Mal i zi – Arrestohen 20 shtetas të Serbisë, të dyshuar për planifikim të sulmeve terroriste

448
Slavko Stojanoviç, drejtor i Drejtorisë së Policisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Malit të Zi ka konfirmuar se mbrëmë janë arrestuar 20 persona, shtetas të Serbisë, ndërsa ka shtuar një tjetër, gjithashtu shtetas i Serbisë, është në kërkim.
“Këta persona janë të dyshuar se në territorin e Malit të Zi kanë kryer vepër penale duke krijuar një organizatë kriminale dhe terroriste. Ata, sipas dyshimeve, kanë hyrë në Mal të Zi me qëllimin që fillimisht të armatosen e më pas, sot në mbrëmje, të kryejnë sulme ndaj institucioneve të sistemit shtetëror, duke mos përjashtuar edhe sulm ndaj zyrtarëve të lartë shtetëror”; ka thënë Stojanoviç.
Ndërkaq është raportuar se grupi i arrestuar ka qenë i udhëhequr nga ish-shefi i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiç.
Dikiç, aktualisht është kryetar i Fronti Patriotik të Serbisë, organizatë nacionaliste e lidhur me qarqet ekstreme ruse. Vitin e kaluar në qytetin e Nishit në jug të Serbisë ai organizoi protesta kundër NATO-s, ndërkohë që dyshohet se protesta të ngjashme organizoi edhe në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë.
Sigal