Lulzim Basha/Të bashkuar si kurrë më parë, do ta rikthejmë PD në udhëheqje të Shqipërisë moderne, të zhvilluar dhe Europiane

414
Sigal

Lulzim Basha  zgjidhet Kryetari i ri i Partisë Demokratike : “Opozitë ballore dhe të fortë, falënderoj Olldashin për garën

Lulzim Basha është zgjedhur kryetari i ri i Partisë Demokratike, i cili do të marrë drejtimin e demokratëve pas dorëheqjes së liderit historik Sali Berisha. Lajmi fillimisht u konfirmua nga burime brenda selisë blu për një fitore të thellë të Bashës kundrejt kandidatit të tij, Sokol Olldashi. Lulzim Basha ka marrë 80% të votive, Sokol Olldashi 20% të votive. Basha do jetë demokrati i 4-t që do të mbajë postin e kreut të PD-së, pasi më parë këtë post e mbajtën, Tritan Shehu, Eduard Selami dhe Sali Berisha. Lulzim Basha i cili aktualisht mban postin e kreut të Bashkisë së Tiranës, do të duhet të përballet me drejtimin e partisë në opozitë pas humbjes se 23 qershorit. Rreth 41 mijë anëtarë të PD-së morën pjesë në votimin e një dite më parë për zgjedhjen e lidershipit të ri. Në garë për postin e kreut të PD-së, morën pjesë dy kandidatët Lulzim Basha dhe ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi, të cilët për rreth 19 ditë zhvilluan takime në të gjithë Shqipërinë për prezantimin e platformës së tyre, pasi lideri historik i saj, Sali Berisha, dha dorëheqjen pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

