Malaj: Jo përkatësisë fetare të Kuvendit

697
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, e cilësoi të padobishëm për debatet publike një informacion lidhur me të dhënat e përbërjes së Kuvendit të ri, sipas besimit fetar. “Besimi fetar është diçka tërësisht personale. Bazuar në parimet e të drejtave themelore të njeriut çdo individ në raport me besimin fetar është ai që dëshiron të jetë. Besimi fetar nuk trashëgohet, zgjidhet në mënyrë personale”, shprehet Malaj, duke shtuar se shteti duhet të jetë laik. ”Shqipëria dallohet për harmoninë fetare, çdo statistikë për shkallën ‘jopropocionale’ të përfaqësimit në Parlament apo Qeveri mund të ushqejë qejfmbetje tek pjesët ‘konservatore’ të besimeve fetare”, thuhet në vlerësimin e ish-ministrit. Sipas Arben Malaj, çdo rritje e pakënaqësive, duke përdorur disa përllogaritje statistikore, mund të ushqejë supermacinë apo radikalizimin tek pjesët e tjera. “Përgjithësisht në politikë bëhet kujdes për përfaqësimin sa më mirë të zonave të ndryshme të vendit, bëhet kujdes për respektimin e etnive në shtetet multietnike. Në eksperiencat ndërkombëtare kemi ndryshim të besimit fetar të liderëve politikë, si Toni Bler apo angazhimin e evangjelistëve në fitoren e mandatit të dytë të Xhorxh W. Bush. Ekspertët e shkencave politike e konsideruan këtë përdorim politik të besimit fetar si një nga gabimet më të rënda të tij”, u shpreh Arben Malaj. Ndër të tjera, ish-ministri socialist shprehet se “shkenca e statistikës është e bukur, ajo mund të përdoret më mirë për të përmirësuar qeverisjen e vendit, por njëkohësisht ajo është lehtësisht e manipulueshme kur përpunimi i tyre nuk ka një gjetje dhe mbi bazën e saj të ndërtohen rekomandimet përmirësuese”. Sipas një studimi të ISP-së, në parlament do të kemi 100 deputetë të besimit mysliman ose 72% të parlamentit, 23 deputetë të besimit ortodoks ose 16% të parlamentit dhe 17% të besimit katolik ose 11% të parlamentit.
Sigal