Majlinda Keta: Lëvizja “Blushi” duhet të avullojë “Rilindjen” dhe të shpëtojë socialistët në PS

536
Sa më shumë afron data e Kongresit të PS, kaq më tepër “këndojnë” papagallët e kryetarit të PS kundër lëvizjes “Blushi” në PS, pasi është e kuptueshme që Ben Blushi nuk përfaqëson më vetveten, në kritikat ndaj kryetarit të PS, ndaj kryeministrit, por është një lëvizje e socialistëve të vërtetë, që reagojnë ndaj atrofizimit që iu bë PS nga “Rilindasit: e MJAFT- it”. Majlinda Keta, një personaliet në PS, në intervistën për gazetën “Telegraf” duke hedhur poshtë sulmet e deputetit Bashkim Fino ndaj Ben Blushit, që e cilësoi “Kalin e Trojës”, shprehet se “ne socialistët, jashtë rreshtimit Rama, në ditët parakongresore do presim edhe diskurs të egër mbi Helenën… apo mbi zjarrvënësit e Trojës së Finos”. Ndërsa për metamorfozën e Taulant Ballës, nga socialisti para 2005, në rilindas të 2015, thotë se “PS ka humbur nga “vdekja” e të parit, ““Rilindja”” ka fituar nga i dyti”. Zonja Keta, nuk shpreson asgjë, se mund të sjellë ndryshim në PS as Kongresi i radhës, sepse “PS e ringjallën socialistët e pos 90-ës; E mbajtën dhe e fuqizuan ato të pos 1997-ës; E varrosën ato të pos 2008-ës! Ky është fat i keq për socialistët dhe demokracinë shqiptare bashkë”!
-Zonja Keta, deputeti i PS Bashkim Fino e cilësoi Ben Blushin “Kalin e Trojës” me që Blushi kritikon për shkelje të statutit të PS. Ju si e gjykoni: Kush është “Kali i Trojës në PS”, në ditët e sotme?
– Të kërkosh të zbatosh ‘Kushtetutën e Partisë’ është një veprim më se i normalshëm në jetën e një partie, bazuar në statut dhe funksionalitet forumesh. Në përmbajtje kjo nuk ka të bëjë fare më filozofinë e përbotshme mbi Kalin e Trojës, për më tepër me qasjen për ngjarjet e fundit në PS. Por, nuk më habit ky fakt, pasi Fino nuk mbahet mend ndonjëherë për diskurs politik të spikatur e jo më për lojë metaforash e simbolikash. Edhe nëse i pëlqen ta përdorë (në rastin e tij si shfaqje e sindromës së agjentëve të armikut brenda radhëve), Z. Fino ka harruar një premisë logjike mbi Trojën. Troja është një qytet ku prej mijëra vjetësh kanë jetuar shtatë kultura të ndryshme. Në analogji me të, le të krijojë truallin e këtyre kulturave, mes të cilave edhe ajo e zbatimit rigoroz të Statutit edhe për çështjen e mandatit të Kryetarit të Partisë, dhe më pas të diskutojmë kalin. Kuaj ka kudo, por vetëm ai i Trojës ka mbetur filozofik. Pa Trojë edhe kali kalon në të zakonshmen. Megjithatë, ne socialistët, jashtë rreshtimit Rama, në ditët parakongresore do presim edhe diskurs të egër mbi Helenën…apo mbi zjarrvënësit e Trojës së Finos.
– Taulant Balla, Ermonela Fela publikisht deklarojnë që Ben Blushi me kritikat që i adreson (keq)qeverisjes së Ramës flet me gjuhën e PD! A qëndrojnë akuzat e Blushit ndaj qeverisjes së Ramës?