 VOTAT

Lulzim Basha 32371 vota, Sokol Olldashi 7896 vota

Në përqindje – Basha 80.39%, Sokol Olldashi 19.61%

* Kryetari i PD-së

 Të dashur demokrate dhe demokratë, anëtarë të Partisë Demokratike, zonja dhe zotërinj, militantë, mbështetës, simpatizantë, votues të Partisë Demokratike, të dashur qytetarë shqiptarë! Ju falënderoj nga zemra, për besimin e jashtëzakonshëm që më dhatë me votën tuaj, për të marrë përsipër përgjegjësinë e drejtimit të Partisë Demokratike, partisë së vlerave dhe idealeve më të larta në historinë e Shqipërisë, forcës politike të shembjes së komunizmit dhe eliminimit të pasojave të tij, partisë së implementimit të lirive civile, politike dhe ekonomike, partisë së pronës, iniciativës së lirë dhe sipërmarrjes, partisë së integrimit euro-atlantik dhe interesit kombëtar të shqiptarëve, të infrastrukturës rrugore dhe energjitike, të investimeve dhe zhvillimeve strategjike. Jam thellësisht i vetëdijshëm, se sa përgjegjësi e madhe është të drejtosh një forcë që ka lindur nga lëvizja historike e dhjetorit 1990, të një partie që ka bërë historinë e re të Shqipërisë, që është udhëhequr nga Sali Berisha, që ka pasur në krye të saj që prej fillimit elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajos, për ta bërë Shqipërinë të lirë dhe demokratike, si gjithë Evropa. Falënderoj me respekt dhe mirënjohje secilin prej anëtarëve të familjes tonë të madhe demokrate anembanë vendit, anëtarët, strukturat dhe drejtuesit e saj, për përgjegjshmërinë, përkushtimin dhe vlerat e larta qytetare me të cilat u angazhuan në këtë proces. Në këtë garë, të parën të vërtetë të parimit një anëtar – një votë në Shqipëri, ne demokratët iu dëshmuam sërish bashkëqytetarëve tanë, se jemi përfaqësuesit më të denjë të vlerave, parimeve dhe praktikave të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Falënderoj Sokol Olldashin, kandidatin tjetër, për kontributin e tij në këtë garë e cila dëshmoi para mbarë shqiptarëve vlerat e patjetërsueshme dhe unike të Partisë Demokratike. Në këtë garë ishim dy kandidatë që shpalosëm vlerat, vizionet dhe vullnetet tona respektive para mijëra anëtarëve, por në fillim, gjatë dhe në përfundim të kësaj gare, ne nuk harrojmë për asnjë çast, se jemi të gjithë demokratë, anëtarë të një familje të madhe, krenarë për identitetin dhe trashëgiminë tonë politike, më të vendosur dhe më të bashkuar se kurrë. Në projektin tonë të fillimit të ri, Partia Demokratike do të mbështetet fuqishëm tek anëtarët dhe militantët e saj të përkushtuar në vite, do të dëgjojë e respektojë zërin dhe kontributin e çdo anëtari të saj dhe do të lartësojë vlerat e gjithëpërfshirjes dhe bashkëvendimmarrjes në çdo nivel dhe për të gjithë çështjet, në piedestalet statutore dhe praktikave të saj. Në përpjekjen time për ta drejtuar këtë fillim të ri, unë do të jap gjithçka me përkushtimin më të madh, me vendosmërinë më absolute dhe me përgjegjësinë më të lartë ndaj jush, anëtarëve të Partisë Demokratike. Për këtë do të mbështetem fort tek vizioni, kurajo dhe qëndresa historike e themeluesve, e Azem Hajdarit dhe qëndrestarëve të tjerë, do të mbështetem tek energjia e pamatë e anëtarëve dhe militantëve të paepur, tek përvoja e dhjetëra drejtuesve të Partisë Demokratike, sot dhe ndër vite, do të mbështetem tek pasuria e paçmueshme e vlerave të lidershipit historik të Sali Berishës. Unë do të punoj pa ndarë që Partia Demokratike e lindur nga ëndrrat e të rinjve shqiptarë, të vazhdojë të jetë forca e ëndrrave, shpresave dhe dëshirave të të rinjve shqiptare, gjeneratës së parë të lirisë dhe gjeneratave të tjera. Së bashku me ta kemi fituar ngaherë, së bashku me ta do t’i japim krahë fitoreve tona të ardhshme. Detyrat që na presin nuk janë të lehta, sfidat janë të mëdha, por gjatë gjithë rrugës tonë 23 vjeçare ne kemi treguar se sa herë kemi qenë të bashkuar, të vendosur dhe të hapur në vlerat e shpirtit pozitiv të demokratëve, ne jemi përballur me sukses dhe kemi fituar. Ne do ndërtojmë një opozitë krijuese, të fortë, ballore por edhe alternative, do kemi një përballje publike të përhershme. Për çdo sektor, për çdo situatë, për çdo problem shqiptarët do shohin alternativën, projektet, zgjidhjet tona për problemet e tyre. Do jemi çdo ditë, kudo, në çdo anë të vendit me qytetarët, elitat lokale, mediat në mbrojtje të interesave publike, do jemi më të përndjekurit e komunizmit, pronarët, biznesin e vogël dhe të mesëm e grupet e tjera të interesit të ekonomisë shqiptare, botën akademike dhe shoqërinë civile, do jemi me gratë shqiptare, rininë, fëmijët, të moshuarit, pakicat, në krah të çdo qytetari shqiptar që ndihet i cënuar nga pushteti politik i votës së deformuar e të vjedhur dhe besimit të përdhosur të 23 qershorit. Ne jemi partia e vlerave të mëdha perëndimore, jemi partia që beson tek sipërmarrja e lirë, tek shtresa e mesme, aftësia krijuese e individit, e shtetit minimal, e taksave të ulta dhe konkurrenca e ndershme. Le të nisim pra, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj, rrugëtimin tonë të ri së bashku, me ballin lart për vlerat tona, për të shkuarën, të sotmen dhe misionin e së ardhmes, t’u japim shqiptarëve jo vetëm një opozitë të fortë dhe të vendosur, në mbrojtje të interesave të tyre por t’i japim vendit alternativën e shpresës dhe forcën ta mbyllë trazicionin, pas përballjes me këtë qeveri të veseve të vjetra, të bashkuar si kurrë më parë në vendosmërinë tonë, për ta rikthyer Partinë Demokratike në udhëheqje të projektit tonë historik, Shqipërisë moderne, të zhvilluar dhe evropiane!

