Mandati i Rakipit e Rahovicës, KQZ do të dëgjojë më 3 Janar variantet e tyre

722
Komisioni Qendror Zgjedhor do të marrë në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit për Aqif Rakipin e PDIU-së dhe Gledion Rahovicën e LSI-së, menjëherë pas festës së Vitit të Ri. Më datë 3 Janar KQZ-ja do të dëgjojë dy deputetët aktualë dhe mbrojtjen e tyre. Për Aqif Rakipin, deputetin çam të Elbasanit ka deklaruar se akuza e Prokurorisë nuk qëndron, pasi ai thotë se asnjëherë nuk është dënuar, as për vjedhje e as për ndonjë akuzë tjetër, ndryshe nga deputeti tjetër, ai i LSI-së, Gledion Rahovica, i cili nuk ka reaguar ende. Aqif Rakipi akuzohet për marrje të mallrave të vjedhura në Itali, ndërsa Rahovica për vjedhje dyqani po në Itali, ngjarje këto të ndodhura në vitet 1998 dhe 1999, kohë që sipas organit të akuzës të dy deputetët përdornin emra të tjerë në shtetin fqinj. Por nëse për deputetin e LSI-së akuza është e qartë, pra vjedhje dyqani, në rastin e deputetit çam Rakipi, akuza “marrje” e mallrave të vjedhura është disi evazive, pasi nuk kuptohet, nëse ato mallra janë vjedhur prej tij, apo thjesht ai i ka blerë ato pasi janë vjedhur nga dikush tjetër. Ndalimi i dy deputetëve në Itali dëshmohet nga gjurmët e gishtave që kanë dhënë në policinë e vendit fqinj. Dhe pikërisht mosdeklarimi qoftë edhe i shoqërimit nga policia italiane, me shumë mundësi do t’u kushtojë atyre mandatin e deputetit. KQZ ka shqyrtuar më parë raste të ngjashme. Duke parë përbërjen e Komisionit, ku shumicë janë anëtarët nga PS dhe PD, parti që nuk u përket asnjë prej dy deputetëve, çështja duket thuajse e mbyllur, me miratimin e kërkesës së Prokurorisë. Në media kanë nisur të përflitet për emrat e pasardhësve të dy deputetëve në bazë të listës së kandidatëve për deputetë të dorëzuar nga partitë përkatëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Sigal