Malaj: Kthimi i vizave, 5 hapa që duhen ndjekur

479
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, komentoi lajmin lidhur me kthimin e mundshëm të regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë në zonën “Shengen”. Sipas tij, lajmi se qeveria holandeze ka kërkuar rikthimin pjesor të kushtëzimeve për lëvizjen e lirë të shqiptarëve po sundon debatet publike dhe politike. “Nëse lajmi është i vërtetë, çdo shqetësim është i përligjur dhe një bashkëpunim sa më efektiv me qeverinë holandeze është imediat. Nëse lajmi nuk është i vërtetë, çdo angazhim publik alarmues është jo i drejtë dhe joproduktiv”, shprehet Malaj. Ai sugjeron edhe 5 hapa që duhen ndjekur për të sqaruar atë që po cilësohet si çështja e vizave. 

“Së pari – duhet që ky lajm të konfirmohet nga Ministria e Jashtme; 

Së dyti – procesi i integrimit evropian është i gjatë dhe në këtë periudhë të gjatë herë pas here vende të ndryshme mund të paraqesin shqetësime të ndryshme. Shpeshherë në vendet e BE-së gjatë periudhave të tyre elektorale, tensionet kundër hapjes së kufijve dhe tregut të punës dhe sidomos agresiviteti kundër emigrantëve, është pjesë e platformave elektorale, sidomos në vendet ku e djathta radikale ka gjetur akses në Parlament”, shprehet Malaj. 

Sipas tij, hapi i tretë duhet të jetë sqarimi me institucionet e Bashkimit Evropian. “Analiza serioze e këtyre kërkesave dhe bashkëpunimi me këto vende dhe institucionet e BE-së për t’i sqaruar, zbutur apo reduktuar këto shqetësime, mbetet prioritet i përhershëm i qeverisë dhe Parlamentit”, shprehet Malaj. Në të njëjtën kohë, ai e sheh problemin edhe të lidhur me klimën politike. 

“Së katërti – kërkesat e herëpashershme që BE kushtëzon vendet kandidate apo aspirante nuk bëhen për të ushqyer agresivitetin partiak, por për të përafruar qëndrimet dhe angazhimet e përbashkëta të të gjithë faktorëve politikë dhe shoqërorë. 

Së pesti – koha e paqartësive, periudhat e keqpërdorimit të lajmeve jo të vërteta, duhet të jetë sa më e shkurtër. Për këtë kërkohet transparencë për çdo kërkesë, për çdo kushtëzim dhe sidomos angazhim konkret për plotësimin e kërkesave, si edhe për reduktimin dhe eliminimin e pengesave në procesin e ndërtimit të shtetit ligjor dhe anëtarësimit në BE”, nënvizon ish-ministri Malaj. 
Sigal