Maksim Kona: Do t’i shërbej qytetit tim me vullnet, aftësi, projekte e përkushtim, me programin integrues të LSI

432
Përparim HALILI
Edhe mund të jetonte e punonte atje ku kishte nisur dhe ndërtuar jetën e qetë, të kompletuar e pa asnjë mangësi larg Shqipërisë, por një kavajas i ndejshëm dhe besnik i vendlindjes si Maksim Kona, i cili njeh vetëm punën dhe korrektesën, respektin, moralin shoqëror, ndershmërinë dhe dashamirësinë ndaj njerëzve mes të cilëve është lindur, rritur dhe mes sakrificash të prindërve e të vetes ka formëzuar dinjitetin e trashëguar pa asnjë mangësi prej paraardhësve të tij model, nuk mund të qëndronte brenda qetësisë së tij. Ndjeu dobësi e detyrim, përballë faktit që edhe pas 27 vitesh demokraci, Kavaja e tij e dashur kishte mbetur një “parcelë politike” e pa zhvilluar, duke u përdorur vetëm elektoralisht për vota! Ndaj dhe së bashku me Fatbardhën, bashkëshorten e tij mirëkuptuese, iu përgjigj pa asnjë mëdyshje thirrjes së LSI si forcë integruese e për më tepër, kreut të saj Ilir Meta, për të kandiduar si kryetar i Bashkisë së Kavajës, duke ofruar përvojën dhe modelin produktiv të qeverisjes efiçente, që do të jetë zgjidhje funksionale për Kavajën si qytet dhe për banorët si problematikë social-ekonomike në çdo aspekt… Lidhur me projektet për Kavajën në drejtimin e bashkisë sipas programit të LSI, biseduam me kandidatin Maksim Kona…
Jeni alternativa bindëse e LSI në Kavajë, përballë një realiteti të tillë: Prej 27 vitesh PD e ka trajtuar Kavajën si “geto votash”, ndërsa “Rilindja”, prej 6 vitesh po e trajton si “kobure” kundër PD, ju si do ta trajtoni? 
Jam kthyer fizikisht në Kavajë prej disa vitesh, por për Kavajën kam punuar dhe ideuar prej kohësh. Arsyeja, se përse unë insistoj të drejtoj Kavajën, rrjedh nga fakti që teknikisht kam një përvojë konkrete për trajtimin dhe zgjidhjen e problematikave urbanistike infrastrukturore apo të bujqësisë, me këndvështrimin e një profesionisti që ka punuar e ka pasur sukses në Evropë. Referuar përvojës dhe energjive të mia, dola në konkluzionin se gjërat në Kavajën tonë janë bërë teknikisht keq, aq sa mund te mendosh se edhe shkencërisht është e vështirë t’i bësh kaq keq! Dhe kjo vjen, nga përgjegjësia e politikës militanteske. Çfarë më bënë fitues mua? Është fakti që kjo farsë e ngjyrës politike është e gangrena e Kavajës. Historikisht, Kavaja jonë është përdorur si “mish për top” për interesa politike e jo për hallet e banorëve. Po rikujtoj qeverisjet e para të Shtetit Shqiptar, kur Ahmet Zogu nga Dibra ishte dhe deputet i Kavajës e po kështu më vonë, kur Kristaq Rama u bë deputet i Kavajës në regjimin monist e deri me përzgjedhjen e Kavajës trime si qytet demokracie, ku deputet ishte Prof. Dr. Sali Berisha për disa legjislatura. Më pas, Kavaja pati si drejtues “fenomenin Ervin Roshi”, që çuditërisht përmbysi “perandorinë” e së djathtës. Mendoj, se të gjitha këto janë artifice, për të mbajtur qytetin nën trysni e kontroll si “parcelë partiake” e nën një injorancë të manipulueshme dhe, për rrjedhojë, në mjerim të plotë siç e kanë lënë realisht deri sot, me qëllimin për ta shfrytëzuar si depo votash të deformuara. Sot, Kavaja është e tej-lodhur nga loja që vazhdon të bëhet në kurriz të saj dhe kjo “zgjedhë” duhet të hequr më 25 qershor duke votuar alternativën programore të LSI të cilën ne kavajasit e mirëpresim dhe do ta bëjmë realitet zhvillues.
“Rilindja” e fasadave në Kavajë, mbaroi punë me lyerjen e fasadave dhe shtrime pllakash, ju nga do të nisni qeverisjen tuaj në këtë zonë që kërkon punë,, bukë, dinjitet, vlerësim?
