Manjani: Gati të nis procedurat e shkarkimit për çdo gjyqtar në listën e ambasadës amerikane

430
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani gjatë një prononcimi për media ka shprehur ditën e sotme mirënjohjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për kontributin që po japin ndaj vendit tonë në atë që Manjani e quajti çeljen e një beteje të jashtëzakonshme kundër korrupsionit.
“Detyra ime kushtetuese si Ministër i Drejtësisë është që të filloj procedimin disiplinor për cilindo gjykatës dhe të sugjeroj procedim disiplinor deri në shkarkim nga detyra për cilindo prokuror që gjendet në kushtet e shkeljes së ligjit apo në kushtet e akteve dhe sjelljeve që diskretitojnë rëndë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit. Kjo është detyra ime dhe kam ndërmend ta çoj deri në fund. Sigurisht ndihem me fat sepse kemi bashkëpunim shumë të ngushtë dhe shumë të mirë me vendet partnere”, u shpreh  Manjani.

 Manjani siguroi vullnetin e tij të prerë, të fortë dhe të qartë për të çelur çdo procedurë disiplinore dhe shkarkimi për cilindo gjykatës dhe prokuror që gjendet në këto kushte. “Më lejoni që të çelen procedurat, sepse ka një Këshill të Lartë Drejtësie ende në detyrë sikurse edhe një Këshill Prokurorie dhe Gjykatë të Lartë që është në detyrë. Nga kjo pikëpamje jam gati që t’i ushtroj të gjitha instrumentat ligjore që kam sot në dorë si Ministër i Drejtësisë”, tha Ministri Manjani. Kreu i drejtësisë shqiptare ripërsëriti edhe njëherë vlerësimin e tij për kontributin e jashtëzakonshëm të qeverive të vendeve partnere që na asistojnë në përpjekjet për të luftuar korrupsionin.
Sigal