Zoti na ndihmoftë! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

 Sokol Olldashi: “Me gjithë  të metat në procesin e votimit, unë do të përfaqësoj militantët e PD-së, për një kartë morale opozitare”

Në përfundim të atij që duhet të ishte procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të PDSH, në respekt të të gjithë atyre që si anëtarë, simpatizantë, votues të PD-së apo njerëz të lirë që e kanë ndjekur këtë proces, ndihem i detyruar të qartësoj në mënyrë përfundimtare qëndrimin tim. Përzgjedhja e kryetarit te ri të PD-së, u bë përmes një procesi tërësisht të deformuar.  Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve. Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD. Procesi, për të cilin m’u dhanë të gjitha garancitë se do të ishte jashtë ndikimeve, në fakt nuk mbeti asnjë ditë i tillë. Në një mënyrë që dukej e sinkronizuar, këshilltarë, drejtues korporatash, kryetarë degësh u përfshinë në të, në mënyrë tërësisht të njëanshme, ndërkohë që, cilido që shfaqi parapëlqime të padëshiruara në favor tim, u pezullua, – gjë që ndodhi edhe me ndonjë kryetar lokal PD-je -, u përjashtua – siç ndodhi me anëtarë të PD-së në Shkodër e Korçë – apo u pushua nga puna, – siç ndodhi me drejtues rajonalë të korporatave në Sarandë apo Vlorë. Intimidimi u kurorëzua me fletën e numërizuar të votimit që e bënte lehtësisht të mundur identifikimin e votuesit. Nga ana tjetër, tensionimi i strukturave ishte tërësisht i panevojshëm. Kjo ishte një energji e tepërt e harxhuar brenda nesh që do duhej në fakt ta kishim shpenzuar më 23 Qershor dhe jo më 22 Korrik.
Ishte një gabim. Megjithatë, gjatë gjithë fushatës sime brenda strukturave të demokratëve, kam insistuar se ne duhet të identifikojmë gabimet dhe mbi to të ndërtojmë eksperienca pozitive. Shpresoj vërtet që do të kemi inteligjencën ta bëjmë këtë. Kam insistuar që produkti i parë i 23 Korrikut, duhet të jetë shëndoshja e Partisë Demokratike. Dje nuk e bëmë, por duhet të fillojmë ta bëjmë që sot. Unë i ftoj të gjithë demokratët që nuk janë ndjerë mirë me këtë proces, të kujtojnë se Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, e ndërtuar me kontributin vullnetar të secilit prej nesh dhe, në një shtëpi të madhe, qëllon që edhe prishen rregullat apo humori. Por, pavarësisht momenteve të tilla, ne mbetemi anëtarë të së njëjtës familje, edhe pas ndonjë nervozizmi apo pezmi. Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike në misionin për ta bërë Partinë Demokratike më të mirë.  Unë mbetem i vendosur të përfaqësoj me gjithë energjitë e mia njerëzore dhe politike militantët e Partisë Demokratike, në misionin e tyre opozitar për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një kartë morale opozitare, një veprim politik opozitar dhe një platformë të qëndrueshme mbi të cilën të mblidhet shumica e shoqërisë së këtij vendi.

   Sali Berisha: “Lulzim Basha është historia e vërtetë e suksesit të vërtetë, të shkëlqyer të PD-së”

