Lutaj: Berisha i ka urryer gjithmonë ushtarakët

528
Sigal

Qeveria në ikje heq kompensimet për ushtarakët

Qeveria në largim ka vendosur që të heqë kompensimin për banesa dhe ushqim për ushtarakët. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura nuk do kompensohen më, financiarisht, për trajtimin ushqimor që u garanton statusi i ushtarakut. Në kërkim të çdo shkurtimi të mundshëm shpenzimesh, qeveria ka vendosur pardje, që ushtarakët e Forcave të Armatosura të trajtohen me ushqim të gatuar sipas normës së repartit, vetëm në rastet kur thirren në repart për nevoja shërbimi (gatishmërie, stërvitjeje, fushime). Përmes disa ndryshimeve në ligjin “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, qeveria ka urdhëruar që në asnjë rast, kuota ushqimore e ushtarakëve të konvertohet në kompensim ushqimor. “Në asnjë rast, trajtimi me ushqim nuk konvertohet në kompensim financiar për ushqim”, përcakton vendimi i djeshëm i qeverisë, i propozuar nga Ministria e Financave.

Pardje qeveria ka shfuqizuar disa nene në vendimin e vitit 2004, që rregullon “masën dhe mënyrën e kompensimit të qirasë së banesës dhe të ushqimit të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”. Vendimi i djeshëm shfuqizon nenin sipas të cilit “Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura (oficer, nënoficer dhe ushtar profesionist), i emëruar jashtë vendbanimit, i cili nuk e ka ndryshuar vendbanimin familjar, pasi nuk ka pasur mundësi strehimi dhe nuk përfiton kompensim për qira banese, gëzon të drejtën e trajtimit me ushqim ose të kompensimit në vlerë për ushqim, vetëm për vaktin e drekës, sipas normës nr.4, përfshirë shpenzimet e gatimit, të përcaktuar në vendimin nr.160, datë 9.7.1995 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të trajtimit me ushqim të efektivave, për ditët efektive të punës”. Janë shfuqizuar gjithashtu edhe dy nene të tjerë. I pari përcaktonte se ushtarakët e tjerë të shërbimit aktiv gëzojnë të drejtën e trajtimit me ushqim ose të kompensimit në vlerë për ushqim, vetëm për vaktin e drekës, sipas normës nr.4, përfshirë shpenzimet e gatimit. Ndërsa tjetri përcaktonte se kur ushtaraku thirret në repart për nevoja shërbimi (gatishmëri, stërvitje, fushime) trajtohet me ushqim të gatuar sipas normës së repartit dhe nuk përfiton kompensim në vlerë.

Lutaj: Berisha,urrejtje për ushtarakët

Kjo ka sjellë reagimin e deputetit socialist, Piro Lutaj, që thotë se, Berisha dhe gjeneralët e tij politikë i kanë urryer gjithmonë ushtarakët. “Pas reagimeve të para disa ditëve për mosdhënie të kompensimeve për banesa dhe ushqim për një periudhë mbi 6 muaj për efektivat e FA, dje qeveria në ikje paska vendosur të ndryshojë një vendim të vitit 2004 dhe të heqë përfundimisht këtë kompensim për ushtarakët. Lidhur me këtë dua të them se lidershipi që drejton sot Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm është më i keqi që ka drejtuar ndonjëherë! Më i keqi, jo vetëm për nga aftësia dhe përkushtimi, por më i keqi për nga ligësia dhe cinizmi me të cilat kanë trajtuar ushtarakët e FA. Ky lidership i ka lënë ushtarakët: Pa dinjitet, duke emëruar në funksion të gjeneralit punonjës civilë pa asnjë kontribut në FA! Pa personalitet, duke graduar, emëruar, transferuar e liruar nga detyra ushtarakët, në kundërshtim të hapur me ligjin, madje edhe me Kushtetutën dhe askush nuk reagon! Pa prona, duke i dorovitur gjithë atë pasuri kombëtare nëpër krushqitë dhe klientët e qeverisë! Pa trajtim, pa pajisje, pa uniforma të denja për një ushtri të një vendi anëtar të NATO-s dhe gjithkush hesht! Është alarmante situata në Ministrinë e Mbrojtjes teksa shikon nëpër korridore punonjës civilë që sillen si gjeneralë dhe gjeneralë të graduar vetëm për shkak të besnikërive politike e personale ndaj MM dhe SHPP, të sillen si ushtarë! Vendimi i djeshëm i qeverise në ikje, për ndërprerjen e kompensimit për banesa dhe ushqim të ushtarakëve, është pjesë e keqtrajtimit dhe e urrejtjes që kanë pasur e kanë, në radhë të parë vetë Sali Berisha, por edhe gjeneralët e tij politikë, për ushtrinë dhe ushtarakët!”, shkruan Lutaj në rrjetin social, FB.