Majko opozitës: Zgjedhjet, pozitive. Po të kishte probleme do e kishit hedhur në erë Kuvendin

509
Deputeti i PS-së, Pandeli Majko shfrytëzoi disa minuta nga fjala e tij në Parlament për të folur për zgjedhjet e 21 qershorit. Majko i vlerësoi këto zgjedhje si mjaft të mira dhe të zhvilluara në një atmosferë miqësore. 
Ai gjithashtu tregoi se në përfundim të procesit të numërimit të votave në Njësinë nr. 5 në Tiranë, komisionerët e PS, PD dhe LSI bënë një fotografi së bashku.
“Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë mjaft të mirë. Ju kujtoj se kur mbaroi procesi i numërimit në Njësinë nr. 5 në Tiranë, të gjithë së bashku, edhe me komisionerët e PD-së bëmë një fotografi të përbashkët. Megjithatë unë them se ka patur disa probleme”, tha Majko.
Ai, gjithashtu mbrojti edhe kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinin, duke thënë se nuk pajtohej me epitetin Korleone ndaj tij.
“Unë nuk e besoj se kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, miku im Sejdini, të jetë Korleone. Korleone mund të jetë dikush tjetër këtu, por jo ai”, tha Majko.
Ai iu drejtua opozitës më pas duke i thënë se po të ishin të vërteta të gjitha pretendimet e saj për blerje votash dhe shantazhe, atëherë ata do ta kishin hedhur në erë sot Kuvendin.
“Nëse do të ishin të gjitha të vërteta pretendimet tuaja, atëherë ju sot do ta kishit hedhur në erë Kuvendin. Kjo ka të bëjë me një reflektim për rezultatin. Unë mendoj se katër vjet kalojnë shpejt. Me pak durim gjerat do të ecin mirë”, tha Majko.
Ai vlerësoi edhe kandidatin e djathtë për Bashkinë e Tiranës, Halim Kosovën, duke thënë se ai tregoi qytetari pas procesit të numërimit, duke njohur rezultatin dhe uruar fituesin.
Sigal