Lulzim Basha: Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë statusin e vendit kandidat

582
Sigal

Pas një dreke me ambasadorët e Bashkimit Europian, SHBA dhe OSBE në Tiranë, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje në një prononcim se, theksi në këtë takim është vendosur tek perspektiva e marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Në këtë takim, u shpreh Basha, “edhe njëherë kam përsëritur qëndrimin tonë se, PD konsideron se Shqipëria dhe shqiptarët e meritojnë statusin e vendit kandidat. Ne e konsiderojmë këtë një etapë të përmbyllur me sukses për shkak të reformave të ndërmarra që bënë të mundur rekomandimin pozitiv të Komisionit dhe përmbushjen edhe të kondicionaliteteve të Komisionit”. Ndaj,- vijoi Basha,- “nxitëm përfaqësuesit e vendeve anëtare të nxisin qeveritë e tyre për një vendim pozitiv në qershor, duke e ndarë qartësisht këtë çështje nga stoku i problemeve që maxhoranca dhe qeveria kanë krijuar dhe po krijojnë në raport me shtetin ligjor, demokracinë, institucionet e pavarura, sistemin e kontrollit dhe balancave dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri që janë probleme shumë serioze dhe shumë shqetësuese, për të cilat opozita nuk mund të heshtë, as të pretendojë se nuk ekziston, por të cilat i kemi trajtuar dhe do t’i trajtojmë me forcë në hapësirën institucionale parlamentare sa kohë që ta kemi këtë hapësirë, si dhe çdo hapësirë tjetër qytetare, civile, por edhe ndërkombëtare”. Lidhur me ndikimin që mund të ketë mosmiratimi i rezolutës nga parlamenti shqiptar, në kompromisin mes dy palëve për statusin e vendit kandidat në muajin qershor, kreu i PD-së u shpreh se, kjo do të ndikojë natyrisht shumë negativisht. “Nuk e di nëse ka mbetur akoma kohë, por nga ana jonë ka një dëshirë dhe vullnet për ta finalizuar nëse jemi akoma në kohë, mjafton që këtë vullnet ta ndajë edhe maxhoranca”, -tha Basha. Ndërsa, përsa i takon mundësive që ka Shqipëria për ta marrë statusin në këtë situatë siç është sot, Basha u shpreh se: “Partia Demokratike beson se statusi është një etapë e përmbushur nga Shqipëria. Lidhur me qëndrimin që do të mbajë Partia Demokratike pas rrëzimit së kërkesës për ministren Kodheli nga Komisioni i Sigurisë, Basha u shpreh se, rrëzimi i kërkesës është absurd, i paprecedentë dhe i paligjshëm. Ndërsa lidhur një kërkesë për interpelancë nga PD me ministrin Tahiri, Basha u shpreh se: “Opozita nuk e ka të drejtën morale të tërhiqet nga kërkesa për transparencë në këtë rast”.