Malaj po bën lojën e Berishës. Qarku i Fierit është princip, PS-ja nuk duhet të tërhiqet!

471
Sigal

INTERVISTA/Prof.Dr. Sabit Brokaj: “Pse, nuk e dinë shqiptarët që Flamurin në Vlorë e ngritën  Saliu me Zogun?”

Prof. Dr. Sabit Brokaj, në intervistën për “Telegraf” e cilëson sfidë ndaj dëshmorëve, e popullit të Tiranës  rikthimin e eshtrave të tradhtarit Ahmet Zogu në datën 17 nëntor dhe politikën e Berishës ndaj datave historike si anti-historizëm. Ndërsa për këmbënguljen e PS-së, për të mos dhënë konsensusin për 3 reformat e integrimit, si të drejtë, p[asi qarku i Fierit është princip dhe se as shqiptarëve dhe as Europës nuk i duhet një Shqipëri që shkelet vota e popullit e nuk respektohen vendimet e drejtësisë. Ndërsa kritikat e deputetit Malaj, tani,  që ka filluar fushata zgjedhore, kundër Kryetarit të PS-së, e cilëson si lojë në favor të Berishës.

– Prof. Brokaj, 100 -vjetorin e Pavarësisë,  mendoni se, shqiptarët e presin me dinjitet?

– Pse, nuk e dinë shqiptarët që Flamurin në Vlorë e ngritën  Saliu me Zogun? Natyrisht, në të gjitha hapësirat shqiptare dhe kudo që janë shqiptarët 100- vjetorin e presin me dinjitet dhe e kanë emocionin festiv. Për aq sa politika luajti në të kundërtën e këtij emocioni dhe mirëpritjeje dinjitoze. Nuk ka gjë, do të thosha unë,  më të papranueshme, sesa në këtë 100 vjetor filluan debatet, më shumë për mbretin tradhtar Zog, sesa për Ismail Qemali, më shumë për Zogun, sesa për Luigj Gurakuqin, më shumë për Zogun, sesa për Nikollë Kaçorin. Pra, loja politike këtu është e ndyrë nga ana e Saliut, pa e implikuar shumë PD-në, bëri që të merren më shumë gazetarët dhe historianët, sidomos, me debate, të cilat e ulën këtë fryme festive dhe të dinjitetit të 100-vjetorit.

– Vendimin e qeverisë “Berisha” për ta festuar 100-vjetorin në dy data, a mund ta quajmë një normalitet?

– Që kur erdhi Berisha, në 1992-in, filloi anormaliteti i historisë. Gjënë e parë, parashtroi datën e çlirimit, bile, edhe pse është cilësuar me ligj 29 Nëntori, përsëri Berisha nuk e respektoi. Pastaj u mor me 5 Majin dhe u përpoq të gjente një datë tjetër, për të përkujtuar dëshmorët. Pastaj, Berisha u mor me Pavarësinë. Pra, të gjitha veprimet personale të Saliut, kanë qenë antihistorike dhe kjo ka prekur jo pak, ndjenjat kombëtare që lidhen me këto ngjarje historike. Po të ishin dy data, do të ishin 28 dhe 29 Nëntori. Data 27, është si puna e datës 17, që sjellin eshtrat e Zogut. Shyqyr, që nuk ngjallen partizanët e të merren me të, por unë do të gjykoja që mentaliteti i mendimit  politik i Saliut, antihistorik, por edhe antishqiptar dhe ky do të prekte edhe këtë datë të shenjtë, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ky mentalitet i Saliut, duket se qenka i vjetër. Nuk është thjesht që Vlora e 1997-s,  ishte vatra kryesore, që ringjalli një protestë mbarëpopullore kundër Berishës. Unë gjykoj, që nuk është ky qëndrim që ka gatuar mbrapsht Saliun në pikëpamje, se Saliu është marrë me të gjitha datat e historisë tonë dhe duke përfunduar te titulli i mbretit Zog, që nëse ka një figurë problematike, ky është Zogu. Shikoni vargjet e himnit. “Veç nga lufta largohet ai që është tradhëtor”. Që me Himnin, Zogu është larguar nga lufta, kur iku në 1939-n. Ç’mund ta quash, ndryshe, cubin Zog? Apo, që erdhi me ushtri të armiqve historikë të shqiptarëve. Në qoftë se je me Ahmet Zogun, nuk ka sesi të jesh me Ismail Qemalin. S’ka sesi të jesh me patriotë të tjerë.

– Me rikthimin e eshtrave të Zogut, pikërisht, më 17 nëntor, mos vallë, qëllimisht, qeveritarët duan të anashkalojnë, pse jo, edhe të mohojnë edhe 17 nëntorin e 1944-s, çlirimin e Tiranës?

