Maksim Caslli, drejtues i Forumit: Objektivi ynë është zhvillimi ekonomik, LSI ka forcë ta realizojë

693
LSI lançoi Forumin Ekonomik “Hartimi i Dokumentit Strategjik për Zhvillimin e Ekonomisë”, merr pjesë dhe flet Ilir Meta
Të bindur në objektivin tonë, ne kemi filluar të kristalizojmë një plan sa ambicioz, aq dhe konkret për të bërë të mundur rritjen e përshpejtuar ekonomike, rritjen e eksporteve, që do te sjellin punësim të qëndrueshëm, të mirëpaguar dhe mirëqenie për shqiptarët
Lëvizja Socialiste për Integrim lançoi Forumin Ekonomik të drejtuar nga ekspertë të fushës e që do të përgatisë një dokument strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit. Të pranishëm në promovimin e kësaj nisme ishte Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, ekspertë të njohur të ekonomisë si edhe personalitete të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Zhvillimi ekonomik i vendit është një nga sfidat më të mëdha që ka vendi ynë për momentin. Duke qenë e vetëdijshëm për këtë fakt, LSI gjithmonë e orientuar kundrejt rritjes së mirëqenies së shqiptarëve mendon se ka ardhur koha që profesionistët më të mirë të vendit dhe nga jashtë tij, të japin kontributin e tyre për të zhvilluar një plan strategjik dhe të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik në vend. Për të udhëhequr këtë platformë u zgjodh z. Maksim Caslli. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta, mes të tjerash, theksoi: “Vendi ka shumë kapacitete intelektuale që mund të japin ekspertiza të shkëlqyera dhe se ekonomia është përcaktuese për t’u rikthyer besimin të gjithë atyre që shohin mundësinë sot jashtë kufijve të vendit, veçanërisht më të rinjve. Prandaj kjo strategji zhvillimi do të ketë në fokus pikërisht rininë, punësimin e saj të qëndrueshëm dhe cilësor. Edhe nga vlerësimet e deritashme dhe të forumit ekonomik, jam bindur se mund dhe duhet të kemi ritme shumë më të larta të rritjes ekonomike. Konkurrueshmëria e ekonomisë sonë duhet forcuar akoma më tej. Eksportet gjithashtu. Raporti eksportit me produktin e brendshëm bruto është nga më të ulëtit në rajon, me rreth 29%, ndërsa fqinjët tanë shkojnë edhe mbi 50%”. Objektiv madhor i zhvillimit tonë ekonomik do të jetë investimi në kapitalin njerëzor dhe veçanërisht brezat e rinj, duke u garantuar atyre punësim të qëndrueshëm dhe të mirëpaguar në disa kategori shërbimesh si IT, financë, shërbimi administrativ, telekomunikacion, etj”. 

Më pas foli edhe drejtuesi i Forumit Ekonomik, Maksim Caslli, i cili theksoi: “Duke analizuar Shqipërinë sot, më rezulton se mbas 26 vitesh zhvillimi ne kemi një ekonomi prej dhjetë miliardë euro, që rritet 2-3 përqind në vit. Të bindur në objektivin tonë, ne kemi filluar të kristalizojmë një plan sa ambicioz, aq dhe konkret për të bërë të mundur rritjen e përshpejtuar ekonomike, rritjen e eksporteve, që do te sjellin punësim të qëndrueshëm, të mirëpaguar dhe mirëqenie për shqiptarët. Nismës për përgatitjen e këtij plani i janë bashkuar profesionistë, vendas e të huaj, të cilët kanë krijuar këtë forum, që është i hapur për të gjithë. Qëllimi ynë është ndërtimi i një plani të zhvillimit ekonomik, që do të ketë si objektiv dyfishimin e të ardhurave të familjeve shqiptare duke rritur si punësimin ashtu edhe të ardhurat prej tij; ndërtimin e një ekonomie moderne me rritje të qëndrueshme, mbi 6 deri në 7 % në vit. Shqipëria dhe ekonomia e saj u takojnë të gjithëve dhe kërkon mbështetjen e të gjithë shqiptarëve. Ne jemi të hapur ndaj çdo ideje apo experience. Lëvizja Socialiste për Integrim ka treguar që është një forcë gjithëpërfshirëse dhe një forcë e cila e mban fjalën dhe di t’i bëjë realitet planet. Si e tillë, mbështetja e saj dhe veçanërisht e z. Meta për këtë forum është e çmuar dhe na bën optimist për arritjen e objektivave tona. Duke falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar deri më sot dhe ata që do të kontribuojnë në këtë forum i premtoj të gjithë shqiptarëve, se ky forum do të ndihmojë që jeta e tyre të jetë më e mirë”.
Sigal