Majlinda Keta: Rilindja për shqiptarët do të fillojë kur të rrëzohet “kodi” elektoral i kryetarëve

515
Sigal

Intervistë/ Majlinda Keta: E majta, me dozat e së djathtës, nga rendja për pushtet me dorë të fortë e ka të vështirë të ketë epërsi në program e menaxhim

Zonja Majlinda Keta, lektore e Filozofisë së Integrimit në UT, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pasi ka skanuar klimën politike, si edhe kohëqeverisjen e së majtës, e përfundon intervistën me konstatimin:Këmbanat bien për Ramën dhe forumet e PS-së dhe LSI-së.”. Përtej  të vërtetave që shpreh hapur pa rezerva  për qeverisjen e së majtës, për të cilën zonja Keta i ka përkushtuar gjithçka, nuk e ke të vështirë që të kuptosh zhgënjimin e madh që pëson njeriu nga rezultatet e politikës, ku shpresonte se do të ndryshonte një realitet, për të cilën e mohuan 1 milionë vota në 23 qershor 2013. Dhe bindja e zonjës Keta, si lektore e filozofisë të integrimit është se “Ndryshimi për shqiptarët do të fillojë kur të rrëzohet Kodi Elektoral i Kryetarëve”, e për ta qartësuar këtë bindje pohon se  “jo të gjitha arnimet e ligjeve, që ndërmerr kjo qeveri janë…reformë!”

– Zonja Keta, përse politika jonë do (gjithmonë) arbitër faktorin ndërkombëtar që të ulen në të njëjtën tavolinë dialogu?

Teza se klasa politike shqiptare është ajo që pengon progresimin e shpejtë në përmbushje të standardeve për anëtarësim është e zhvilluar tash e ka herë, nga intelektualë e qytetarë të thjeshtë shqiptarë, po aq sa dhe nga të huajt të niveleve të larta të administratës së BE-së.  Nëse do të shtojmë se falangat e krimit të organizuar, apo pastrimi i parave të pista përsëri janë parë e deklaruar në lidhje me politikën, dalim vetë në logjikën pse pjesë të pozitës dhe opozitës, në 2 krahë pozicionimi, do të jenë të interesuar që Shqipëria mos të funksionojë asnjëherë si shtet i së drejtës, por si shtet, ku klanet pranojnë rrotacionet e tyre “luajalisht” dhe tavolina do kenë vetëm për probleme biznesi dhe monopolesh dhe jo për problemet publike dhe të mbarëvajtjes së punëve ndaj detyrimeve që na shtron anëtarësimi. E kësaj lloj opozite vetëm një arbitër ndërkombëtar ja del, sepse nuk ka si shpjegohet që askujt në politikën aktive sot nuk i dhimbset as morali i vet, kur nuk luajnë as gishtin, ndërsa ndërkombëtarët shtrojnë si detyrë shtëpie dhe premisë për dialog pozitë dhe opozitë “ Dekriminalizimin e parlamentit dhe politikës!” Nga ato që duhet të dekriminalizohen nuk mund të presësh dhunti për dialog e bashkëpunim, ato kriminalizojnë çdo dialog. Jemi shumë larg kësaj, por jemi brenda zgjidhjes pasi me votën tonë ne kemi pranuar listat e cilësive, ku besojnë kryetarët e partive. Ky është dështimi më fatal i Kodit Zgjedhor, të fundit të dalë nga “Tangoja e fundit” Berisha -Rama. Ndryshimi për shqiptarët do të fillojë kur të rrëzohet Kodi Elektoral i Kryetarëve. Ky për mua është edhe hapi i parë i “dekriminalizimit të jetës parlamentare”.

