Malaj: Jo pengim të integrimit të vendit

Ish-ministri socialist, Arben Malaj, u shpreh se situata e tensionuar politike (jo vetëm, por edhe për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme), nuk duhet të arrijë deri në pikën që mund të vështirësojë ose pengojë hapat e mëtejshme të integrimit në BE. “Opozita do të synojë të përfitojë sa më shumë nga ky moment i rëndësishëm. Periudha për konsensus politik për këtë prioritet kombëtar, që të mos vetëpengohemi është relativisht shumë e shkurtër. Kjo sepse në fillim të vitit tjetër del raporti i vlerësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi bazën e të cilit do të bëhen rekomandimet përkatëse për çdo vend”, deklaroi Malaj. Sipas tij, “edhe pse vendimet në institucionet e BE që nga Këshilli, Parlamenti dhe Komisioni Evropian nuk merren mbi baza partiake, por mbi analiza gjeopolitike, nuk përjashtohet plotësisht risku që për shkak të situatës të tensionuar politike në vendin tonë, propozimi për çeljen e negociatave të kushtëzohet me kushtëzime të tjera, çka faktikisht do të ishte një vonim i çeljes reale të tyre”.