Lulzim Basha: T’u presim rrugën komunistëve nga drejtimi i vendit

551
Në seancën përkujtimore në Kuvend për deputetët e ekzekutuar nga komunizmi foli edhe kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili deklaroi se ndihet fajtor që nuk janë dënuar krimet e komunizmit. “ 70 vite më parë regjimi komunist i Hoxhës pushkatoi grupin e deputetëve të fundit opozitar në sallë. I vrau se mendonin ndryshe, sepse nuk u pajtuan me komunizmin me vdekjen e pluralizmit. Kësaj shoqërie i mbahet e fshehur një vërtetë e madhe. Komunizmi u instalua me dhunë dhe me gjak. Sot ndihem fajtor, si deputet, politikan dhe kryetar i PD, që nuk kemi dënuar krimet e komunizmit, për të penguar eksponentët e komunizmit që të mos jenë në jetën politike. 70 vjet pas vrasjes së deputetëve ndihem i turpëruar që jam në një kuvend që drejtohet nga një njeri që ishte pjesë e asaj klike. Ky është dështim. Jam i hidhëruar që me paratë e taksapaguesve shqiptarë në katër vite infrastruktura çnjerëzore e sigurimit të shtetit (Shtëpia e Gjetheve) dhe aparatit të dhunës së komunizmit është kthyer në tërheqje turistike, është trajtuar si diçka argëtuese, ndërkohë që nuk ka asnjë monument për viktimat e komunizmit. Ne duhet të gjejmë dhe të identifikojmë të gjitha eshtrat e viktimave të komunizmit, të nderojmë martirët e pluralizmit shqiptar, të tregojmë krimet e komunizmit dhe historinë tragjike se si një popull i tërë ra në kthetrat e komunizmit” deklaroi Basha.
Sigal