Majlind Lazimi: Çuditë shqiptare zgjatkan edhe më shumë se 3 ditë…

436
“Sapo lexova një prononcim të Ministres Ekonomi në lidhje me lirimin tim të paligjshëm, për të cilin do ta ndjek deri në fund rrugën ligjore për të vënë drejtësinë në vend, për të mbrojtur integritetin tim moral dhe profesional. Nuk surprizohem që Znj. Ekonomi nuk po gjen arsye dhe argumente ligjore për aktin e lirimit tim nga detyra, por çuditem akoma më shumë kur çdo ditë në media aludohet për pretekste aspak logjike. Pasi gazetarët të premten më konfirmuan që lajmin e lirimit tim nga detyra e kishin marrë me e-mail nga selia e PD-së gjoja me argumentin se isha i përfshirë në fushatë elektorale dhe gjoja sikur kisha ushtruar presion ndaj punonjësve të Postës Shqiptare – një përrallë që nuk e beson as postieri më i ri në cepin më të largët të Shqipërisë, (se çfarë lidhje ka selia e PD-së me një urdhër të Ministres Ekonomi, ua lë ju ta gjykoni). Sot lexova sërish përmes mediave që Ministrja po rreket të gjej një arsye “fringo të re” që ka harruar ta thotë të premten apo ta shkruante në urdhrin e lirimit…dhe arsyeja pak a shumë qenka se ka “indicie që Shoqëria nuk është menaxhuar siç duhet”… E kam shumë të lehtë ta dëmontoj edhe këtë alibi të “thatë” në lidhje me menaxhimin nga ana ime e Shoqërisë Posta Shqiptare…

1. Kam qenë nominuar për 2 vite radhazi nga Ministria e “Ekonomisë” si një nga 2 kandidatët kryesorë për çmimin ” Bleta e Artë” – Menaxheri i vitit për 2014 & 2015 që për hir të së vërtetës e dija paraprakisht fituesin dhe nuk më ka hidhëruar fakti, që nuk e kam fituar sepse e kam kompensuar me çmime ndërkombëtare.
2. Treguesit financiarë të Postës Shqiptare gjatë 2014, 2015, 2016 janë më pozitivë sesa parashikimi. Për 2013, Posta Shqiptare rezultonte me humbje, ndërsa nga viti 2014 e tutje u rikthye në një Shoqëri me fitim. Këto janë shifra publike dhe të certifikuara zyrtarisht.
3. Gjatë këtyre 3 viteve janë shënuar shumë marrëveshje të reja për shërbime postare, financiare dhe bankare që janë bërë mediatike dhe publike dhe që kanë rritur të ardhurat e Kompanisë…
4. Ndërkohë jam i sigurt që Ministrja nuk ka pasur mundësinë që të hyjë në dhjetëra zyra të rikonstruktuara në këto 3 vite, duke rritur ndjeshëm cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve, vetëm me buxhetin e Shoqërisë dhe jo atij të shtetit. 

Unë jam i vetëdijshëm që asnjëherë në këto 3 vite nuk kam pasur mbështetjen e Qeverisë as kur një Ministër donte të hiqte të drejtën e marrjes së pensioneve në Postë dhe transferimin pa vullnetin e tyre në Bankë…dhe në parim nuk kam asgjë kundër liberalizimit të këtij shërbimi ndaj bankave, por me infrastrukturën aktuale kjo është e pamundur, kur mbi 150 mijë pensionistë e marrin këtë shërbim në shtëpi dhe rreth 500 mijë të tjerë në qindra zyra tonat në çdo cep të vendit, madje edhe në fshatra ku nuk ka asnjë zyrë shtetërore – jo më degë bankare, por vetëm një zyrë postare. Edhe kur për qindra mijëra konsumatorë të blerjeve online u ul përjashtimi për taksën doganore, nga rreth 200 dollar në 22 euro, reagova ashpër jo vetëm në interesin më të mirë në një Shoqërie Publike Tregtare si Posta Shqiptare, sepse dëmtoheshin të ardhurat e Kompanisë, por reagova edhe për mijëra konsumatorë shqiptare që sot paguajnë shumë më tepër për blerjet e tyre online taksa doganore… dhe ky akt gjithashtu ishte inskenim i interesave klienteliste të pushtetit. Kaq për sot miq se mos ju lodh, ndërsa CV-ja ime është publike dhe nuk dua të shpreh mungesë modestie”.
Sigal