Lulzim Basha: Të rrëzojmë qeverinë Rama, nuk garanton asgjë

699
Opozita e bashkuar fton shqiptarët t’i bashkohen protestave masive në 27 janar, ora 12:00
Objektivi i protestave dhe aksionit opozitar është largimi i paligjshmërisë, duke nisur me largimin e një qeverie të paligjshme, krijimin e një qeverie Antimafia që do t’i japë shqiptarëve, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverinë që meritojnë.
U zyrtarizua dje data e protestave në vend nga Opozita e Bashkuar, e cila nis më 27 janar ora 12:00. Sipas liderit demokrat, Lulzim Basha kjo protestë po mbahet “kundër varfërisë, kundër krizës ekonomike, kundër papunësisë, kundër padrejtësisë dhe drejtësisë së kapur politikisht, për një drejtësi të çliruar nga krimi, të çliruar nga politika dhe pushteti i bërë njësh me krimin”, duke e cilësuar kështu edhe shtetin, të kapur nga bandat kriminale. “Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen me datë 27 janar, të shtunën në orën 12.00, në një protestë mbarëpopullore kundër varfërisë, kundër krizës ekonomike, kundër papunësisë, kundër padrejtësisë dhe drejtësisë së kapur politikisht, për një drejtësi të çliruar nga krimi, të çliruar nga politika dhe pushteti i bërë njësh me krimin. Drejtësi për të papunët, drejtësi për të rinjtë, drejtësi për studentët, drejtësi për ata që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri dhe jo të largohen si emigrantë dhe t’i dorëzohen fatit e rrugëve të kurbetit”, u shpreh Basha. Ai nuk la pa përmendur edhe raportin e CIA-s që doli dje dhe evidentonte edhe për vitin 2017 Shqipërinë si një vend me rekorde kriminale dhe korrupsioni. “Ky narko-shtet është ndërtuar mbi paligjshmërinë. Paligjshmëria është themeli i zgjedhjeve të kapura, i votës së shantazhuar, të blerë e të kërcënuar që ka çuar në një Parlament të paligjshëm, në një qeveri të paligjshme, në një kryeministër të paligjshëm, i cili pastaj e ka të domosdoshme kapjen e një prokurori të paligjshëm, për të mbrojtur paligjshmëritë, për të mbrojtur aferat kriminale dhe korruptive, për të mbyllur dosjet e krimit dhe të korrupsionit. Pasojat e paligjshmërisë i ndjen çdo shqiptar. Papunësia ka për rezultat paligjshmërinë e cila i merr pasuritë dhe paratë e taksapaguesve të këtij vendi dhe i shpërndan tek një grusht sunduesish, në vend që t’i çojnë në spitalet që vuajnë nga mungesa e ilaçeve, nga mungesa e mjekëve dhe infermierëve, në vend që t’i çojnë në shkollat që nuk kanë ngrohje, në vend që t’i çojnë në investime, të hapin vende të reja pune, duke ndihmuar ekonominë. Objektivi politik i opozitës i shpallur prej kohësh, nuk mund të jetë gjë tjetër, veçse dhënia fund e kësaj paligjshmërie, përmes një qeverie antimafia me mandatin që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme për një Shqipëri të taksave të ulëta, për një qeveri që garanton, përmes përpjekjeve të saj, mundësitë maksimale për punësim për njerëzit”, duke shprehur kështu edhe objektivin e kësaj proteste.

“Për një Shqipëri, e cila çmimet e energjisë, naftës dhe ujit, t’i ketë jo më të lartat dhe ndër më të lartat në rajon, por proporcionale me fuqinë blerëse të shqiptarëve. Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen në këtë manifestim të madh proteste, e cila ka këtë qëllim; largimin e paligjshmërisë, duke nisur me largimin e një qeverie të paligjshme, me një qeveri Antimafia, që do t’i japë shqiptarëve, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverinë që meritojnë, të taksave të ulëta, të punësimit dhe dinjitetit për çdo shqiptar. Partia Demokratike dhe natyrisht i gjithë koalicioni opozitar dhe të gjithë aleatët në këtë përpjekje të përbashkët, kanë nisur dhe do të intensifikojnë me të gjithë qytetarët shqiptarë një dialog për t’i paraprirë kësaj proteste. 
Të gjithë bashkë përmes pjesëmarrjes qytetare në këtë protestë, të japim sinjalin, se e keqja ka marrë fund dhe së bashku do të marshojmë drejt një Shqipërie evropiane, të drejtësisë së pa kapur politikisht, të drejtësisë që ndëshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin, të ekonomisë që punon për njerëzit dhe jo për një grusht kriminelësh pushtetarësh apo oligarkësh dhe të shërbimeve për qytetarin në shëndetësi arsim, me pensione më të mira njerëzish, me ndihmë sociale”, tha Basha në fjalën e tij. 
Sigal