Mali i Zi – fiton Gjukanoviç, humbasin partitë shqiptare

514
Sigal



Në një kohë kur janë numeruar 94.21% e
votave, qendra për monitorimin e zgjedhjeve në Mal të Zi raporton se
pavarësisht se asnjë nga listat e partive nuk ka marrë shumicë absolute (mbi 41
mandate nga 80 mandate që ka Parlamenti i Malit të Zi), partia e Milo
Gjukanoviçit, e cila ka dalë dhe e vetme në keto zgjedhje, ka arritur të fitojë
serish më shumë mandate sesa partitë e tjera, pasi ka siguruar 36 mandate.




Duke
ditur aleatët e përhershëm paszgjedhor të Gjukanoviçit që janë pakicat
boshnjake, kroatët, shqiptarët dhe një nga partitë malazeze, Gjukanoviç duket
se nuk do e ketë të vështirë të krijojë shumicën e mandateve për të formuar
qeverinë e re.


Ndërsa partia proserbe e Frontit Demokratik e udhëhequr
nga Andria Mandiç, e cila ishte dhe shqetësimi kryesor për të gjitha partitë
dhe të ardhmen europiane të Malit të Zi, ka arritur të marrë 18 mandate.
 

Por, ndërsa Gjukanoviçi fitoi, këto zgjedhje ishin një humbje
e madhe për faktorin politik shqiptar, që deri tani ka arritur të nxjerrë vetëm
një deputet, Genc Nimanbegun nga lista “Shqiptarët të Vendosur”. Humbja e
partive shqiptare ishte një humbje e paralajmëruar për shkak të ndarjeve e
përçarjeve të thella mes tyre.

Në Mal të Zi ka plot 8 parti shqiptare për 20 mijë votues
shqiptarë që ka i gjithë Mali i Zi dhe këto 8 parti në këto zgjedhje dolën me
tre koalicione të ndryshme apo tre lista. Kjo bëri që shqiptarët të kenë
momentalisht dhe përfaqësimin më të ulet që kanë pasur ndonjëherë në këto 25
vite, me vetëm një deputet në Parlament. Nëse shqiptarët do të dilnin me një
koalicion të vetëm do kishin mundësi të merrnin deri në 5 mandate, duke u bërë
vërtet një faktor përfaqësues dhe i rëndësishëm i pakicave shqiptare në Mal të
Zi.

Ndërkohë, ndarja e mandateve sipas votave të marra, kur
janë numëruar rreth 95% e votave, është partia Demokrato-Socialiste e Milo
Gjukanoviçit (36 mandate), proserbët Fronti Demokratik (18 mandate), Çelsi (9
mandate), Demokratët (9 mandate), Partia Social-Demokrate (4 mandate), Partia e
Boshnjakëve (2 mandate), Partia Kroate (1 mandat) dhe Partia Shqiptare (1
mandat).