– Cilësimi Balla-Felaj është një cilësim i kahershëm mbi të gjithë ato që guxojnë të shprehen mbi ‘Zeusin Kryetar’, që i nderoi këto personazhe në listën e deputetëve të kryetarit për “Rilindjen”. Të dytën nuk e njoh, se çfarë ka bërë për të dalë si profesionistja përfaqësuese e fushës në ekipin nën siglat e PS apo se çfarë bashkëngjiti nga vlerat e saj në vite, ndërsa besonte të majtën, probleme këto që minimizojnë efektin referent për të analizuar. Për të parin, z. Balla, sinqerisht më vjen keq. Kam njohur një Balla tjetër në 2002-2007. Ai ka “vdekur” dhe me sa duket ka rilindur ky që ju i referoheni. PS ka humbur nga “vdekja” e të parit, ““Rilindja”” ka fituar nga i dyti, unë nuk njoh më, një deputet si miku im i atëhershëm Balla, realist, djalë i veprimit, pëlqyes i sfidës me të intriguarit me manipulacionin dhe mbështetësi i shumë ideve dhe praktikave europiane në arsimin e Tiranës 2003-2005. Kjo duhet t’i ketë ndodhur edhe Blushit me Ballën dhe si e tillë, situata vlen të trajtohet si dallimi mes një rilindasi 2013 dhe Socialisti 1991. Një gjë dihet mirë publikisht tashmë, rilindasit janë shumë afër PD në program e ideologji partiake qeverisëse, ndërsa Socialistët kanë mbetur të pa përfaqësuar politikisht nga sigla e PS pos 2007.
– Mos vallë Blushi ka kaluar vijën e kuqe me kritikat e tij ndaj qeverisjes së Ramës?
– Blushi ka kohë që vlon, ndonëse ushtron edhe fikjen e vatrës së zjarrit për t’u ftohur me kryetarin, por jo deri në ngrirje. Uroj që ky të jetë vlimi drejt pikës kritike, prej së cilës do të avullojë ““Rilindja”” për të mbetur socialistja. Në një parti të hapur dhe demokratike nuk ka vija të kuqe. Unë trembem vetëm nga “vijat e kuqe” që gjoja vijëzojnë ‘KryetarëtZeusa’ për të tërhequr vëmendjen e kalimtarëve në parti, ndërsa kamionët pa doganë për shtetin, por me doganë për kryetarin “thyejnë” trarët. Blushi, nuk besoj të jetë përfaqësuesi i këtyre të fundit, këtë e di edhe kryetari edhe populli!
– Përse deputetë të PS sulmojnë dhe akuzojnë Blushin, pa argumentuar në asnjë rast, se kritikat e Blushit nuk kanë vërtetësi?
– Për të provuar publikisht se çfarë metamorfoze autoritariste ka pësuar “Rilindja”, sikurse për të provuar ekzistencën e “oligarkëve politikë’ që pjellin “oligarkët ekzekutive” edhe tek “Rilindja”, ashtu si nga PD e para 2013, ndërkohë që s’ju hyri gjemb në këmbë, ndonëse u rrëzuan nën premtime rilindase për vënie para drejtësisë. Oligarkia shqiptare nuk ka ngjyrë politike, ajo i do bijtë e vet. Partitë e privatizuara nga oligarkët i hanë bijtë e vet dhe pëlqejnë mostrat e idealit në vend të tyre.
– Çfarë vlere morale, politike për socialistët mund të ketë edhe zhvillimi i Kongresit të PS, kur, ndërkohë nuk do bëhet garë për zgjedhjen e kryetarit të PS, por rivalët partiakë shkëmbejnë akuza publike ndaj njëri-tjetrit?
– Ka një vlerë të vetme, atë të provës publikisht, se nëse kanë mbetur socialistë në partinë e përtej së majtës dhe të djathtës që përdor siglat e ndryshuara të PS, vulën e saj qysh prej 2007. Në të kundërt, PS i duhet përgatitur epitafi Konician që kam deklaruar në një shkrim timin më parë: “E ringjallën socialistët e pos 90-ës; E mbajtën dhe fuqizuan ato të pos 1997-ës; E varrosën ato të pos 2008-ës! Ky është fat i keq për socialistët dhe demokracinë shqiptare bashkë!