A kemi sot një qeverisje ndryshe? ( mund të përmendësh pozitivet, por edhe negativet)

– Unë e kam thënë dhe e përsëris, ne jemi në shansin e fundit për t’u bërë ose për t’u braktisur nga partnerë e aleatë të integrimit europian dhe euroatlantikë. Por jemi edhe në kushtet nga më të rëndat të ekonomisë së brendshme dhe krizës në përgjithësi. Parimisht, na duhet të jemi një popullsi që duhet të na i bëjnë të qarta fort pikat kritike që duhet të kalojmë bashkë me qeverisës e opozitë. Është koha kur momenti qeverisës reformator duhet të vijë në qartësinë më të madhe, si transparencë në ide dhe realizim po aq duhet të arrihet kompromis për çështjet jetike si ekonomia, gjyqësori, rendi, arsimi etj. Populli është i lodhur nga skemat e ripërsëritura të përjashtim bllokimit të proceseve qeverisëse në jetën politike, parlamentare dhe presidenciale në këtë vend. Çdokush, që ngre mure të tilla, i shërben destabilizimit të këtij vendi. Çdokush, që cenon funksionalitetin e institucionalizmit në emër pushtetesh politike dhe klanore, mbjell anarki në këtë vend, sikurse çdokush që pretendon se me të fillon historia e shqiptarëve është i destinuar të dështojë, por të verë edhe në rrezik fatet e këtij kombi drejt anëtarësimit. Ne duhet të pranojmë se në BE do të shkojmë me identitetin tonë dhe si të tillë duhet ta mësojmë përmendësh se identiteti nuk mund të segmentohet me kohë e dëshira nominale. Nuk i hyn askujt në punë një qeverisje e fortë e një populli të lodhur e stresuar që do humbë edhe besimin se bëhet ky vend. Qeverisësit e sotëm le të shuajnë nxitimin dhe fjalën e rëndë “burg”me verë, pasi gjendja katastrofike në energji, rend, arsim, shëndetësi, ekonomi erdhi edhe si pasojë e “korruptimit” të opozitës 8-vjeçare, e opozitës anemike të PS-së, ndaj nën syrin e përgjegjësisë për atë që nuk bënë, të paktën nuk duhet të bëjnë gabime në proces ndryshime. Shumë emërime i shoh si emërime klanore dhe jo si ofrim publik  i protagonistit profesional që mbështet programin politik të maxhorancës së majtë.

A ka qeveria e majtë prioritet politikën sociale, meqë ishte premtimi prioritar elektoral?

– Unë mendoj se rënkimi ende nga korrupsioni i sektorëve të tillë, si arsimi dhe shëndetësia, largimi i investitorëve nga jashtë për arsye të krizës globale, pasigurisë këtu nga cilësitë e jetës politike mes 2 grupimeve të mëdha apo mos sigurisë në banka nuk janë qasje që na mundësojnë të konceptojmë të majtë me punësim, arsim e shëndetësi bazuar në konkurrencë cilësie mes shtetërores dhe privates në shërbim të publikes. Aksionin e mirë të formalizimit të çdo marrëdhënie punësimi do ta prishte një Shqipëri pa rend e me mossiguri politikash ekonomike, sikurse edhe ndërhyrja e shpeshtë në Kode e Ligje rregullatore. Kjo e majtë pak nga dozat e djathta në përfaqësim parlamentar, pak nga rendja për pushtet me dorë të fortë prej së cilës do të nisë historia, pak nga cimbisjet brenda aleancës në cilësitë kritike të drejtuesve lokalë në disa sektorë jetikë të së majtës deri më tash po e ka të vështirë të qartësojë epërsitë në program e menaxhim.

–  A mund të pretendojë kjo maxhorancë se respekton institucionet e pavarura, derisa Gjykata Kushtetuese i rrëzon ligjet, me të cilat i ka cenuar këto?

