Majlinda Keta: Këtij parlamenti i ka vdekur legjitimiteti dhe morali politik

439
Majlinda Keta, lektore e Filozofisë, një nga aktivistet e së Majtës, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar gjendjes ekonomike që jetojnë shqiptarët, 2 vjet pas qeverisjes së Rilindjes, pohon se me këtë varfëri, ku mbi 35 % e shqiptarëve jetojnë në skamje të plotë, Shqipëria nuk mund të integrohet në BE. Zonja Keta thotë se është fatkeqësi e madhe, që Shqipërisë i rrjedh popullsia e re, e cila kërkon azil nëpër rrugët e botës, për bukën e gojës. Zonja Keta, si politologe e njohur, analizon edhe keqqeverisjen e Rilindjes, ku ndër faktorët e shumtë, Keta rendit: Reformat e ndërmarra, që fyejnë e cenojnë profesionistët dhe kërcënojnë me burg popullin, Kësaj mënyre sjelljeje të së majtës nuk i vjen as erë profesionalizëm, as antikorrupsion, as etikë qeverisëse dhe, për më tepër, as transparence apo komunikim për ndërgjegjësim publik e profesional. Një shkak tjetër mbetet niveli mediokër dhe fashionist i qeveritarëve. Kjo qeveri ka punësuar edhe element të inkriminuar, madje duke i bërë edhe deputetë. Ndaj zonja Keta, thotë se këtij parlamenti i ka vdekur legjitimiteti dhe morali politik. Dhe, së fundi, zonja Keta,i bën një apel të gjithëve, por më shumë popullit, shoqërisë civile, elektoratit. Shqipërisë i ka ardhur koha ta rishohë edhe një herë KUSHTETUTËN. Prej këtu duhet të fillojë çlirimi i shtetit nga demonët e politikës.

-Zonja Keta a mund të pretendojë kjo mazhorancë për hapje të negociatave me BE për anëtarësinë, kur 35 % e popullsisë është në mjerim ekstrem?
– Nëse do i mbetemi besnikë filozofisë së krijimit të BE, si një organizim ku bashkimi bazohet në respektimin e të ndryshmes mes anëtarëve, por me një mënyrë të menduari, vepruari dhe institucionalizmi mes tyre, që prodhon vetëm paqe për këtë organizim, them se një varfëri të këtij niveli, për cilido prej vendeve që aspiron anëtarësim, është vetëm armike kryesore e paqes për UNIONIN. Si e tillë, skamja na përjashton apriori nga morali dhe filozofia përbashkuese. Nuk mund të jetë në paqe një shoqëri, ku 1 në 3 anëtarë është në skamje, për më tepër nuk mund të prodhojë paqe për të gjithë ato që ndërvarësia mes qytetarëve brenda këtij organizimi i detyron bashkëpunimin. Askush nga hallkat e një zinxhiri të drejtash e përgjegjësish, bazuar në institucionalizëm, nuk do pranonte shtimin e një hallke të dobët, që ndikon edhe në lidhjet mes të tjerave. Me këtë nivel skamje, për më tepër që raporti thotë që kjo situatë, ky trend ka vazhduar edhe pas 2012-ës, Shqipëria nuk meriton të përfitojë këtë hapstatus të radhës. Shqipëria, politika zyrtare nuk duhet ta pranojë një cilësi të tillë përfitimi, pasi do thellonte hendekun më vendet anëtare dhe do penalizohej rëndë, jo shumë vonë, për ta bërë të pariparueshëm në shtrirjen kohore integrimin europian të vendit. 

– Skamja është pasojë e keqqeverisjes, por cilat, sipas jush, janë shkaqet e vërteta të keqqeverisjes së Majtë?
– Në pyetje ju e keni dhënë cilësimin tuaj. Unë mendoj se ka diferenca mes sektorëve qeverisës dhe për sa pohoj them që cenohet cilësimi juaj. Mua më pëlqen tendenca qeverisëse për formalizimin e shumë aktiviteteve të individëve dhe sektorëve në vend, por nuk kuptoj pse një e majtë qeverisëse e parapërgatit ndryshimin në hap të parë me fyerje e cenime të profesionistëve të fushës e më pas vijon me kërcënimin më “burg” në se publiku, populli nuk ndjek atë çka ideon politika për ndryshimin. Kështu shanë e fyen mësues e pedagogë, shkolla dhe universitete në mënyrë të përgjithshme, duke mbytur edhe pozitivin edhe pozitiven si frymë institucionesh, mbyllën ato që cenonin cilësinë e edukimit të emetuar prej tyre dhe tregun e dijes (mirë e bënë), por në fund, sot pjesa më e madhe e tyre janë rihapur, (pa u pohuar publikisht asnjëherë), ndërkohë që nga ato që firmosën mbi diploma false dhe krijuan tregun e zi të tyre i sheh të ulur në tryeza, ku qeveria merr mend si të implementojë Ligjin e Arsimit të Lartë. 

