Lulzim Basha: Zgjedhjet në PD janë ribashkim kontributesh për sfidat nesër

494
Sigal

Kryetari i PD-së Lulzim Basha hap fushatën për zgjedhjet në strukturat e  partisë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka zgjedhur një ditë më shumë se speciale për të startuar projektin e tij të ri politik, duke shpallur Ditën e Rinisë garën për ristrukturimin e partisë që shënoi rrëzimin e komunizmit. “Sot shpallim një kuvendim të madh, të lirë dhe të përgjegjshëm të gjithë anëtarësisë të PD për rrugën që kemi bërë deri më këtu, për një fillim të ri, ringritjen dhe fuqizimin e saj. Të mësohemi të dëgjojmë anëtarësinë, të mësojmë të dëgjojmë qytetarët, publikun si premisë për të parë drejt dhe larg. Fuqia jonë matet me atë që na jep elektorati ynë”, tha kreu i PD. Duke e cilësuar këtë garë një hap drejt ringritjes dhe fuqizimit të PD, Basha akuzoi qeverinë Rama për mosmbajtje të premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale. Ndërkaq ai ka kërkuar fushate dinjitoze për t’i dhënë vendit demokracinë që meriton. PD do të reformojë të gjithë strukturën drejtuese bazuar edhe në analizën e 23 Qershorit, ku pas seksioneve dhe degëve në rrethe do të ketë edhe garën finale për kupolën drejtuese, këshillin kombëtar e më pas kryesinë e partisë Lulzim Basha, ndër të tjera, tha: “Sot, në ditën e shënuar të Rinisë dhe Lirisë, PD shpall çeljen e fushatës për zgjedhjet e reja në Parti, shpall një hapje të re të fuqishme ndaj brezit të ri të Shqipërisë, ndaj intelektualëve, ndaj njerëzve të lirë pa dallim, burra dhe gra, në qytet dhe në fshat, që ndajnë me ne vizionin politik të Lirisë dhe Zhvillimit, që duan të kontribuojnë si anëtarë të PD-së për fuqizimin dhe modernizimin e saj si dhe ribashkimin e të gjithë kontributeve historike në PD. Sot shpallim një kuvendim të madh, të lirë e të përgjegjshëm, të gjithë anëtarësisë së PD-së për rrugën që kemi bërë deri këtu, për sfidat e reja që do të marrim përsipër, për një fillim të ri të kësaj partie, për ringritjen dhe fuqizimin e saj si alternativë fitimtare e të djathtës. Sot shpallim një garë të re, të lirë e të ndershme, të pastër, të drejtë e demokratike në çdo element të saj, garën që do të afirmojë seriozitetin e një partie me histori të madhe dhe ambicie të mëdha siç është Partia jonë; garën që do të nxjerrë në drejtimin e partisë që nga seksioni më i largët e më i vogël e deri në kryesinë e partisë njerëzit më të mirë e më të aftë, demokratët më të respektuar nga anëtarësia, pse jo dhe nga publiku i gjerë i fshatit, lagjes, qytetit, ata që bashkë me mua si kryetar i zgjedhur me parimin “një anëtar një votë” do të udhëheqim partinë në synimet e saj për të fituar zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjet politike me pas. Për të gjithë ne është e qartë se fushata që çelim sot është vendimtare për këto synime. Fushata në fjalë përkon këtë herë me daljen në opozitë të partisë tonë pas tetë vjetësh në qeveri. Ky është një moment i ri për anëtarësinë e PD-së, për forumet e saj. Është hera e parë që dalim në opozitë me zgjedhje të lira të organizuara nga qeveria jonë. Kjo duhet kuptuar drejt dhe thellë, nga drejtuesit e partisë e deri te anëtari më i thjeshtë.

Për ne demokratët verdikti i zgjedhësve është ligj. Ne e pranojmë dhe e çmojmë si një thirrje për t’u ballafaquar me një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe realizmi me rrugën tonë, me punën tonë, me veten tonë, për të reflektuar, për t’u korrigjuar, për t’u ringritur. Ky është e duhet të jetë leximi objektiv, autokritik dhe krijues i rezultatit të 23 qershorit.
Jemi të vetëdijshëm dhe nuk do të reshtim se pohuari se me qeverisjen tonë tetëvjeçare nën drejtimin e kryetarit tonë historik Sali Berisha, Shqipëria ndryshoi faqe, ndryshoi për mirë si në asnjë periudhë tjetër të historisë së saj. Kemi pohuar efektet e konsumimit objektiv të qeverisë gjatë tetë viteve në pushtet; kemi pohuar efektet e krizës globale që pati ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në rënien e rritjes së ekonomisë shqiptare nga 6-7 për qind në mandatin e parë, në 2 -4 për qind në mandatin e dytë, por që prapëseprapë ruajti performancën më të mirë në rajon, nuk ra në recesion, arritje që është pa diskutim pjesë e trashëgimisë pozitive që u lamë socialistëve në kushtet e krizës. Diskutimet dhe debatet në këtë fushatë të zgjedhjeve në parti do të fokusohen me përparësi në identifikimin e këtyre shkaqeve në funksion të një analize serioze, shteruese dhe frymëzuese, që do të jetë hapi i parë i fillimit tonë të ri me energji të reja, me forca të reja, me synime të reja. Ky diskutim i lirë dhe i hapur do të përfshijë pa përjashtim të gjithë anëtarët e partisë demokratike, seksionet, grupseksionet, konferencat dhe forumet e partisë. Fushata do të jetë kuvendi i madh i anëtarësisë së PD-së, do të jetë ekskluzivisht kuvendi juaj, të dashur anëtarë të PD-së. Unë ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë aktive në fushatën e zgjedhjeve të reja në Partinë Demokratike dhe ta shndërroni këtë fushatë në një nisje të re të fuqishme drejt objektivave të reja, në një manifestim të madh të përgjegjësisë që ka karakterizuar e karakterizon demokratet e Shqipërisë, në një shkollë dhe festë të demokracisë në PD dhe në vend. Unë besoj fort se analiza më e drejtë dhe më e plotë për vitet që lamë pas dhe vizioni i ri për fillimin e ri mund të nisë dhe të marrë jetë nga anëtarësia. Kjo pikëpamje është sot direktiva ime për fushatën e zgjedhjeve në parti. Të dëgjojmë anëtarësinë. Të mësojmë të dëgjojmë anëtarësinë. Të mësojmë të dëgjojmë qytetarët, publikun, si një premisë apo kusht për të parë drejt dhe larg. E vetmja kornizë në këtë kuvend të madh të anëtarësisë mendoj se duhet të jetë korniza etike. Do të thotë se duke qenë të lira e të hapura, mbledhjet nuk duhet të bien në vogëlsira apo të shfrytëzohen për të nxjerrë hatërmbetje personale. Asgjë pa u thënë, por asgjë që nuk vlen-kjo është korniza etike. Motivi ynë është ai i reflektimit, i shikimit përpara, i ndërtimit dhe interpretimit të një opozitë të forte e moderne, që mbështetet në fakte, argumente dhe arsye, i një opozite krijuese dhe frymëzuese, siç kemi nisur ta bëjmë këto tre muaj; një opozitë pararendëse e rikthimit të PD-së shumicë.