Lulzim Basha/ Vendorët miratojnë rezolutën për reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale

37

Territorialja, Lulzim Basha: Të gjejmë ‘Pegasusin’ e duhur, të ulemi për konsensus

Përfaqësues të së djathtës në 385 njësitë e qeverisjes vendore dhe këshillave të qarqeve u mblodhën dje në Tiranë, dhe miratuan një rezolutë të përbashkët lidhur me reformën decentralizuese, administrative dhe territoriale. Në konferencën që u mbajt në Pallatin e Kongreseve, organizuar nga shoqatat e të zgjedhurve vendorë, morën pjesë edhe ligjvënës, organizata komunitare dhe të shoqërisë civile, sipërmarrës, ekspertë vendas dhe nga institucionet ndërkombëtare. Kreu i opozitës, njëherësh Kryebashkiak i Tiranës deklaroi gjatë konferencës në Pallatin e Kongreseve për Reformën Territoriale, se synimi i të zgjedhurve vendore janë qytetarët dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së tyre. Basha i bëri thirrje maxhorancës të japë konsensus mbi këtë reformë me rëndësi për shqiptarët. Sipas Kryebashkiakut, e djathta nuk ka qenë kurrë kundër reformës për decentralizim, por nuk iu ofrua urë bashkëpunimi. “Ne nuk kemi qenë kundër reformës për decentralizim. Por duke mos gjetur gjuhën e mosbashkëpunimit nuk mund të vazhdonim. Opozita e ka zgjatur dorën e ka mbajtur të shtrirë për konsensus dhe nuk e kemi marrë këtë përgjigje”.

“Ndaj çështja e dytë para së cilës dua të ngre sot, bazuar për gjithë çfarë u tha, bazuar mbi parimet më të mira evropiane dhe kombëtare të pandërprerë në këto 23 vite demokraci, i bëj thirrje maxhorancës të reflektojë dhe të japë konsensusin. Konsensusi është llogaridhënia, që së bashkë si shumicë e opozitë do zgjidhim më shpejt pushimet se duhet të ofrojmë më shpejt, vizione për Shqipërinë e 2014 për të bërë përpara dhe për t’iu përgjigjur pritshmërisë dinamike”. Sipas Bashës kjo duhet bërë me transparencë të plotë dhe jo me montime televizive dhe mbledhje partiake. Basha më tej bëri thirrje për tu ulur së bashku me maxhorancën dhe qeverinë me qëllim që qytetarët të përfitojnë sa më shumë shërbime, të cilat siç tha ai nuk mund të jepen pa u bërë procesi i decentralizimit.

Ai tha më tej se, “Në emër të 3 shoqatave të pushtetit vendor, në emër të opozitës dhe qytetarëve ofroj bashkëpunim me shumicën dhe qeverinë me të gjithë ata faktorë që besojnë se kësaj rruge i shkohet deri në fund duke zgjedhur thelbin, pastaj formën. Pushteti vendor nuk duhet të jetë më furça e bojës për fasadat e shkollave dhe qendrave shëndetësore. Ne jemi gati të ulemi, të gjejmë kalin e duhur, “Pegasus”-in e duhur, për të bërë këtë krahasim, të mos merremi me patkonj, ta gjejmë gjuhën e përbashkët s’ka nevojë të shpikim rrotat, t’i mbajnë patkonjtë një xhep, edhe 37 dhe 49, nuk paragjykojmë asgjë, kërkojmë decentralizimin më parë. Ka kohë të mjaftueshme nëse ka vullnet”,- tha Basha më tej. Nga kjo konferencë doli dhe rezoluta e përbashkët e të zgjedhurve vendorë, lidhur me thellimin e reformës së decentralizimit dhe zgjerimit të autonomisë vendore. Ajo lidhet me një riorganizim të arsyeshëm e të përshtatshëm të territorit që respekton dhe ka në qendër të vëmendjes interesat e qytetarëve dhe komuniteteve vendore, të drejtën e tyre për t’u vetëqeverisur, për t’u pyetur dhe dëgjuar për çdo ndryshim.