Po kështu, situatë në reformat që pretendojnë në drejtësi, ekonomi etj. Kësaj mënyre sjelljeje të së majtës nuk i vjen as erë profesionalizëm, as antikorrupsion, as etikë qeverisëse dhe, për më tepër, as transparence, apo komunikim për ndërgjegjësim publik e profesional. Ndërkohë, vërej se ka edhe pjesë të qeverisjes që shkon relativisht më mbarë dhe pa “zhurmë’ antietike dhe antiprofesionale. Do veçoja bujqësinë, legalizimet, ambiciet për arsimin dhe formimin Professional dhe etikën e fituar nga policët në shërbim. Një shkak tjetër mbetet niveli mediokër dhe fashionist i qeveritarëve, gjë të cilën e konstaton lehtë në mekanizmat me të cilat drejtojnë institucionet e tyre, po aq sa niveli kritik qe kanë në komunikimin publik. Qytetarët shqiptarë ishin lodhur nga qeveria Berisha që edhe detyrimet, veprimet në emër të detyrës dhe përgjegjësisë që i kishin njohur vetes e bënin dhe e shisnin nën kamera dhe gazetarë të pafund. 

Kjo lloj reklame neveriti shqiptarët, që po varfëroheshin çdo ditë e më shumë. Para zgjedhjeve të 2013-ës nuk kishim menduar se kjo sëmundje do rritej edhe me ardhjen e të majtës. Jemi bërë si popullate, që ushqehemi nga ajri vetëm me reklamë se në realitet jo çdo gjë është ushqim për jetesë e prosperitet. Më thoni çfarë vlere ka pasqyrimi në media, kur një ministër shkon të inspektojë a të bëjë një takim me institucione të varësisë?! Ky aktivitet është përgjegjësi e detyrës, ndërkohë që thithja e fondeve të huaja me projekte shqiptare, apo dypalëshe, mbështetja e donatorëve në shifra dhe kohë për elementë të reformave sektoriale do të ishin me interes të promovohej, pasi shkon direkt në favor të popullit, që ka një qeveri që trashëgoi një borxh kritik, me një shkallë të madhe të informalitetit në çdo sektor. 

Ndërsa shfaqen si ministra të kuruar në detaje të imta luksi askush nuk ka për t’i mbështetur apo vlerësuar, shqiptar apo donator i huaj qoftë. Së treti, do veçoja jehonën dhe ndikimin që ka në perceptimin publik si keqqeverisje të shumë dështimeve në emërime dhe përfshirje të elementëve me rekorde kriminale, apo me të shkuar profesionale antishtet ngjarje, të cilat kanë tronditur besimin tek cilësitë dhe ambiciet për mirëqeverisje. Kjo qeveri nuk është përfaqësuesja më e mirë e mundshme e së majtës, kjo është më kritikja në historinë e demokracisë shqiptare edhe me parti politike të majta. Duke rendur për të siguruar “të besuarit e kryetarëve” kanë humbur në mundësitë që kishte e majta për të sfiduar afatgjatë opozitën e djathtë, që vetëm opozitë institucionale nuk bën. Këtë të fundit e shohim të fshehur në bunkerët e ish drejtuesve, që thuheshin nga e majta opozitare se ishte e korruptuar, por që deri më sot askush nuk i ka prekur qimen e flokut, ndërkohë që në parlament ngrenë dorën më shumë pro se kundër asaj që ofron kritikisht edhe kjo mazhorancë. Ky është fatalitet më i madh se keqqeverisja, opozita po vdes totalisht shpresën e shqiptarëve se ky vend mund të qeveriset edhe me profesionistë, edhe me të mbështetur publikisht, edhe pa korrupsion, edhe pa terror publik edhe me institucione dhe ligje. 

