Maks Hasani:Pas fitores, Berishën do e çojmë në Spaç, Topallin e Bregun në burgun e grave dhe Alibeajn fatorino treni

1578
Sigal

 Intervista/ Flet ish -deputeti komunist Maks Hasani: Kapitalizmi, një kancer për Shqipërinë. Unë po bashkoj të gjithë komunistët për të marrë pushtetin

Kur të marrim pushtetin, ne komunistët, Berishën do ta çojmë për riedukim, në qelinë e Spaçit, Jozefinën dhe Majlinda Bregun do i caktojmë në burgun  e grave, ndërsa Alibeajn, do ta punësojmë si fatorino, ashtu  siç bëmë dikur, me hoxhallarët dhe priftërinjtë që përhapnin, opium”.  Kështu u shpreh, dje në një intervistë për gazetën, “Telegraf”, komunisti, Maks Hasani, i cili tregon në detaje, planin e partisë së tij, nëse do të marrin pushtetin. “Kapitalizmi është kthyer në një kancer për Shqipërinë dhe po vdes, ne komunistët do ta shembim fare borgjezinë”, nënvizon Maks Hasani.

Z, Hasani,  A mendoni se lëvizja komuniste në Shqipëri ndodhet në prag të një fillimi të ri, apo në fundin e vet?

Lëvizja komuniste në Shqipëri është e lidhur me vetë, aktualitetin. Mos harroni kapitalizmi është kthyer në një kancer për Shqipërinë. Gjithashtu, mos harroni se kufoma e kapitalizmit është shtrirë në mes të rrugës dhe nuk lëviz që andej. Majakovski thoshte, se: “Rrugëzgjidhja e vetme për të shpëtuar prej kësaj monstre është revolucioni dhe lufta. Rrugë tjetër nuk ka, pasi ky sistem nga dita në ditë, po përhap mikrobin vdekjeprurës të papunësisë dhe krizën ekonomike për bukën e gojës.

Si e gjykoni faktin se brezi i ri, ka humbur  vullnetin për politikë, por edhe preferencën për t’u bashkuar me komunistët?

Është e vërtetë që brezi i ri, e ka humbur vullnetin për politikë, pasi ky brez është joshur nga të jetuarit në mënyrën dekadente, pra është brez që po vuan më shumë, se kushdo, plagët e këtij sistemi. Kjo ideologji e kapitalizmit është një opium dhe drogë, korrupsion, degjenerim , braktisje familjesh, vrasje, plaçkitje, etj.. Rinia, më shumë se kushdo tjetër, e ka vuajtur këtë lloj kapitalizmi barbar, që nuk ka mëshirë për jetën njerëzore. Rinia u përball me vështirësitë e jashtëzakonshme, si në Shqipëri, ashtu edhe në emigracion, duke kaluar rreziqe në dete, e nëpër male.

Ju personalisht, me çfarë po merreni gjatë kësaj periudhe?

Unë po merrem me bashkimin e të gjithë komunistëve në një parti të vetme, duke sfiduar kiftën që po bën reaksioni i brendshëm dhe ai i jashtëm, për të përçarë komunistët. Sepse armiqtë tanë të jashtëm i tremben vetëm komunistëve të këtij vendi dhe askujt tjetër.  Sepse këta armiq e dinë mirë, që vetëm neve, do t’ua vëmë “kufirin tek thana”. Ata, po e ndjejnë më parë se politikanët tanë, se pushteti në Shqipëri po shkon drejt partisë mëmë, e cila është Partia Komuniste. Sepse “partitë bija”, si p.sh, Partia Demokratike, apo Partia Socialiste, Partia Republikane, Socialdemokrate, etj., e mbaruan pa sukses misionin  e tyre historik, në këtë vend. Këto parti mbollën korrupsionin, anarkinë, pasigurinë dhe vrasjet nëpër rrugë, shkatërrimin e industrisë, mashtrimin ndaj shëndetësisë, etj., etj..

A mendoni se gjatë pluralizmit politik, Berati është zhvilluar me hapa viganë, apo ka shkuar drejt shkatërrimit?