REZOLUTA PËR REFORMËN DECENTRALIZUESE, ADMINISTRATIVE DHE TERRITORIALE

Duke vlerësuar se zgjerimi dhe forcimi i autonomisë vendore, si formë e lirisë dhe e drejtë natyrore e komuniteteve për t’u vetëqeverisur ka mundësuar:

• Lindjen dhe konsolidimin e demokracisë vendore;

• Zgjerimin e gamës së shërbimeve vendore;

• Rritjen e shkallës së investimeve zhvilluese në nivel vendor;

• Forcimin e transparencës dhe llogaridhënies para qytetarëve;

Duke shprehur shqetësimin tonë të thellë dhe kundërshtimin bazuar mbi fakte dhe të dhëna zyrtare ndaj argumenteve të padrejtë, të pasaktë ose të ekzagjeruar nga ana e qeverisë se:

– qeverisja vendore është ineficente në radhë të parë prej numrit të madh të njësive të vogla e me pak banorë;

– për këtë shkak, decentralizimi në tërësi nuk i paskësh arritur qëllimet e tij, ndaj zgjidhja e problemeve është një hartë e re me kufij të rishikuar të njësive vendore;

– apo se njësitë e qeverisjes vendore mbahen nga fondet e qeverisë dhe i shpërdorojnë ato për paga apo shpenzime operative e për rrjedhojë qytetarët nuk marrin shërbimet e duhura nga qeverisja vendore.

Duke vlerësuar se procesi i ndjekur nga qeveria dhe maxhoranca:

* nuk është kryer e nuk po kryhet me metodën e duhur,

* nuk ka marrë në konsideratë kontributet e vyera dhe objektive të shoqërisë civile, komunitetit të ekspertëve dhe përvojën e mirë europiane;

* nuk ka përfshirë sa dhe siç e kërkon një reformë e tillë të zgjedhurit vendorë;

* po kryhet pa konsultime të vërteta me qytetarët dhe komunitetet vendore por me mënyra e mjete që kërkojnë të imponojnë skenarin e njëanshëm qeveritar të një harte të re, pa një reformë të vërtetë decentralizimi;

Duke vlerësuar me realizëm problemet, mosarritjet dhe dështimet dhe për këtë qëllim pas një analize të thellë dhe objektive, duke u dakordësuar se më së pari, shkaqet qëndrojnë në:

* Varfërinë dhe pamjaftueshmërinë objektive të burimeve për zhvillim, me të cilat ndeshet shumica e njësive të qeverisjes vendore në zonat me më pak mundësi zhvillimi;

* Pasaktësitë, paqartësitë dhe të metat në procesin e decentralizimit të disa prej funksioneve dhe përgjegjësive dhe mos-shoqërimin e tyre me mjetet dhe fondet e duhura;

* Konfliktin politik, i cili është transferuar dhe ka ndikuar sipas rastit, si relacionet politike në qeverisjen vendore ashtu edhe në marrëdhëniet mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore,

Shpallim njëzëri platformën për reformën e vetëqeverisjes vendore, që përbëhet nga këto parime:

1. Decentralizimi dhe zgjerimi e konsolidimi i autonomisë vendore duhet të jetë drejtimi themelor dhe udhëheqës i reformës.

2. Reforma duhet të bazohet dhe udhëhiqet nga parimet e demokracisë së drejtpërdrejtë dhe përfaqësuese, të shërbimit sa më pranë qytetarit, të partneritetit dhe bashkëpunimit, të shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe mbështetjes së njësive vendore me mundësi më të pakta, të transparencës dhe llogaridhënies sa më pranë qytetarëve dhe komunitetit.

3. Riorganizimi territorial i njësive të qeverisjes vendore në çdo nivel duhet të pasqyrojë identitetin e komunitetit të banorëve të krijuar përgjatë historisë dhe ta harmonizojë atë me funksionalitetin e njësive të reja qeverisëse.

4. Procesi i hartimit të reformës decentralizuese, administrative e territoriale dhe miratimi i saj të kryhet vetëm përmes konsensusit të plotë politik në Kuvendin e Shqipërisë.

5. Çdo komunitet vendor të ketë mundësinë të shprehë qëndrimin pro apo kundër ndryshimit të kufijve vendorë, siç sanksionohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.