Lulzim Basha: Rama damkosi Korçën, po kërkon të eliminojë votën e lirë

423
Sigal

PD-ja reagon ndaj blerjes së votave në zgjedhjet e Bashkisë së Korçës, duke kërkuar të dënohen organizatorët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Partinë Socialiste se ka shkatërruar me paratë e mafias zgjedhjet në Korçë. Basha u shpreh se, blerja e votave tregoi edhe metodën që është ndjekur nga Partia Socialiste edhe në zgjedhjet e përgjithshme të 23 Qershorit. “Partia Socialiste e Edi Ramës damkosi dhe shkatërroi me paratë e pista zgjedhjet e së dielës në qytetin e Korçës. Banda e kapur nga kamerat dhe simotrat e saj të vendosura në pika të ndryshme të qytetit  për të  blerë  vota, për të blerë abstenimin e zgjedhësve të supozuar si kundërshtarë  të Partisë Socialiste dhe për të ushtruar presion mbi zgjedhësit  në përgjithësi,  e ushtruan  veprimtarinë e tyre kriminale  nën hundën dhe me bekimin e Edi Ramës dhe mbarë kupolës  së qeveritarëve dhe mercenarëve të tyre që kishin zbarkuar në Korçë dy ditë me radhë për të drejtuar dhe siguruar operacionin e  manipulimit të  zgjedhjeve me  metodën  e tyre perverse dhe kriminale të blerjes së votës. Në Korçë Rama dhe të tijtë bënë të dielën një provë të përqendruar të kësaj metode të përdorur edhe në zgjedhjet politike të 23 Qershorit, me planin për ta përdorur gjerësisht në zgjedhjet e ardhshme. Ky është shpjegimi i arbitraritet dhe paligjshmërisë që po ngrenë me shpejtësi në sistem në qeverisjen e tyre:  eliminimi i zgjedhjeve të lira, eliminimi nëpërmjet  blerjes së votës i gjykimit të  drejtë popullor” tha Basha. Duke përsëritur kërkesën për hetim të plotë deri në fund të krimit të blerjes së votës në Korçë ka deklaruar se PD-ja ka gati kërkesën për anulimin e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre sipas ligjit. “I kërkojmë prokurorisë që në mënyrë urgjente të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korçë. Te kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat në shkëmbim të parave por mbi të gjitha të organizatorëve që përdorën para të mafias për të blerë pushtetin e Bashkisë së Korçës. Ky hetim duhet domosdoshmërisht të shtrihet tek burimet e financimit, ku u gjetën paratë, si u transferuan, kush janë financuesit e këtij krimi që tronditi shqiptarët. Vetëm hetimi i plote i këtij krimi dhe parave të krimit do e bëjë të besueshëm këtë proces. Kemi përgatitur dhe do të zyrtarizojmë kërkesën për anulimin e zgjedhjeve botërisht të manipuluara të së dielës në Korçë, dhe krijimin e kushteve për përsëritjen e tyre në një kohë të përshtasë

  

Paloka: Komision hetimor parlamentar për votat e Korçës

TIRANE-Grupi Parlamentar i PD-së, i mbledhur në orët e vona mbrëmë, ka vendosur ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për votat në Bashkinë e Korçës. Nismën e grupit të PD-së, e bëri publike, kreu i grupit parlamentar, Edi Paloka, që pas mbledhjes, në një prononcim për mediat, u shpreh se: “Ne diskutuam më shumë se 2 orë, lidhur me fenomenin e rëndë, i cili u faktua, pra e theksoj që vetëm u faktua me zë e figurë dje në një emisionin “Fiks Fare”, pasi dihej që ishte një fenomen i njohur për të gjithë ne dhe i denoncuar nga ne. Prandaj, si hap të parë kemi vendosur ngritjen e një komisioni hetimor në Parlament dhe sigurisht ky do të jetë vetëm hapi i parë pasi një ngjarje kaq të rëndë ne nuk mund ta lëmë as në heshtje dhe as në harresë. Bëhet fjalë për vetë themelet e demokracisë, për vetë themelet e pluralizmit në Shqipëri”.

 Deputeti, Paloka theksoi se: “E kemi denoncuar këtë fenomen që nga 23 Qershori, e kemi denoncuar blerjen e votave në të gjithë Shqipërinë, nga dy aleatët që sot drejtojnë dhe kanë pushtetin në dorë, Rama dhe Meta”.