Mandija: Raporti me shkeljet në zgjedhje është në duart e ndërkombëtarëve

441
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija deklaron se raporti me problemet që janë gjetur nga zgjedhjet e 25 qershorit i është dërguar edhe ndërkombëtarëve duke i vendosur në dijeni për atë që ka ndodhur në Shqipëri. Mandija thekson se çdo e dhënë në materialin përmbledhës është një pasqyrim i saktë, i konsoliduar dhe sistematik, ndërsa shton se ky material do të shërbejë në të ardhmen për forcat politike, por edhe për institucionet shqiptare.“Në përfundim të procesit zgjedhor materiali përmbledhës që pasqyron gjetjet dhe konkluzionet e ministrive dhe të institucioneve të tyre të varësisë, dërguar me shkrim apo të diskutuara në mbledhjet e Task-Forcës, përbën produktin përfundimtar të punës që i shpërndahet anëtarëve të Task-Forcës, subjekteve zgjedhorë, OJF me objekt veprimtarie në fushën e zgjedhjeve si dhe partnerëve ndërkombëtarë e pjesëmarrësve të tjerë në proces. Çdo e dhënë në materialin përmbledhës është një pasqyrim i saktë, i konsoliduar dhe sistematik i të gjithë informacionit dhe raportimeve në kohë të bëra veçmas nga secila ministri, si organ kushtetues, në përputhje me sferën e përgjegjësisë shtetërore që mbulon. Ky material do të shërbejë në të ardhmen për forcat politike, por edhe për institucionet shqiptare që të reflektojnë lidhur me sjelljen institucionale dhe politike si dhe për të kryer ndryshimet e duhura në kuadrin ligjor me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike në të mirë të qytetarëve shqiptarë” shprehet ajo.
Ledina Mandija dhe ministrat e tjerë teknikë të PD dorëzuan sot dorëheqjen pas raportit që i dorëzuan Ramës. Ata qëndruan në detyrë për tre muaj, ndërsa u emëruan si garanci për zgjedhjet e 25 qershorit, edhe në fund në raport deklarojnë se nuk arritën të përmbushin misionin.

Deklarata e plotë e Ledina Mandijës
Zëvendëskryeministrja Ledina Mandija në mbyllje të procesit zgjedhor dhe mandatit të Task-Forcës për zgjedhjet 2017 dëshiron të falënderojë: Të gjithë anëtarët e Task-Forcës për kontributin e dhënë përmes informacioneve, raportimeve dhe diskutimeve në funksion të monitorimit të procesit zgjedhor si dhe për gjetjet e konstatimet gjatë këtij procesi; Anëtarët e ftuar të Task-Forcës për pjesëmarrjen në mbledhjet e Task-Forcës dhe bashkëpunimin si dhe për informacionin e dërguar prej tyre; Institucionet e tjera dhe ato të pavarura për informacionet, raportimet dhe problematikat e dërguara lidhur me procesin zgjedhor në zbatim të VKM 473/2017. Një falënderim i sinqertë shkon për të gjithë partnerët ndërkombëtarë për kontributin dhe asistencën në hartimin dhe përgatitjen e akteve nënligjore në kuadër të këtij procesi, për ekspertizën e tyre dhe për pjesëmarrjen në mbledhjet e Task-Forcës. Gjithashtu një falënderim i veçantë është për median e shkruar, audio-vizive dhe online për pasqyrimin korrekt dhe çast pas çasti të punës së Task-Forcës përgjatë procesit zgjedhor. Raportimet në media për gjetjet dhe qëndrimet e Task- Forcës kanë kontribuar në realizimin e synimeve të saj dhe konstatimin e realitetit në të cilin zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Task -Forca është përpjekur të jetë transparente me median dhe kjo është shprehur përmes qindra lajmeve, një numër të madh njoftimesh për shtyp, daljesh televizive dhe intervistash në oraret më të ndjekura të emisioneve shqiptare. Në përfundim të procesit zgjedhor materiali përmbledhës që pasqyron gjetjet dhe konkluzionet e ministrive dhe të institucioneve të tyre të varësisë, dërguar me shkrim apo të diskutuara në mbledhjet e Task-Forcës, përbën produktin përfundimtar të punës që i shpërndahet anëtarëve të Task-Forcës, subjekteve zgjedhorë, OJF me objekt veprimtarie në fushën e zgjedhjeve si dhe partnerëve ndërkombëtarë e pjesëmarrësve të tjerë në proces. Çdo e dhënë në materialin përmbledhës është një pasqyrim i saktë, i konsoliduar dhe sistematik i të gjithë informacionit dhe raportimeve në kohë të bëra veçmas nga secila ministri, si organ kushtetues, në përputhje me sferën e përgjegjësisë shtetërore që mbulon. Ky material do të shërbejë në të ardhmen për forcat politike, por edhe për institucionet shqiptare që të reflektojnë lidhur me sjelljen institucionale dhe politike si dhe për të kryer ndryshimet e duhura në kuadrin ligjor me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike në të mirë të qytetarëve shqiptarë.
Sigal