– Këto janë pasojat e cilësive të  ligjbërësve nga listat e kryetarëve fuqiplotë për “shkatërrim” të veprimtarisë kushtetuese nga 2 partitë e mëdha. Kjo është një lojë kungulleshkash me pasoja fatale për  kushtetutshmërinë dhe parlamentarizmin shqiptar. Është një precedent i keq i raporteve dhe detyrimeve që kanë 3 pushtetet në shtetin e së drejtës. Këtu vetëm shtet i së drejtës nuk mund të nominohet ky lloj komponimi diletantesk dhe represiv. Këto janë simptoma të shtetit me puçe të bardha, nën vello ligjore. Më e keqja është kur maxhoranca e majtë, në mbrojtje nga fryma kritike, fillon krahason të keqen e saj me atë të pushtetit të Berishës në 8 vite! Për ato 8 vite folën votat e shqiptarëve në 23 qershor, por edhe për 2 vitet e tyre do flasin votat në 21 qershor 2015. Ky duhet të jetë referimi, a i mbajtëm premtimet e bëra në 23 qershor 2013 para elektoratit.

Sipas jush, përse zvarriten reformat e maxhorancës?

Unë them se jemi jo në zvarritje, por në kushtet e hapjes të shumë fronteve të punës nga e majta, detyrim ky i gjendjes së trashëguar. Nga ana tjetër, nuk jam pro përdorimit të fjalës “Reformë”, për çdo ndryshim e normalitet pune në vijimësi pasi shumë prej të ndryshmeve më duken ndryshime shahistike, herë në fitore dhe herë në humbje etike, disa janë ide të mira, por në mediokritet drejtuesish, të tjera janë iniciativa parciale, që si shërbejnë terapisë së përgjithshme. Ka një mbrojtje hiperaktive nga kryeministri, pikërisht të atyre sektorëve që janë më të ekspozuar publikisht, por druaj se nuk mjafton vetëm vullneti i shprehur i kryeministrit, që të bindë shqiptarët  për më të mirën që na duhet të bëjmë e të pranojmë për veten në këto momente, qoftë kjo edhe me dhimbje. Mbështes totalisht Ramën në idenë e madhe për të kaluar sistemin energjetik në të vërtetën e madhe ofrues shërbimi; konsumator me detyrimet 2 kahëshe. Është një shërbim strategjik për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit por atë praktikën e keqpërdorur të “burgut” nuk ja pëlqej. Pse? Kjo ra mbi individët ndërkohë që në 24 vite ne kemi konsumuar drejtues pushtetesh që nuk i paguanin shtetit dritat ……që në shumatore kanë lënë gropa të zeza pa fund. Të pretenduarit më tepër do të thotë asgjë në realizim të mundshëm.

Mos vallë e majta, sidomos PS-ja, po pret degët e elektoratit të saj më zbatimin e një politike të shtrëngimit të  pagimit të detyrimeve ndaj OSHEE, ose me marrjen e masave ekstreme edhe ndaj shtresave në nevojë, pa u dhënë më parë këtyre ndihmesë sociale?

– Elektorati i majtë është ai që ndjen më shumë dhe lufton më shumë për drejtësi dhe solidaritet. Në se këto ndryshime nuk do ideohen nga klane dhe nuk do bëhen selektive, por me proces transparent dhe matrica zbritëse graduale për dëmet që i janë shkaktuar ekonomisë kombëtare, sikurse dhe me mbështetje për shtresa të identifikuara në risk e emergjencë, ato do të kuptohen dhe mbështeten nga elektorati i majtë. E majta është më shërbyese për publikun se e djathta. Por një shqetësim e kam që ajo është shumë e ndjeshme, kur i prek moralin politik me arrogancë e mospërfillje.  Kësaj të fundit i frikem, pasi po ashtu ajo është edhe aktive dhe kolektive kundër arrogancës dhe mospërfilljes, lodhjes nga mediokriteti, klani dhe të folurat si e “ëma e Zeqos në majë të thanës”. E majta është në vetvete në një proces rikualifikimi pas së cilës, qershorit 2015,  parashikoj rikompozime. Kemi hyrë në vit elektoral, uroj që e majta të dalë nën skuadrën dhe frymën më të mirë qeverisëse. Këmbanat bien për Ramën dhe forumet e PS-së dhe LSI-së.

 – Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA