Lulzim Basha: Rama s’ ka më një Lazarat por qindra, të ikë

422
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një intervistë të dhënë në një media deklaron se, Kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen pasi është përgjegjës për situatën e krijuar dhe rritjen e trafikut të drogës. “Dështimi i kësaj qeverie është se nuk ka më një Lazarat, por ka dhjetëra dhe qindra Lazaratë që janë përgjegjësi direkte e neglizhencës së Ramës dhe ortakërisë së kupolës me narkotrafikun”,- tha Lulzim Basha.

“Është e qartë Edi Rama dhe qeveria e tij duhet të largohen. Janë përgjegjës për situatën e krijuar në vend. Asnjë nga premtimet e bujshme nuk po mban. Nuk është vetëm dështim paaftësi, është fshehje marrje në mbrojte, inkurajim i narkotrafikut nga Edi Rama përmes veprimeve e mosveprimeve të tij”,- deklaron kreu i PD-së. Sipas tij, “Protesta e të premtes është një rast për përbashkimin e të gjithë shqiptarëve, të cilët ndajnë një shqetësim të thellë, atë të agresionit me përmasa të panjohura deri më sot të drogës përmes jo vetëm tokës e detit, por dhe ajrit dhe kërcënimin që përbën si për qytetarin, por dhe sistemin demokratik përmes kapjes së parave të pista të infrastrukturës shtetërore dhe mandateve”. Basha deklaroi se, droga e asgjësuar dje në sy të ambasadorëve nuk është droga e sekuestruar nga qeveria e sotme, por qeveria e kaluar e PD-së. Madje, shprehu rezerva për praninë e ambasadorëve në ceremoninë e asgjësimit të gati 1.8 ton drogë

“Droga e asgjësuar sot është kapur deri në fund 2012. Droga e sekuestruar në 2013 është akoma në magazinën e posaçme. Unë nuk do të isha krenar për praninë verifikuese të ambasadorëve”,- u shpreh Basha. Në kohën kur ishte në krye të ministrisë së Brendshme Basha tha se në Lazarat kishte rënë sasia e kultivimit në Lazarat. “Në kohën kur unë drejtoja Ministrinë e Brendshme kam qenë në Lazarat. Sepse nën drejtimin tim nën periudhën e drejtimit tim sasia e kultivimit në Lazarat ra në mënyrë drastike sepse pati vullnet për të luftuar trafikimin e drogës”,- tha Basha.