– Askush nga qeveria, as kryeministri nuk kanë pranuar asnjë mangësi, asnjë mosarritje objektivash, asnjë dështim në këtë qeverisje. A janë kryeministri dhe ministrat të ndërgjegjshëm, se qeverisin keq? A shikoni se në Kongresin e PS do të ketë analizë të qeverisjes?
– Ju po pyesni për Kongresin e fitoreve të reja? Ai do jetë plot kurim mediatik dhe në zgjedhje kongresmenësh. Nuk di, nëse do quhet zgjedhor apo elektoral. Këtë e vendos Kryetari. Një gjë e di mirë, që në qoftë elektoral do jetë vite e vite larg me Kongresin Elektoral të 2005-ës, që ndërsa përpiqeshin të gjithë për të motivuar socialistët që të bindnin shqiptarët që PS dhe qeverisja socialiste nuk është ajo që trumbetonte “Mjaft”-i dhe PD-ja e kancelarive të botës, Edi Rama shfrytëzoi një përshëndetje mbështetëse në potencë për të mbajtur një fjalim mbi 23 minuta ku foli me gjuhën e demotivimit për socialistët dhe inkurajimit për “Mjaft”-istët. Edi kësaj filozofie i ka mbetur koherent dhe me këto fitore shkon në Kongres për të deklaruar pas 11 vjetësh fjalën e mbajtur para “Mjaft”-it dhe ndërkombëtarëve, që ushqyen këtë filozofi politike për pluralizmin shqiptar. I lumtë! Është dhe do të jetë Kongres fitoresh. Qeveria? Ajo edhe mund të ndryshojë, pasi një artist luan me gjetjet dhe detajin. Këtu ai është ekselent. Socialistëve dhe shqiptarëve i mbetet detyra e të menduarit për veten se ndërkombëtarët janë të bindur që i shërbyen demokracisë shqiptare pa oligarkë. 
– Cili mund të jetë veprimi politik i Ben Blushit pas Kongresit të PS? A duhet të krijojë një forcë të re politike, që të përfaqësojë socialistët e vërtetë?
– Fraza ime e fundit në pyetjen e mësipërme është pikënisje që i takon një grupi shumë më të gjerë se Blushi. Ky proces për ndryshim situatash në pluralizmin shqiptar nuk mund të realizohet me mbledhje firmash njerëzish, që nuk janë dakordësuar një herë në një tryezë analizash dhe idesh, vetëvlerësimi dhe vlerësim për gjendjen, programin dhe ideologjinë e majtë. Për reklamë, promocion, gjetje dhe filma me figurantë Ramës nuk ja kalon njeri. Sfida është për njerëz me ideal e përvoja të shëndosha politike dhe qeverisëse pasi kthesa të tilla nuk mund t;i bëjnë ato që kanë konsumuar një herë ingranazhet e rrotës së fatit të ‘KryetarëveZeus’. Ato kanë shitur aksione, kanë blerë “prona” të paligjshme në Parlament e Qeveri dhe kanë notuar në luksin e jetës nga dividendë paresh dhe aksionesh të pista. Këto e vdesin idealin dhe programin e majtë. Antikorpi është tek shumë të tjerë që nuk konsuamuan rrotën e fatit nga Kryetari, atyre që ju pre karriera dhe mundësia për kontribim për të majtën nga makina e tmerrshme politike dhe financiare e ‘KryetaritZeus’ në lidhje dashurore sa me ylberistë, aq edhe PD-istë e reformatorë. Celularët mbajnë me dhjetëra urdhra e mesazhe të Zeusit ndaj gotave shumëpërdorimshme të pushtetit dhe politikës, medias dhe “shoqërisë civile”, për t’i prerë ujin çdo plangprishësi të rrugës së fitoreve të Kryetarit që ka të drejtë të festojë në këtë Kongres të radhës. Momenti kërkon shumë “plangprishës” me ideal e profesionalizëm aktiv dhe me zë publik së bashku me shumë idealistë baze të së majtës që për fatin e madh, këto të fundit janë të shumtë, në gjithë Shqipërinë. Pas kësaj, çdo gjë është e mundur!
Sigal