 Z. Lulzim Basha, përfaqëson suksesin e të riut shqiptar i cili në një moshë shumë të re, gjimnazist do të meritonte të përfaqësonte në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve partinë e tij, Partinë Demokratike, në zgjedhjet e para pluraliste të vendit. Më pas si qindra dhe mijëra të rinj shqiptarë që dolën në liri, u nis, shkoi për studime. Studioi në një nga universitetet më serioze të Evropës, doli i pari në gara botërore të fushës së të drejtave të njeriut. Mbi këto parametra u thirr nga Gjykata Ndërkombëtare për të kontribuar në hetimin e kryekasapit të asaj kohe Slobodan Millosheviçit. Ndihmoi në mënyrën më të përkushtuar, në ndërtimin  e institucioneve në Kosovë si një përfaqësues i rëndësishëm i organizatave ndërkombëtare. Lulzim Basha është historia e vërtetë e suksesit të vërtetë, të shkëlqyer të Partisë Demokratike. Ai përmbushi me një vendosmëri aftësi dhe përkushtim të madh çdo mision që iu ngarkua. Së pari “Rrugën e Kombit”, u emërua Ministër për atë mision, e realizoi në mënyrë të shkëlqyer. U emërua në krye të diplomacisë shqiptare, kur vendi po bënte çdo përpjekje për anëtarësimin në NATO. Fitoi simpatinë, respektin dhe dashurinë e kolegëve të tij dhe u shndërrua në promotor të vërtetë të këtij procesi. U emërua në krye të Ministrisë së Brendshme për të përmbushur një premtim elektoral konkret të Partisë Demokratike, heqja e vizave me Bashkimin Evropian. Është ministri, personaliteti që së bashku me të rinjtë shqiptarë, mbërriti në Bruksel si maratonomak i heqjes së vizave për shqiptarët. U emërua, u caktua nga Partia Demokratike për të garuar për Bashkinë e Tiranës, nxori, mundi, kryetarin e Partisë Socialiste dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe drejton sot Bashkinë e Tiranës. Votimi dhe zgjedhja e z. Lulzim Basha në krye të Partisë Demokratike, mund të vlerësohet si një fillim i shkëlqyer i një fillimi të ri. Pak javë, para jush këtu, unë shpalla se Partia Demokratike ka nevojë jetike për një fillim të ri të fuqishëm. Partia Demokratike është parti e vlerave, parimeve më të shkëlqyera, më të larta dhe ajo jo se ka patur shkop magjik, por sepse ka patur një program me vlera dhe parime të të cilit i ka qëndruar. Ka arritur të listojë në biografinë e saj suksese dhe arritje politike sa asnjë forcë tjetër në Evropën ish-komuniste gjatë këtyre dy dekadave, jo. Partia Demokratike ka mbetur në Evropën ish-komuniste, forca e themeluar në vitet ‘90 më e fuqishme. Partia Demokratike faktoi  para shqiptare se ajo është një forcë e vlerave. Dje në votim morën pjesë mbi 41 mijë anëtarë, duke befasuar çdo njeri. Duke dëshmuar qartësisht se pavarësisht nga rezultati i 23 qershorit demokratët janë dhe mbeten të pathyeshëm, ndaj edhe unë dua tu shpreh një mirënjohje të thellë, krenarinë time më të madhe, për secilin prej atyre që votuan dje dhe të tjerëve që nuk arritën të votojnë për shkaqe burokratike apo personale, familjare e të tjera. Procesi ishte një mungestar ne vlerat demokratike që ne besojmë. Një mungestar që erdhi, u vendos midis nesh. Rrethanat e imponuan këtë proces, por provën demokratët e kaluan në mënyrë të shkëlqyer. Dhe ky është interesi më i mirë i çdo demokrati dhe i çdo shqiptari. Dua të falënderoj me shumë përzemërsi, të gjitha strukturat e Partisë Demokratike, stafet elektorale dhe kandidatët për punë që kanë bërë në organizimin e këtij procesi dinjitoz. Kjo garë mund të kishte shumë aspekte, por mendoj se u zhvillua në mënyrën më qytetare. Unë isha i vetëdijshëm se çdo njëri nga kolegët