– Po të nisesh nga logjika e Saliut, me datat historike, kjo është një sfidë që i bëhet atyre heronjve, dëshmorëve dhe popullit të Tiranës që çliruan kryeqytetin e Shqipërisë. Kjo është një sfidë, unë s’mund t’i jap asnjë kuptim tjetër. Zogun mund ta sillnin edhe në 16, edhe në 18, por nuk ka sesi ta sjellin në një ditë të shenjtë për Tiranën. Në gjithë botën, festimi i kryeqyteteve nga fashistët, festohet me madhështi solemne dhe nuk kremtohen e të bëhen ceremonira për tradhtarët e Atdheut, pikërisht, në këtë ditë-feste. Është një sfidë që i bëhet një dite të madhe, gjesti që bën Berisha me sjelljen e eshtrave të Zogut.

– A nuk bën përshtypje që Kryeministri Berisha, deri tani, nuk e përmend fare, marrëveshjen detare me Greqinë, as ta mohojë dhe as të pranojë që duhet një marrëveshje e re?

– Saliu është në valle, të gjitha janë të dokumentuara. Saliu ka qenë kur është firmosur, Lul Basha nuk mund të firmoste asgjë, pa urdhrin  e Saliut. Kur filloi të kundërshtohej kjo marrëveshje, Saliu na ka sharë të tërëve neve. Myslim Pashanë, e quajti një plak të marrë, neve të tjerëve na quajti me gjithfarë epitetesh, cilindo që  mbronim kufijtë e Atdheut, kështu, s’ka ç’flet tani Saliu, ai pret që grekët ta bëjnë fakt të kryer, siç e ka bërë Saliu fakte të kryera të gjitha ato marrëveshje të kryera dhe konçensionet në dëm të interesit të vendit.

– Rastësi, që grekët fillojnë tani të lëvizin, pikërisht, në ato kufijtë që u dha marrëveshja detare e qeverisë ‘Berisha’?

– Grekët filluan, pikërisht 6 muaj para se të ndërrohej pushteti, pasi më vonë do të ketë qëndrime të tjera, pasi opozita  socialiste e ka dëshmuar kundërshtinë e saj, edhe me çuarjen në Gjykatën Kushtetuese të denoncimit të marrëveshjes. Grekët shpejtojnë ta bëjnë fakt të kryer, ndaj edhe Saliu prandaj hesht,që grekët ta bëjnë faktin e kryer, se ndryshe, do të jetë vonë. I takon pushtetit në Shqipëri që të reagojë ndaj provokimeve të grekëve, por është pushteti që ka tradhtuar hapësirën detare të territorit të Shqipërisë. Edhe Zogu, kur dha territoret e Shqipërisë, Shën Naumin e në Vermosh, heshti. Zogu, në 1936, deklaroi në gazetat greke, që Dhrovjani u takon grekëve, Saliu ka ikur fare, më shumë se Ahmeti në këtë pikë.

– Ministri Panariti, duke reaguar, tha se duhet një marrëveshje e re, që të kënaqë të dy palët. A mund të ketë  një marrëveshje të re, që të kënaqë të dy palët?

– Kur bëhet fjalë për shovinistët grekë, nuk ka marrëveshje që të kënaqë të dy palët. Ministri Panariti, për mua, ka qenë korrekt, në të gjitha qëndrimet e tij, edhe në Athinë, kur ishte për vizitë. Grekët, po nuk zhvatën, nuk kënaqen, ndaj bëhet fjalë që kjo marrëveshje e re të bëhet në përputhje edhe me Konventat ndërkombëtare, pasi pala shqiptare, në mënyrën sesi është implikuar në marrëveshjen e parë, frika është që do të bëjë lëshime që të kënaqë grekët dhe që shqiptarët, të duken sikur janë të kënaqur.

– Ka ndonjë rrezik, që grekët ta zbatojnë marrëveshjen dhe ne shqiptarët, në fund të fundit, do të mbetemi të humburit e historisë?

– Jo, ajo do të fitohet edhe ndërkombëtarisht, në gjyqet që mund të gjykohet në gjykatat ndërkombëtare. Po ka vendosur Gjykata Kushtetuese e një vendi, është rrëzuar çdo marrëveshje qeveritare. Me këtë situatë që kalon Shqipëria, pa asnjë mbrojtje, pa asnjë mundësie reagimi, është e çuditshme, që Shqipëria është i vetmi vend në botë, që s’ka ushtri dhe nuk ka asnjë kapacitet mbrojtës. Në këtë rast, grekët  mund të livadhisin si të duan.  Në këtë kuptim, Greqia mund të veprojë, Greqia ka realisht, politikë shoviniste në raport me Shqipërinë dhe prova është hapësira detare, që ata duan ta përvetësojnë pa një marrëveshje.

