Malmstrom: “Miratoni ligjet e integrimit”

466
Sigal

Komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom në Tiranë

Kryeministri Berisha priti dje në takim Komisioneren Europiane për Çështjet e Brendshme, zonjën Cecilia Malmstrom. Berisha e falënderoi komisioneren Malmstrom për mbështetjen e vazhdueshme që Komisioni Europian dhe ajo personalisht i kanë dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, ndërsa e njohu komisioneren me përpjekjet, reformat dhe arritjet e qeverisë në luftën kundër krimit, korrupsionit, në dixhitalizimin e procedurave dhe rritjen e transparencës, në arritjet e rëndësishme përsa i përket shtetit ligjor, por edhe në fushën ekonomike. Në takim u vlerësua edhe vazhdimësia e procesit të reformës në drejtësi, por edhe arritjet e rëndësishme të policisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar gjatë kësaj periudhe. Komisionerja Malmstrom i pohoi se arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe janë identifikuar dhe vlerësuar nga Bashkimi Europian dhe janë reflektuar edhe në raportin që Komisioni Europian publikoi për Shqipërinë, duke rekomanduar edhe statusin e vendit kandidat, pas miratimit të tre akteve ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament. Në këtë kontekst, komisioneria Malstrom vlerësoi se, për miratimin e ligjeve të lidhura me integrimin, përfshi edhe tre ligjet e kërkuara në raportin e Komisionit Europian, duhet të japin kontributin e tyre të gjitha forcat politike në parlament, pasi miratimi i tyre nuk i shërben vetëm qeverisë, por qytetarëve shqiptarë dhe projektit të tyre, integrimit në Bashkimin Europian. Kryeministri Berisha e siguroi se qeveria shqiptare mbetet plotësisht e vendosur për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin dhe vendet anëtare të BE-së, për të gjitha reformat e rëndësishme, të cilat do të përshpejtojnë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE, por njëkohësisht e bëjnë jetën dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë edhe më të mirë e më të sigurt. Kryeministri Berisha siguroi gjithashtu, se qeveria do të bëjë gjithçka për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm, duke shprehur besimin se me Kodin Elektoral konsensual, i cili ka trajtuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe me vullnetin e fortë të të gjithë forcave politike procesi i ardhshëm zgjedhor do të plotësojë të gjitha standardet ndërkombëtare për zgjedhjet. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare ka kërkuar dërgimin e një numri sa më të madh të vëzhguesve të zgjedhjeve.