e mi, çdo njëri nga anëtarët e Partisë Demokratike, çdo njëri nga drejtuesit e saj kishte të drejtë të padiskutueshme të shprehte haptas mbështetjen dhe preferencën. Por do u mbetem borxhli dhe mirënjohës përjetë, sepse respektuar një rregull të vendosur nga unë në interesin më të mirë të Partisë Demokratike. Dhe sot Partia Demokratike del më e bashkuar se kurrë. Natyrisht nuk do të ishte përçarë por energjia pak e shpenzuar në mënyrë të panevojshme, demokratët pritën dhe përcollën në mënyrë dinjitoze, të barabartë kandidatët në çdo skaj të vendit. Debatuan me ta, i brohoritën, i duartrokitën me civilitet të madh. Theksova se zgjedhja e kryetarit në parimin “Një anëtar, një votë”, përbën një kthjellim të shkëlqyer të fillimit të ri. Por fillimi i ri është një proces më i gjerë, i cili kërkon kontributin e çdo anëtari të Partisë Demokratike. Fillimi i ri kërkon një analizë të ndershme, të sinqertë, të guximshme të rezultatit, jashtë çdo lloj skeme gjahu apo lufte klasore. Kurrë ndonjëherë ne nuk kemi qenë dhe nuk do të jemi një parti e tillë. Natyrisht, si qytetarë të këtij vendi me formimin tonë politik, secili nga ne di të nxjerrë përgjegjësinë mbi bazën e rezultatit. Fillimi i ri kërkon si kusht vendimtar, sjelljen në piedestal, në skenë, në të gjitha nivelet e strukturave të Partisë Demokratike, të gjeneratës së lirisë. Gjenerata e lirisë është ajo gjeneratë që lindi nga viti ‘80 e këtej e cila miqtë e mi, duhet të pranohet, se ajo ka meritën e madhe të ketë psikologjinë e lirisë. Ajo ka meritën e madhe të ketë kuantet më të larta të energjisë pozitive në shoqërinë shqiptare, por e vërteta është të ketë edhe formim më të shkëlqyer intelektual dhe të gjithanshëm. Kjo absolutisht jo, se ata që janë para kësaj ditëlindje nuk kanë vlera, kanë vlera të jashtëzakonshme, por ata janë në pushtet faktikisht.  Ata që duhet të vijnë, së bashku me këta që janë, kjo gjeneratë idealiste, atdhetare, që e do Shqipërinë shumë, që të jetë krenare me Shqipërinë, që nuk ka në psikologjinë e saj kopjen e “Shqipërisë tjetër” dhe nuk harxhon qoftë edhe 1 orë të vetme në ditë për të sharë Shqipërinë, pro mendon ditë e natë se si ta ndryshojë për mirë atë. Unë kam besim të madh shumë se anëtarët e Partisë Demokratike, se miqtë e mi me të cilët kam drejtuar Partinë Demokratike, njerëz me vlera dhe aftësi të padiskutueshme. Më shumë se kushdo tjetër është dëshmitar i vlerave dhe aftësive të tyre. Do mund së bashku të ngremë Partinë Demokratike në një nivel të ri, me fillimin e saj të ri të fuqishëm. Do mundohemi të gjithë ne anëtarët e Partisë Demokratike në drejtimin e kryetarit të ri Lulzim Basha të përballemi në mënyrën më të fuqishme me pushtetin që doli nga premtimet antiglobaliste mashtruese, me pushtetin që doli me drogën dhe krimin siç po faktohet çdo ditë në KQZ. Ne demokratët jemi njerëz të votës së lirë, e kemi faktuar në çdo kuti që po numërohet, janë numëruan qindra e qindra kuti. Rezultati për ne çfarë u takon përveç se 14 kutive të dhunës dhe të terrorit, demokratët s’kanë përvetësuar as edhe një votë me qëllim. Dhe kështu do të jetë. Kurrë ne, nuk do të rendim pas tyre me mashtrime, me dhunë dhe terror, me para të pista, jo. Por ne do të bëjmë gjithçka të shkurtojmë ditët në pushtet këtyre që erdhën me këto mjete dhe në mënyrë të pamerituar. Ne të bashkuar drejt fillimit tonë të ri fuqishëm në interesin më jetik të Partisë Demokratike, të Shqipërisë, integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe shndërrimit të saj në vend të zhvilluar.