Mora pjesë dhe unë në konkursin për qendrën e Kavajës, ku bashkë me grupin tim zhvillues paraqita projekt-idenë për qendrën. Konkluzioni është, se megjithëse kemi përmirësim të situatës, produkti është në nivel mediokër dhe tepër dëmprurës për një zgjidhje funksionale të qendrës së qytetit. Zgjidhja e dhëne prej atij konkursi farsë e klientelist, nuk është aspak funksionale për një qendër qyteti 3 kilometër larg një turizmi me dendësi të lartë banorësh dhe resursesh e biznesesh në shtim e fuqizim. Jam mësuar në jetën funksionale, që arkitektura duhet të jetë gjenerator i ekonomisë se qytetit dhe një zonë e pasur me artizanatin e qeramikës si traditë e Kavajës, zhvillim që duhej të ishte tema dominuese, por që “zhvillim” i Kavajës u konsiderua vetëm ngjyrosja e fasadave apo rrasat e gurëve të rrugëve, të shitura si kalldrëm.
Cilat janë 3 problemet emergjente, që do të trajtoni e zgjidhni në Kavajë? 
Problematikat kryesore e qytetit janë varfëria dhe papunësia ekstreme, shkaktuar nga politikat fiskale apo mungesa e infrastrukturës. Kavaja është vetëm 3 kilometër larg nga bregdeti perlë e prodhimtar në çdo drejtim ekonomik-turistik dhe gjithë kjo ekonomi turistike Kavajës, prej 27 vitesh nuk po gjeneron mirëqenie për banorët dhe buxhetin e shtetit. Turizmi është primitiv dhe bujqësia e Kavajës nuk është aspak në funksion të këtij koncepti. Po kështu, urbanistika është klienteliste dhe nuk gjeneron mirëqenie. Po të dalim në fshat, shikojmë mungesa të infrastrukturës së kanaleve vaditës e të rrugëve, problem që është bërë gangrenë, e cila shoqëron gjithë këto mangësi. Kavaja vazhdon të ketë mungesën e ujin e pijshëm dhe kjo është “plaga” që i duhet “shëruar” urgjent, gjë të cilën e kemi prioritet në programin tonë qeverisës të LSI, por edhe një sfidë që unë Maksim Kona, do ta bëjë realitet

Keni deklaruar se do të instaloni modelin qeverisës evropian të komunikimit komunitar edhe në Kavajë, si do ta realizoni?
Kush është i formuar dhe ka punuar në Evropë prej vitesh, ndoshta dikush mund të mendoje se nuk njohim realitetin shqiptar. Por pikërisht, kjo njohje e plotë e problematikave të Kavajës deri dhe në hallet e çdo familjeje është “arma” e betejës sime për të kërkuar votën e qeverisjes të cilën do ta realizoj me qytetarët dhe jo me zyrtarët. Sepse modeli që unë njoh mirë është “paketa” perëndimore, e cila jo vetëm është zgjidhja e duhur, por dhe domosdoshmëri emergjente për Kavajën tonë, si hapi i parë e veprimit me mendësi evropiane. Dëgjoj prej vitesh, se ne nuk dimë të bëjmë shtet apo se nuk dimë të qeverisim! Kjo është politikë peng-mbajtëse e mendësisë së shqiptarëve, si një çoroditje e qëllimtë për një popull të mrekullueshëm si yni dhe konkretisht si kavajasit të cilët e duan punën dhe zhvillimin, për të cilin sakrifikuan të parët në vitin 1990! 
A mendoni se nëpërmjet bashkëpunimit me popullin e Kavajës për të trajtuar çdo problem që ka lidhje me jetën e tyre, do të nxjerr jashtë loje pazaret politike e individuale grupeve partiake, në Këshillin Bashkiak? 
