Manjani letër “Venecias”: Këshilla edhe për reforma të tjera

421
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka falenderuar përmes një letre Komisionin e Venecias për gjithë mendimet e dhëna për reformën në drejtësi. “Si Ministër i Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, dëshiroj të shpreh falenderimin tim personal, për gjithë punën e kryer nga Komisioni i Venecias nëpërmjet opinioneve të vyera, në lidhje me procesin e reformës në drejtësi në vendin tim”, shkruan Manjani.
Ministri nënvizon faktin që nëpërmjet rekomandimeve të dhëna për institucionet shqiptare, Komisioni i Venecias rikonfirmoi edhe njëherë se mbetet një institucion i pazëvendësueshëm në rolin e tij dhe që përmbushi pritshmëritë lidhur me profesionalizmin dhe paanshmërinë, në një proces sa delikat e të vështirë, aq edhe vendimtar për Shqipërinë, siç është reformimi i sistemit të drejtësisë.
”Reforma që po realizojmë nuk do të ishte e suksesshme dhe afatgjatë nëse nuk do të ishte gjithëpërfshirëse, jo vetëm formalisht, por edhe substancialisht duke konsideruar çdo kontribut dhe impakt pozitiv të dhëna nga të gjithë aktorët”, vijohet më tej në letër. Në fund, Ylli Manjani shpreh gatishmërinë për t’u këshilluar me këtë institucion për çështje të tjera me rëndësi në vendin tonë, si reforma zgjedhore, ajo e pronave dhe të tjera.
Sigal