Lulzim Basha: Rama përgatit projektin fantazmë prej 1,5 miliardë euro. Paralajmërimi ndaj sistemit bankar. Mos financoni PPP!

459
Sigal

Kreu i PD, Lulzim Basha dje ka zbardhur një projekt të kryeministrit Rama, i cili mund të kushtojë 1,5 miliardë euro. Qeveria para disa ditësh vendosi që të pezullojë koncesionet e pakërkuara, ndërkohë që deri tani ka dhënë më shumë se 2.400 koncesione e tenderë publikë, me kosto mbi 2 miliardë euro.

Zbardha e projektit fantazmë 1,5 miliardë euro

Basha: Këtë vit sipas projeksioneve të institucioneve të besueshme ekonomike kombëtare dhe ndërkombëtare, ky grusht oligarkësh bëhet gati të hedhë 1. 5 mld euro në projekte fantazmë. Projekte që pastaj duhet të financohen nga buxheti i shtetit, nga paratë e qytetarëve shqiptarë.

Paralajmërimi i PD-së: Sistemi financiar bankar të mos financojë PPP

Kryetari i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi dje sistemin financiar bankar që mos financojnë PPP e lidhura nga qeveria. Dua t’i bëj thirrje atyre drejtpërdrejt dhe sistemit financiar bankar, të ndalë menjëherë këtë marrëzi. Dua ti paralajmëroj se asnjë prej kontratave të lidhura me qeverinë korruptive të Edi Ramës nuk do të zbatohet. Dua t’i paralajmëroj, veçanërisht dua të paralajmëroj sektorin bankar mos t’i futet kësaj aventure, sepse do të ketë pasoja të rënda. Nëse ne gjendemi përpara një zgjidhje, të financojmë këto kontrata korruptive dhe të lëmë pensionistët pa pensione, vogëlushët pa ngrohje, shëndetësinë në kolaps, të jeni të sigurt që zgjidhja jonë është e qartë dhe e vendosur, do të falimentojmë shpurën e oligarkëve dhe jo Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj ju bëj thirrje institucioneve financiare mos bëhen pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë ti marrë me vete. Çdo kontrate koncesionare, PPP e lidhur me këta oligarkë gjithsecila prej tyre nga e para tek e fundit do të shfuqizohen. Ky nuk është kërcënim, nuk është premtim, ku është vendim dhe ne do ta bëjmë realitet.

Vendi në prag kolapsi

Në takim me shoqatat e biznesit dhe sipërmarrësit, Lulzim Basha bëri një skaner të tijin mbi situatën ku ndodhet vendi sot. “Vendi në një krizë të trefishtë ekonomik. Gjendja e ekonomisë, punësimit, sipërmarrjes dhe mirëqenies së shqiptarëve, pas gati 6 vitesh të qeverisjes së Edi Ramës, është në prag kolapsi.” – u shpreh Basha.