”.
“Do isha ministër jetëgjatë nëse do të qepja gojën e të zbatoja porositë, por ndërgjegja ime qytetare e profesionale nuk ma lejonte këtë gjë”, mbylli fjalën e tij Ylli Manjani.
Sigal