– Edhe pse u miratua ligji për Nëpunësin Civil dhe Administratën Publike, përse ende emërimet në administratën publike bëhen me kritere partiake?
– Këto fakte tashmë të ndjera e përjetuara publikisht, të denoncuara publikisht dëshmojnë se problemi i trajtimit dhe vlerësimit të kapitalit human mbetet drama më e madhe e mosjetësimit maksimal të fuqive, që shqiptarët kanë për të bërë vetveten dhe për të prodhuar zhvillim të qëndrueshëm për gjeneratat e reja. Një komb, që pranon një qeverisje që përbuz dhe diskriminon profesionalizmin, kurajën civile, novatorët, institucionalizmin dhe konstitucionalizmin është i destinuar të mbështillet nga anarshia dhe moskonsiderimi prej të tjerëve, në një kohë ku ndërvarësia në emër të cilësive të mësipërme është detyrim edhe për të bashkëjetuar në paqe e prosperitet për sot dhe nesër me të tjerë në rajon, kontinent e botë. Cenimi dhe zhvlerësimi, që në vite po i bëjmë nëpunësit të shtetit është dëmi më i madh që po i bëjmë shtetmbajtjes dhe sigurisë tonë kombëtare. Rastet e fundit të denoncuara në media në disa ministri janë alarm për shqiptarët dhe qëndrueshmërinë e tyre si komb në siguri e dinjitet mes të tjerëve. I ftoj qeveritarët tanë të lexojnë diskurset e Nolit në Parlament, ndërsa diskutohej për ligjin e nëpunësit dhe të kuptojnë se jemi në ato parametra kritike, si 80-90 vite më parë. Fatkeqësi për një komb me një moshë të re, por që nga miopitë qeverisëse ende e quan normale që t’i rrjedhë popullata e re rrugëve të botës edhe për faktin se shërbimi civil as shërbim e as shpresë nuk mbjell për këtë vend dhe zhvillimin e qëndrueshëm që në fokus ka gjeneratat e reja. 

Mirëkuptoj vështirësitë financiare të kësaj qeverisje, por them që një gropë të madhe borxhi ndaj shqiptarëve hapet sa herë në shërbim civil e administratë, shërbime publike t’i pranonte të paaftin apo mediokrin, harbutin në vend të shërbëtorit publik me etikë e transparencë, halldupin institucional ndaj qytetarit kurajoz e profesionist, bashkësinë e nepotikëve përkundrejt atyre që e quajnë mision në emër të shtetit për të gjithë ushtrimin e përgjegjësive të tyre. Nëse do bëhej një diagramë e emërimeve, do shihnim që nepotizmi dhe militantizmi pro shefave politikë në parti ka zbritur fuqishëm edhe në politikën e punësimeve politike. Një gjë ja kam njohur dhe respektuar në Bashki Ramës, aftësia e tij për të ndërtuar administratë kurajozësh, profesionistësh, novatorësh, qytetarësh dhe shërbyesish publikë. Nuk di pse e “shiti “ këtë aftësi të vetën, ndërkohë që besimi i shqiptarëve tek ai ishte edhe për këtë standard! Bota në kushtet e krizës financiare dhe të burimeve natyrore po rend kah vite drejt qeverisjeve inteligjente, ndërton politika urbanizuese për qytete inteligjente dhe ndërton sisteme edukimi gjatë gjithë jetës për qytetarin inteligjent, ndërsa ne e blejmë dhe e shesim shtrenjtë “budallallëkun” qeverisës dhe qytetar! Absurditet i shqiptarit qeveritar i shekullit të 21, në mes të Europës!

– Sa besueshmëri mund të ketë që këta faktorë politikë që inkriminuan politikën, parlamentin si mjeti për të ardhur në pushtet dhe t’i sigurojnë vetvetes pushtetin absolut, të pretendojnë se do të bëjnë dekriminalizimin?
– Po ndodh një absurd i madh me pjesën e reformës në drejtësi që lidhet me dekriminalizimin. Së pari, vulgarizimi i saj në disa nene për teste droge, apo jo është fyerja më e madhe që mund t’i bëhet shqiptarit, që prêt drejtësi nga kjo e majtë. Ka rëndësi dhe rëndësi të madhe që gjithkush që i hyn rrugës së politikës dhe jetës publike të ketë, si p. sh. dëshmia e penalitetit edhe dëshmi sigurie që vendimmarrjet t’i kryejë në kushte të normalitetit të shëndetit mendor e fizik. Një individ që mirëqenien e tij mendore dhe fizike e varëson me substancë narkotike nuk është VETJA për veten e tij, jo më për t’i shërbyer fateve të popullit e kombit. Nga ana tjetër, rendja për të prodhuar një reformë në drejtësi me konsensus politik (kusht minimal ky në kushtet e një demokracie funksionale) në dukje është një standard i vlerësueshëm, por kjo klasë politike harron, apo bën sikur harron se këtij parlamenti i ka vdekur legjitimiteti dhe morali politik me trafikimet drejt tij të përfaqësuesve politikë me rekorde kriminale, po aq sa “shfaqjet” e prodhuara në të kanë turpëruar çdo shqiptar votues. 

