Mandija: Nuk ikim nga qeveria pa dalë raporti i zgjedhjeve

582
“Pres të largohen, sepse nuk kanë më arsye që të qëndrojnë. Misioni i tyre ka mbaruar me sukses të plotë dhe pres që të largohen”. Pas kësaj deklarate të kryeministrit Edi Rama sot për ministrat teknikë të PD në qeveri, ka reaguar zv/ kryeministrja Ledina Mandija, e cila shprehet se nuk do të largohen pa dorëzuar raportin përfundimtar për zgjedhjet e 25 qershorit, që po hartohet.
Zv/Kryeministrja shprehet se afati përfundimtar për dorëzimin e raporteve përfundimtare ishte data 10 korrik 2017, ndërkohë që ende sot disa nga Ministritë përcjellin materiale informuese duke bërë që hartimi i raportit përfundimtar të shtyhet.
Mandija lë të kuptohet që nuk do të largohet nga posti pa dorëzuar raportin, kur shprehet se “do të zbatoj deri në fund detyrimin që rrjedh nga VKM 473/2017 që garanton hartimin e një raporti përfundimtar, serioz dhe cilësor, që do t’i shërbejë në të ardhmen forcave politike”.
“Në përmbyllje të monitorimin të kryer nga e ana e Task – Forcës bazuar në VKM 473/2017, duke u bazuar në informacionet dhe raportimet e bëra nga të gjitha ministritë dhe institucionet që kanë ngritur grupet e monitorimit gjatë fushatës elektorale, është duke u bërë vlerësimi dhe përpunimi i të dhënave për të vënë sa më shpejt në dispozicion të publikut, subjekteve politike të interesuar, autoriteteve vendase dhe organizmave ndërkombëtar, raportin përfundimtar në lidhje me rezultatet e këtij monitorimi.
Sqarojmë opinionin publik se afati përfundimtar për dorëzimin e raporteve përfundimtare ishte data 10 korrik 2017, ndërkohë që ende sot disa nga Ministritë përcjellin materiale informuese.
Zyra e zëvendëskryeministres, Ledina Mandija, në cilësinë e kryesueses së Task- Forcës për zgjedhjet 2017, siguron opinionin e publik se do të zbatojë deri në fund detyrimin që rrjedh nga VKM 473/2017 dhe garanton hartimin e një raporti përfundimtar, serioz dhe cilësor, që do t’i shërbejë në të ardhmen forcave politike, për të realizuar një nga misionet më jetike të demokracisë së vendit, garantimin e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të lirë dhe të ndershëm” shprehet Mandiaj në deklaratën e saj për mediat.
Gjashtë ministrat teknik të PD dhe zv/kryeministrja vijojnë të qëndrojnë në detyrë edhe pse kanë kaluar 3 javë nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Ministrat teknikë të PD
Zv/kryeministër – Ledina Mandia
Minister i Brendshëm – Dritan Demiraj
Ministër i Financave – Helga Vukaj
Ministër Drejtësie – Gazmend Bardhi
Ministër i Arsimit dhe Sportit – Mirela Karabino
Ministër i Shëndetësisë – Arben Beqiri
Ministër i Mirëqenies Sociale – Xhuljeta Kërtusha.
Sigal