– Meqenëse të dy vendet jemi anëtare të NATO-s, kjo ka ndonjë rëndësi në zgjidhjen e problemit?

– Normalisht, po. Derisa jemi anëtare të këtyre organizmave ndërkombëtare, duhet të veprojmë në përputhje me rregullat e këtyre organizmave. Por një merak edhe është, sepse edhe Greqia e Turqia në NATO janë kur Turqia i mori gjysmën e Qipros.

– Si e vlerësoni politikën e PS-së për 100-vjetorin? Ka reaguar pak në mosvlerësimin e figurave historike, reagoi vetëm për ditëfestimin.

– Mund të ishte më e organizuar, për faktin që edhe qyteti i Flamurit është me Bashki socialiste. Kështu që kishte shumë mundësi. Megjithatë, ka bërë dy veprime simbolike, të mençura. Së pari, demonstrimin në Bruksel të hartave të Shqipërisë, duke i treguar botës që Shqipëria nuk është kjo. Shqipëria ka qenë një hapësirë 2 herë më të madhe se e sotmja dhe kjo sipas hartave europiane. Dhe e di shumë mirë, që në Bruksel janë habitur, se nuk e njihnin fare Shqipërinë. Veprimi i dytë është ekspozita e flamurëve në Kosovë, sidomos. Në Kosovë, është mentaliteti parapolitik në një shumicë popullate, propaganda e Saliut, që PS-ja është greke, nuk është patriote, ka zënë një vend atje dhe veprimi me flamujt e Shqipërisë, pikërisht, duke e filluar në Prishtinë dhe Gjakovë, këtë e kam bërë bisedë edhe me intelektualë të Kosovës, këto ditë, pasi kishin parë ekspozitën atje, janë veprime të mençura e simbolike, por kanë goxha efekt. Natyrisht, PS-ja duhet të ishte shumë më aktive.

– Profesor, ju ishit i pari që guxuat e bëtë fjalë për disa njerëz në kryesinë e PS-së që punojnë për Berishën. Mos vallë reflektimi nga PS-ja ishte bllokimi i celularëve në mbledhje?

– Të them të drejtën, nuk prisja ndonjë reflektim, pasi unë thashë një realitet. Ato janë procese të pastrimit të partisë, periodikisht. Ato janë tjetër gjë.  Unë kam drejtuar mbledhje, dhe të flasësh me celular e të bësh mesazhe, kur je në mbledhje, është e drejta e drejtuesit të  mbledhë mendjen atyre e t’u thotë:  Qëndroni këtu. Të gjitha partitë për problemet e veçantë, që janë të debatit të  brendshëm,  i mbyllin dyert e mbledhjeve. Nuk ka asnjë problem. Pati keqqëndrime e keqshpërdorime të kësaj situate.  Edhe PS-ja dikur, edhe PD-ja, po Saliu tani nuk i bën më fare mbledhjet e kryesisë. Mua më habiti përshtypja që u dha, se ajo mbledhje e mbylli PS-së. PS-ja nuk mbyllet. Mentaliteti demokratik në PS është i krijuar, është shumë i avancuar nga të gjitha partitë.

– PD-PS nuk tregojnë vullnet politik të gjejnë mirëkuptimin për reformat. Kjo a nuk dëshmon që politika partiake mbizotëron mbi interesat kombëtare?

–  E vërteta është që mesazhi që bëri zonja Klinton, që të shikohen interesat kombëtare, është realitet në Shqipëri. Kur zonja Klinton e përmendi këtë, mua m’u kujtua një intervistë e Bugajskit, vitet të shkuara, kur ishin socialistët në pushtet, ai ka thënë: “Në Shqipëri ka grupe politikeqë punojnë kundër interesave kombëtare”. Shembujt i dhamë edhe më lart, kur  politikat shqiptare kanë punuar kundër interesave kombëtare. Për problemin e fundit,  këmbëngula e ndërkombëtarëve dhe bllokimi i tyre me Qarkun e Fierit, mendoj se, pas shumë lëshimeve që ka bërë PS-ja, aq sa diskutuan autoritetin politik të saj, që ka dhënë nga kompromiset e tërheqjet e saj pa princip, edhe me shumë dëme për politikën e saj, Qarku i Fierit,  nga problem, u kthye në princip, në këtë rast.

– Përse,  qarku u Fierit, nga problem u kthye në princip?

