Lulzim Basha: Renditja sipas rëndësisë strategjike, dëm për vendin

464
Sigal

Kreu i PD-së: Politika e jashtme të mos përdoret për propagandë politike

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha apeloi dje, se duhet pasur kujdes me politikën e jashtme që ndjek Shqipëria dhe se kjo e fundit të mos përdoret si instrument për propagandë politike. Deklarata u bë në rrjetin social, ku Basha theksoi se, çdo trajtim me emocione që u bëhet marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët, janë amatorizëm dhe dëm për vendin. “Vendosja publike e një rendi të rëndësisë strategjike midis fqinjëve, është çoroditëse për perceptimin ndërkombëtar të vendit. Kujdes! Politika e jashtme dhe institucionet e sigurisë kombëtare nuk janë në vendet demokratike, instrumente të propagandës dhe kapitalit politik. Politika e jashtme dhe integrimi evropian i Shqipërisë duhet të udhëhiqen nga racionaliteti, maturia dhe vazhdimësia. Trajtimet emocionale, amatorizmi dhe etja për tu dukur janë të dëmshme për interesat e vendit”. Reagimi i Bashës vjen kështu pak ditë pasi kryeministri i zgjedhur Edi Rama kreu, ditët e fundit  në vendet fqinje, Turqi, Greqi e Itali, vizita private dhe u takua me kryeministrat Erdogan, Letta dhe Samaras. Rama gjatë vizitës në Turqi theksoi se, ky vend është një partner strategjik për Shqipërinë, deklaratë që ngjalli shumë reagime negative  në fushën e diplomacisë dhe atë politike. Por edhe në Greqi, politika dhe diplomacia greke e panë me njëfarë xhelozie që Rama bëri vizitën e parë në Turqi dhe për më tepër deklaratën e tij, që “Turqia është një partner strategjik për Turqinë”, duke i shqetësuar grekët, sepse, siç e pohoi edhe media greke, “Edi Rama anashkalon marrëdhëniet me Greqinë, duke u dhënë më përparësi Turqisë”.

 

Kryebashkiaku i Tiranës, vazhdon ditën e takimit me popullin

Lulzim Basha, si Kryebashkiaku i Tiranës, edhe dje, ditën e premte është takuar me populli, duke vazhduar një risi që e ka nisur që ditët e fillimit të tij si kryetari i Bashkisë së Tiranës. Kështu dje, Lulzim Basha ka pritur në zyrën e tij, në Bashkinë e Tiranës me dhjetëra qytetarë, të cilët, duke i shpjeguar Kryebashkiakut Basha problemet dhe shqetësimet e tyre, kërkojnë një zgjidhje të drejtpërdrejtë nga vetë Basha. Sipas rasteve, Kryebashkiaku Lulzim Basha, i dëgjoi me vëmendje të gjithë qytetarët që priti dhe u premtoi që çdo rast do ta shikojë me përparësi, duke u premtuar se do të bëjë gjithçka, që problemet e shqetësimet e qytetarëve të vihen në rrugën e zgjidhjes.