Sa herë që shoh Beratin, më vjen për të qarë. Më besoni, më vjen keq, për bashkëqytetarët e mi, që po vuajnë çdo ditë e më shumë. Më vjen keq, për qytetin tonë, 2500- vjeçar, i cili në periudhën e socializmit, pësoi një zhvillim si gjithë qytetet e tjera, në Shqipëri. Kurse tani, ka pësuar regres  Më vjen keq, pasi Berati sot, i ngjan një shtëpie pa zot. Shumë banorë të këtij qyteti, kanë lënë banesat dhe qytetin e tyre muzeal, duke u larguar në emigracion. Dikur, në hyrje të qytetit shtrihej madhështor Kombinati Tekstilëve , i cili punësonte 12 mijë punëtorë e specialistë. Atëherë, askush nuk kishte parë, ose nuk kishte dëgjuar për ndonjë njeri të papunë. Sepse nuk kishte asnjë.  Por  makinat e Kombinatit përfunduan për skrap në Elbasan

Me pak fjalë, Berati ka ulje, apo ngritje të optimizmit shpirtëror?

Hë! Të flasësh këtu, për ngritje të optimizmit shpirtëror, duhet të jesh i çmendur. Këtu ka vetëm pesimizëm dhe vdekje të njerëzve në moshë të re. Këtu ka vetëm varfëri dhe vetëvrasje. Prandaj, ka ardhur momenti që komunistët të ndërhyjnë për të shpëtuar Beratin dhe Shqipërinë.

Cili është mendimi juaj për Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën?

Andej, nga krahina e Berishës, njerëzit vlerësohen si të besës, trima dhe besnikë të ideve kombëtare. Ndërsa, me Sali Berishën, ndodh ndryshe. Ai përveç të tjerave është edhe një njeri i paaftë. Dhe këto që po ju them këtu, janë shumë pak, por unë nuk mund të them më shumë, prapa kurrizit të tij. Ai e di shumë mirë, se çfarë i kam thënë dikur, në sy dhe ballë për ballë, kur ishim në Parlament. Ndërsa, Edi Rama përfaqëson cilësitë e një njeriu novator e krijues  Kurse Ilir Meta përbën një fatkeqësi për popullin e Skraparit. Por skraparllinjtë e thjeshtë janë njerëz të ndershëm e me besë.

Çfarë mendoni për Bamir Topin, Spahiun dhe Fatos Nanon?

Do të ishte mirë, që Bamir Topi të vinte pikën mbi “I”, në kohën e duhur. Megjithatë, më mirë vonë, se sa  kurrë.  Kreshnik Spahiu duket si një djalë energjik, por në gjuhën e popullit, do të shpreheshim për të, se, “është si kofini pas të vjelave”. Për Fatos Nanon, na i donte qejfi që, “pas t’i shkonte historia”, por për të, populli shprehet: “Na vajti dëm ky djalë”.

Nëse një ditë do të fitoni pushtetin ju, komunistët, si do të veproni ndaj politikanëve të sotëm?

 Mbaj mend, se këtë pyetje ma ka bërë dikur edhe i ndjeri, Sabri Godo.  Ai më tha: “Nëse fitoni pushtetin një ditë, si do të veproni me ne”?

 Po ju çfarë përgjigje i dhatë?

Unë kisha respekt për Godon, por i tregova planin tonë, në rast fitoreje të pushtetit. Dhe i thashë: “Nëse fitojmë, do t’ju çojmë të gjithë ju, fajtorëve nëpër kampe përqendrimi, duke ju detyruar që të ndërtoni ato që keni prishur. Berishën do e  çojmë në qelitë e Spaçit, për riedukim, ndërsa Jozefinën dhe Majlinda Bregun, do t’i dërgojmë në burgun e grave. Ndërsa, Enkelejd Alibeajn, do ta caktojmë si fatorino, ashtu  siç bëmë me hoxhallarët dhe priftërinjtë e dikurshëm, që përhapnin opium.

Këto janë masat më ekstreme që do merrni ndaj tyre?

Nuk ka nevojë për të tjera. Sepse ata brenda 24 orëve, do ribëhen të gjithë komunistë, siç kanë qenë dikur.