Manjani paralajmëron gjyqtarët: Kush vonon gjyqin, nuk do ta ketë të lehtë në vetting

418
Sigal

Ministri i Drejtësisë, z. Ylli Manjani u vlerësua sot me
“Çmimin e Mirënjohjes” nga Shoqata e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë gjatë
aktivitetin “Toga e Artë”.

Në fjalën e tij në këtë aktivitet, Ministri Manjani
vlerësoi se kujtdo mbriojtja duhet t’i jepet sipas ligjit dhe sipas standardeve
ndërkombëtare.

Më tej, Ministri Manjani evidentoi se drejtësia penale dhe
ndjekja penale në përgjithësi janë në ditë të vështira.

 

“Ka shumë argumenta, disa janë alibi që krijohen për një
arsye ose një tjetër, që unë nuk mund t’i analizoj këtu por po ju jap disa
statistika. Sot, në çastin që flasim, në sistemin penitenciar janë 6027 persona
të dënuar, rreth 900 prej tyre janë mbi normë, pra jemi në kushte mbipopullimi.
50% e tyre janë persona që gjenden në paraburgim dhe kjo shifër më shqetëson
sepse sistemi i ndjekjes penale nuk mund të prodhojë njësoj të dënuar aq edhe
të paraburgosur, kjo nuk është efektive. Rreth 40% e këtyre të paraburgosruve
janë të arrestuar në flagrancë. Vazhdimisht gjatë këtij viti kam bërë thirrje,
kam nxitur të gjithë instrumentat që unë kam në dorë si Ministër dhe nuk do të
pushoj së bëri thirrje për trupën e prokurorëve dhe gjyqtarëve, që të paktën
ata që arrestohen në flagrancë duhet të dalin në gjyq”
, tha Ministri Manjani

Gjithashtu, Ministri Manjani bëri me dije se javën e
ardhshme është menduar të çelet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë një debat
publik për të filluar një reformim të thellë të çështjes së dënimit me burg por
edhe të masave të sigurisë, pasi sikurse tha Ministri Manjani, në më shumë se
90% të rasteve dominon vetëm një masë sigurie, që është burgu.

“Kam ndërmend të nis një proces konsultash sepse ka shumë
presion për ndryshimin e Kodit Penal dhe unë nuk jam refraktar në këtë pjesë,
ndaj duhet ta bëjmë së bashku, për të kuptuar se si mund ta zgjidhim këtë
situatë. Nuk është zgjidhje amnistia sepse ajo mund ta zgjidhi situatën në një
moment të caktuar, por na duhet një sistem i ndjekjes penale efiçent, ku
realisht personi me rrezikshmëri të lartë shoqërore duhet izoluar dhe jo kushdo
është me këtë rrezikshmëri”
, u shpreh
z. Manjani.

 

Ministri Manjani u ndal gjithashtu edhe në rëndësinë e
procesit te vetting-ut, ndërsa e konsideroi atë si një proces të pashmangshëm
nga i cili nuk ka më kthim pas.

 

“Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gjyqtari dhe prokurori të
Republikës së Shqipërisë, se i kanë një borxh kushtetues çdo qytetari që
paraqitet në derën e gjyqit apo në sallën e hetimit në prokurori, që të hetohet
dhe gjykohet shpejt. Alibia e vetting-ut nuk pranohet! Vettingu do të ndodhë
dhe nuk ka forcë që e kthen mbrapa! Gjykatësit apo prokurorët mund të kenë në
dorë ta shtyjnë edhe pak por do të ndodhi, është e pashmangshme! Nuk e di se sa
të korruptuar apo të dyshuar për korrupsion ka sistemi, por intersi publik i
shoqërisë shqiptare sot është që të kuptojë se kush e kalon këtë test duhet të
vazhdojë të jetë i merituar si gjyqtar apo prokuror. Kush vonon gjyqin, kush
shtyn pa shkak procedura hetimore apo gjyqësore, nuk do ta ketë të lehtë në
vetting, madje do të jetë në rrethana rënduese”,
 përfundoi fjalën e tij Ministri Manjani