Mesazhi im është i qartë: Unë jam një profesionist që jap zgjidhje konkrete dhe këtë e kam provuar që nga mënyra e kandidimit tim si i pavarur. Unë jam kandidat i mbështetur nga LSI dhe ish-lideri i saj Ilir Meta, por mund të them, se jam dhe kam të drejtën të them se unë u përkas gjithë kavajasve të çdo bindjeje partiake, ndaj po më besojnë bashkë-qytetarët e mi në këtë sfidë që e ka emrin “MAKSIM KONA zhvillues i programit qeverisës të LSI për Kavajën”. Për mua ka rëndësi Kavaja dhe problemet e saj. Ka rëndësi ekonomia, papunësia, urbanistika infrastruktura dhe bujqësia e saj. Pas shumë keqpërdorimeve, moskuptimeve dhe mungesës së dëshirës së dy partive që kanë mbajtur peng Kavajën deri sot, ndje obligim të merrem me qeverisjen lokale si kryetar Bashkie i Kavajës, për të realizuar ato projekte që dy partitë PD-PS, kanë trumbetuar prej 27 vitesh por nuk i kanë bërë realitet, duke i përdorur si “karrem” për vota pushteti. Prandaj dhe Këshilli Bashkiak i Kavajës, mendoj se duhet të realizoj projektet që duhen Kavajës dhe jo demagogjinë që i shërben politikës. Për një gjë jam i bindur: ka ardhur koha që këshilltarët e Bashkisë së Kavajës t’i shërbejnë Kavajës dhe këtë do ta bëjmë bashkërisht majtas e djathtas, si kavajas e jo si militantë partiakë. 
Kavaja është zonë me biznese të shumta, që prej 25 vitesh kanë vuajtur prej problemesh të shumta, cila është platforma juaj për t’i integruar?
Së pari, dua të rris kredibilitetin e bashkisë për investitorin vendas dhe të huaj, që seriozisht do të investojë në Kavajë, i cili më në fund, duhet të krijojë bindjen e plotë dhe definitive, që bashkia jonë do të jetë partner serioz dhe garant i investimeve të tyre!

Se dyti, dua që Kavaja të shtojë potencialin ekonomik të saj, nëpërmjet gërshetimit të qytetit me dy burime kryesore ekonomike që ka: Turizmi dhe bujqësia. Aksi i ndërlidhjes së qytetit me bregdetin, do të krijojë mundësinë e plotë dhe eficiente, që në Kavajë të jetojnë banorë që punojnë, fitojnë dhe trajtohen me dinjitet. Gjithashtu, lidhja e Kavajës me Tiranën me një aks rrugor 25 kilometër do të funksionojë si një “lagje” e integruar e kryeqytetit, ku pjesë e vlerësuar do të jenë elitat dhe studentët e qytetit tonë. 
Cili ishte motivi që ju pranuat këtë alternativë?
Unë kam vite që punoj për Kavajën dhe kam besim, se qyteti e zona jonë kanë një potencial të madh, të cilin unë do ta zhvilloj dhe këtë gjë e garantoj.
Kemi konstatuar, që banorët e Kavajës ju vlerësojnë dhe dëshirojnë t’ju kenë si drejtues komunitar, por edhe si logo “LSI”, cilët janë treguesit tuaj, që ata do t’ju votojnë? 
Jam krenar që LSI më mbështet, mbasi edhe pse unë jam pjesë e shoqërisë civile, kemi një program të përbashkët në shërbim të komunitetit të Kavajës dhe kjo na jep besimin që do qeverisim këtë qytet e këta njerëz të mrekullueshëm dhe punëtorë! .
Ilir Meta, tashmë President i zgjedhur, ju ka vlerësuar si “potencial moral dhe administrues eficient punësh”…

Jam shume krenar për ç’ka thënë Presidenti i Republikës Ilir Meta. E konsideroj jo si kompliment për mua, por si një objektiv që duhet konkretizuar. Simbolika e zotit Meta është thirrje reale për përzgjedhje meritash e vlerash qeverisëse edhe prej potencialeve jashtë Shqipërisë…
Çfarë mendon familja juaj, për këtë sfidë? 
Po përmend atë që më ka thënë e vazhdon të më thotë bashkëshortja ime, Fatbardha: “Guxo edhe mes sakrificash, puno për familjen tende dhe për njerëzit, mos harro që Kavaja jonë ka nevojë për kontributin tonë dhe harmoninë për të punuar së bashku, ndaj dhe merre përsipër sfidën për të kandiduar…”! Edhe arritja e derisotme në punën time, ka nxitjen dhe mbështetjen e saj të plotë dhe të sinqertë! 
Cili është Maksim Kona, qeverisësi i ardhshëm i Bashkisë së Kavajës?
Jam djalë Kavaje, i rritur në një familje me banim 300-vjeçare në këtë zonë dhe do të mbetem brez pas brezi në Kavajë…
Maksim Kona, kandidat i LSI për Bashkinë e Kavajës
Sigal