– Princip është vota e popullit, princip është edhe drejtësia. Të dyja, i ka fituar PS-ja. Në qoftë se PS-ja në këtë rast tërhiqet, duhet të përmendim: Kjo PS- çfarë principe ka  lidhur me  votën e popullit dhe çfarë principe ka lidhur me vendimet e drejtësisë? Berisha atje, mekanizmin e vjedhjes të votës e ka bërë nga angazhimi i qarkut të Fierit. Pyetja shtrohet. Kërkohet të tërhiqet dikush. Pse nuk tërhiqet Berisha? Ai ka përgjegjësinë e parë për integrimin, ai ka pushtetin. Gjithë tërheqjet i ka bërë opozita, asnjë tërheqje nuk ka bërë Berisha. Berisha nuk ka asnjë të drejtë që ta marrë qarkun, sepse të gjitha vendimet  dhe votat janë në favor të PS-së. Berisha vepron në kundërshtim më votën e popullit dhe me vendimet e drejtësisë, pikërisht sepse  Berisha nuk i përfill vendimet e integrimit dhe e ka hallin te pushteti. Dhe pushteti, qëndron, siç duket, te zgjedhjet që vijnë. Të gjithë bërtasin, të tërhiqet opozita. Po mirë, pastaj, opinioni nuk duhet të ekzistojë më.

– Cila është opozita aktive politike?

– Në të gjitha problemet principiale është tërhequr në funksion , njëherë se duhet të pranohemi në NATO, pastaj, se duhet të pranohemi në BE. Dhe ka mbetur tani këtu. Unë ju siguroj Fieri, Vlora, Berati nuk kanë përse të votojnë më për socialistët. Përse të votojnë?  Edhe festa nuk iu dha Vlorës. Iu morri Saliu 900 milionë lekë dhe e katandisi për faqe të zezë në këtë 100 -vjetor. Atëherë ç’duhet të bëjë opozita? Prandaj, tani Fieri, nga një problem, është krijuar në një princip.

– Dakord, Fieri mund të jetë princip për PS-në, por a mjafton ky princip i PS-së që të rrezikojë shansin e tretë të statusit kandidat shqiptarëve dhe Shqipërisë?

– Pse nuk e shtroni pyetjen për Saliun, por e shtroni për PS-në? Me këtë gjuhë flet Saliu. Përse nuk e shtroni për Saliun ju, i cili është përgjegjësi kryesor i mosintegrimit? Realizimet e deritanishme të reformave  janë bërë në dëm të socialistëve, në favor të Saliut, sepse PS-ja, në funksion të NATO-s e BE-së kanë bërë 1.000 lëshime. Pse duhet ta lëshojnë edhe qarkun e Fierit socialistët? Ky është vendim drejtësie, që do të thotë, populli! Çfarë e do Europa një Shqipëri, kur shkelet vota e popullit, shkelen vendimet e drejtësisë? Ç’më duhet mua BE-ja, kur vota e popullit shkon atje ku do Saliu? Çfarë funksioni ka integrimi, kur drejtësia shkelet e nuk zbatohen vendimet e saj? Si mund të lëshohet më?

– Ju faleminderit!

MALAJ, BËN LOJËN E BERISHËS, DERISA KRITIKON TANI RAMËN

Sot (dje) zoti Malaj ka bërë një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj Kryetarit të PS-së, duke thënë, veç të tjerash, që ai ka shmangur, përjashtuar personalitete  që kanë kontribuar në PS. Kjo është një kritikë parimore, apo ambicioze?

– Mund të ketë të drejtë, nuk mund të them, për figura të veçanta. Nuk e përjashtoj këtë. Kjo kritikë qëndron. Por ngritja e problemeve tani, nga Arbeni, e quaj krejtësisht irracionale, se mund ta cilësoja më keq se kaq. Ka një rregull. Fillon fushata elektorale, duhet të ndodhë domosdoshmërisht kompaktësimi i strukturave. Fushatat elektorale për të marrë pushtetin janë analoge me betejat në luftë. Të gjitha janë analoge. Përsëri, qëllimi është marrja e pushtetit.

 – A mund të heshtësh, kur e keqja nuk kurohet?

– Tashmë, etapa aktuale, kur fillon fushata, absolutisht, nuk kurohet e keqja, por bëhet më e dëmshme. Kishte të drejtë, mundësi, kishte kohë ta kritikonte Ramën deri dje. Sot nuk ka asnjë të drejtë për  veprim politik. Mund të bëjë korrigjime për taktikat, mund të bëjë korrigjime për programin elektoral, për programin e qeverisjes, por asnjë veprim, i cili është në diversion me vetveten. Ka një rregull në luftën politike. Së pari, goditet komandanti e Kryetari. Së dyti, shtabi. Asnjë politikan i majtë nuk duhet të veprojë brenda strategjisë së kundërshtarit, i cili do të godasë Kryetarin. Kritikat e të tjerat duhet të jenë në funksion të kompaktimit dhe përmirësimit të strategjisë.

– Mos padashur, me kritikat e drejtpërdrejta ndaj Kryetarit, Malaj, bën lojën e Berishës?

– Nuk mund të them se e bënë me dashje, po derisa kritikon tanibën lojën e Berishës.