Kam kohë që e them dhe e ripohoj, ky parlament duhet shpërndarë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje, kjo pasi është tronditur rëndë morali i besimit tek maxhoranca qeverisëse dhe po aq ka vdekur morali tek përfaqësuesit e kësaj opozite. Rama vetë duhet të jetë iniciatori i një rivlerësimi politik të përfaqësuesve parlamentarë të partisë që drejton në raport me programin qeverisës pro integrimit europian të vendit. Rama do të fitonte pikë dhe kredo politike si lider i së majtës në se do kontribuonte që reforma në drejtësi të mos kalonte nga ky parlament me rekorde kriminale dhe korrupsioniste. Ndryshimin ta fillonte me rivlerësimin e atij Kodi Zgjedhor, që tradhtoi përmes “ligjit” moralin e demokracisë së shqiptarëve. Në këtë pikë jam shumë kritike edhe me përfaqësuesit e ambasadave të huaja, apo programeve të drejtësisë të mbështetura nga demokracitë dhe taksapaguesit demokratikë perëndimorë, që bëhen pjesë e këtij procesi të kriminalizuar në thelb. “I kriminalizuari” nuk mund të dekriminalizojë shtetin e së drejtës e për më tepër ta prodhojë atë, “krimineli “ nuk mund të prodhojë drejtësi sociale. Le t’i lenë akuzat për gjyqtarë e prokurorë por t’i mundësojnë pushtetit profesional të tyre pavarësinë, mosndikimin dhe interferimin politik. Politika është askush, ndërsa të voton si Silvia Konti në luftën me krimin e organizuar, edhe të hedh në rrugë të madhe, pasi del me konsensus pas “orgjisë së radhës” për karrige titullarësh e për më tepër të hapur dhe pa mbrojtje shtetërore në vendtakime me ato që dënove në emër të ligjit dhe shtetbërjes. Kjo nuk është politikë për drejtësi dhe rend, kjo është orgji politike për padrejtësi dhe xhungël shoqërore. 

– Përse heshtin sot intelektualët? Përse nuk ka reagim intelektual ndaj këtyre shqetësimeve?
– Sepse kjo që kemi ndërtuar në 25 vite ende mund të quhet shoqëri komuniste me prirje drejt demokracisë. Dita që kalon po e bën politikën, Zeusin e çdo vendimmarrjeje dhe rrugëzgjidhjeje. Ne vijojmë me shtetpartinë në maxhorancë të aktiviteteve tona në këtë shtet. Edhe kur individë tentojnë dhe mundësojnë institucione brenda këtij shteti me pushtete të ndara dhe në integritet institucional, ngrihet kuç e kartonave në parlament dhe i përlajnë dhe mundësisht ndërtohen skenarë edhe posshkarkimit që të t’i mbyllen të gjitha rrugët për të kontribuar për këtë shtet. Shqipërisë i ka ardhur koha ta rishohë edhe një herë KUSHTETUTËN. Prej këtu duhet të fillojë çlirimi i shtetit nga demonët e politikës. Në demokraci nuk ka vetëm politikë dhe politikanë, ka edhe qytetarë, edhe institucionalizëm, ka edhe pushtete të pavarura, ka të drejta dhe përgjegjësi, ka emërime dhe llogaridhënie, ka votë ka edhe revoltë qytetare. Demonët e politikës, që vrasin shpresën e një populli për të ardhme në këtë vend nuk e kanë për gjë të vrasin intelektualin. Me keqardhje vlerësoj se intelektualët po shuhen në zë e veprim edhe gjatë kësaj qeverisjeje të majtë…..kam dëgjuar dhe ndjerë trembje mes tyre, kam parë e dëgjuar “presione” nga më inteligjente. 

Të gjitha këto fliten mes nesh, edhe mes atyre që i njohim si intelektualë, duke harruar të gjithë që HESHTANAKËT si kanë vrarë moralin, programet dhe ligjshmërinë në demokracinë e brendshme të partive politike shqiptare, kanë plagosur dhe po tentojnë ta vrasin edhe mendimin intelektual. Shumë fenomene ngjajnë me zhvillimet dhe ngjarjet e viteve 30-të të shekullit të kaluar në këtë vend……kthim mbrapa, pa dinjitet ndaj progresit. Për fatin e keq po aq sa shesim votën në të njëjtën monedhë na e kthen demonpolitika progresin tonë, na shet dhe na blen para së ardhmes së gjeneratave të reja, që ende rrugëzgjidhje shohin emigracionin dhe Green Cardin amerikan!
-Faleminderit!
Sigal