Lulzim Basha: Të zgjedhurit vendor, në këmbë për të mbrojtur qytetarët nga arbitrariteti i veshur me pushtet

487
Sigal

*kryetari i PD-së

 Partia Demokratike është sigla e zemrës së mijëra e mijëra demokratëve, ku rreh prej më shumë se 22 vitesh pulsi i  shëndetshëm i shpresës, ndryshimit dhe përparimit të Shqipërisë drejt Europës.  Kjo është Partia Demokratike, shtëpia jonë e lirive, vizioni ynë i shtetit të së drejtës. Për secilin prej nesh, duke filluar me mua si drejtues i bashkisë më të madhe të vendit, Tiranës, e deri tek këshilltari demokrat i komunës me të vogël, është nder, krenari dhe përgjegjësi të jemi të zgjedhurit e Partisë Demokratike në pushtetin vendor. Dëshiroj të nënvizoj fjalën “Përgjegjësi”, si një fjalë kyçe të kësaj Konvente, si një parim të përhershëm të kulturës qeverisëse të demokratëve, por që duhet të spikasë akoma më shumë dhe të fitojë një përmasë të re në këtë periudhë dhe në vijimësi.  Përgjegjësi për të mbajtur deri në fund premtimet para zgjedhësve.  Përgjegjësi për të zbatuar një për një detyrat.  Përgjegjësi për të qëndruar ditë për ditë pranë qytetarëve, duke i dëgjuar, duke i konsultuar, duke kërkuar bashkë me ta zgjedhjet më të mira për problemet dhe hallet e tyre të përditshme. Përgjegjësi për të mbrojtur me forcën e ligjit qytetarët, familjet, pronën dhe pasuritë e tyre nga çdo lloj arbitrariteti i veshur me pushtet. Përgjegjësi për të mbrojtur dhe zbatuar standardet më të përparuara të autonomisë vendore, që kanë gjetur shprehje në legjislacionin tonë kombëtar dhe në marrëveshjet ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar dhe është e detyruar të zbatojë në këtë fushë. Përgjegjësi për të mobilizuar të gjitha mundësitë dhe burimet vendore të zhvillimit, sado modeste qofshin, në funksion të zhvillimit të komunave, bashkive dhe qarqeve tona. Përgjegjësi për të qenë zëri i kthjellët i shpresës, i së drejtës dhe pozitives në këtë vend.  Pavarësisht nga rezultati që morëm në këto zgjedhje, ne jemi dhe duhet të jemi krenarë me arritjet e qeverisë sonë dhe Kryeministrit tonë, që organizuan dhe zhvilluan zgjedhjet më të mira në historinë e vendit, zgjedhje që hapën përfundimisht rrugën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.  Status, për të cilin kjo Parti Demokratike plotësoi një nga një të gjitha kriteret dhe kushtet. Ne realizuam në nivel vendor reforma epokale; si dixhitalizimi i gjendjes civile, prokurimin elektronik, proceset me një ndalesë të vetme për bizneset (one-stop shop), e tjerë. Këto arritje dhe shumë të tjera si stad i autononomisë së pushtetit vendor përbëjnë një garanci për të ecur përpara në marrëdhënie të hapura  bashkëpunimi me qeverisjen qendrore. Natyrisht, nuk do të ishim realistë po të thonim se me qeverinë socialiste gjërat do të shkojnë njëlloj si me qeverinë e Partisë Demokratike. Situata e krijuar në vend, kur të majtët kanë shumicën në qeverisjen qendrore, është e tillë që dikton  nevojën për bashkëjetesë pozitive mes pushtetit qendror dhe atij vendor të zgjedhur që të dy me votë nga qytetarët.  Nga ana jonë ne ofrojmë vizionin e koabitacionit, që do të thotë, respekt dhe bashkëpunim i ndërsjellë në kufijtë e kompetencave të njohura me ligj; mbështetje konkrete të çdo reforme dhe akti që shkon në favor të decentralizimit dhe fuqizimit të autonomisë së pushtetit vendor.  Sa më afër njerëzve, aq më i lartë është pushteti. Ky është koncepti modern për pushtetin në përgjithësi dhe për atë vendor në veçanti, koncept të cilin ne e kemi bërë pjesë të përqasjes sonë politike dhe duhet ta manifestojmë çdo ditë në punën tonë. Asnjë kompleks, asnjë tërheqje nga angazhimet tona para zgjedhësve për faktin se ka ndryshuar qeverisja qendrore.  Si opozitë, si Parti Demokratike, por edhe si të zgjedhur vendorë ne jemi thellësisht të shqetësuar me serinë e akteve arbitrare dhe antiligjore të kryeministrit  Rama në startin e tij të qeverisjes. Qeverisja ka nisur si një fushatë kundër konsensusit, kundër ligjeve dhe kundër Kushtetutës së vendit.  Vetë kryeministri po tregon ditë për ditë me aktet që po ndërmerr se ligji nuk është rruga, por pengesa që duhet rrëzuar, duhet shkelur me këmbë, duhet flakur matanë për ta kaluar ai me veprën  e tij të Zhbërjes.  Nuk po flas sot për aktin normativ famëkeq dhe shumë bëma të tjera të stampës arbitrare të denoncuara ditë për ditë para publikut nga opozita. Po ndalem tek vendimi i fundit  “Për unifikimin e kompetencave të Inspektoratit të ndërtimit”, që i hap rrugë shembjes së ndërtimeve  me leje në bazë  të vlerësimeve subjektive dhe pa paralajmërim të kryeinspektorit!  E gjitha kjo në emër të betejës së shpallur me shumë bujë për administrimin e territorit, që në mjaft bashki të administruara edhe nga Partia Socialiste ka rezultuar  si në shprehjen: “U mbars mali e polli një mi”.