Lulzim Basha: “Qeveria “Rama”, mbetëse në klasë në përballjen e parë me opozitën

45

Kryetari i PD-së: “E para qeveri në historinë e demokracisë së re shqiptare që starton pa program pune e zhvillimi”

Menjëherë pas votimit të qeverisë “Rama”, ka reaguar  kreu i PD-së dhe opozitës, Lulzim Basha. Basha e ka quajtur qeverinë e Ramës, si të parën qeveri në historinë e demokracisë së re shqiptare që starton pa program pune, pa program zhvillimi, pa objektiva të mbështetur në burime konkrete, pa kalkulime konkrete, pa afte. Kreu i PD-së e ka cilësuar qeverinë “Rama” si mbetëse në klasë në përballjen e parë me opozitën, duke u shprehur se, beson në përballjen e parë të këtyre përmasave në aulën e Kuvendit midis të ashtuquajturës Rilindje të zotit Rama dhe opozitës, qeveria mbeti në klasë edhe në provën e gjykimit të shëndoshë të bashkëqytetarëve. Mbeti në klasë pikërisht se nuk ka program, pikërisht se ka mashtruar pa kufi për të marrë vota. “Qeveria e Ramës kaloi sot në Kuvend të ashtuquajturin program të saj me numrat që ka në Kuvend. Por mbeti në klasë në provën e gjykimit të shëndoshë dhe profesional të opozitës. Për dy ditë me radhë deputetët e Partisë Demokratike dhe partive aleate demonstruan me fakte të pakundërshtueshme se qeveria “Rama” nuk ka program. Kjo është e para qeveri në historinë e demokracisë së re shqiptare që starton pa program pune, pa program zhvillimi, pa objektiva të mbështetur në burime konkrete, pa kalkulime konkrete, pa afate. Starton, si të mos ishte qeveri e një vendi të NATO-së, e që pason dhjetë qeveri demokratike në këtë vend, që kanë lënë secila shenjën e vet në përparimin e Shqipërisë, por si të ishte një qeveri që, “zbret ngamali”. Për dy ditë me radhë deputetë tanë hodhën dritë me fakte konkrete se manifesti që qeveria e konsideron program përfaqëson një listë të gjatë tërheqjesh e modifikimesh të premtimeve elektorale që Rama e të tijët kanë bërë në fushatë. Kjo është e para qeveri që tërhiqet pa filluar punë akoma nga një numër i madh premtimesh të votuara, duke vendosur që tani me qytetarët dhe me dinjitetin e tyre raportin e gënjeshtrës dhe mashtrimit pa dridhje qerpiku. Unë besoj se në përballjen e parë të këtyre përmasave në aulën e Kuvendit midis të ashtuquajturës rilindje të zotit Rama dhe opozitës, qeveria mbeti në klasë edhe në provën e gjykimit të shëndoshë të bashkëqytetarëve. Mbeti në klasë pikërisht se nuk ka program, pikërisht se ka mashtruar pa kufi për të marrë vota. I kemi premtuar publikut se do të votojmë çdo ligj e akt që shkon në favor të integrimit, reformave, mirëqenies dhe zhvillimit të vendit. Do ta mbajmë këtë premtim. Kemi premtuar gjithashtu se nuk do t’i japim asnjë minutë paqe kësaj qeverie për gënjeshtrat dhe mashtrimet e saj elektorale, si dhe për çdo tundim apo provë të saj për të zhbërë arritjet demokratike. Këtë premtim filluam ta mbajmë këto dy ditë në Kuvend e do ta vazhdojmë deri në ditën e fundit të tij. Publiku i vëmendshëm shqiptar asistoi në pagëzimin e një opozite të fortë, përfshirëse, profesionale, të kulturuar, moderne dhe shpresëdhënëse. Kjo është opozita që kemi premtuar, të cilën do ta bëjmë gjithnjë e më efikase në ditët e muajt në vazhdim, me njerëzit, mes njerëzve dhe për njerëzit. Me këtë rast, si kryetar i Partisë Demokratike, dua të falënderoj nga zemra të gjithë deputetë opozitarë, që i dhanë vlerë të madhe Kuvendit por mendoj se ndihmuan edhe qeverinë, me përformancën e tyre të shkëlqyer, me fjalimet e tyre të përgjegjshme, plot kompetencë dhe etikë qytetare. Urojmë që kryeministri dhe qeveria e tij ta kenë dëgjuar oponencën tonë. Jo vetëm përmes pranisë fizike në seancë, por kryesorja, ta kenë dëgjuar me veshin e arsyes për t’u ulur me këmbë në tokë. Për të hequr dorë nga sindroma e vitit zero. Për të hequr dorë nga mashtrimet dhe tullumbacet. Për të hequr dorë nga zakoni i vjetër i dinastisë së tyre për t’i numëruar votat si plumba për armikun. Për të përveshur mëngët e filluar punën”, shkruan Basha.

 Basha: Rama, strategji tensioni me opozitën

 Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në të njëjtën kohë, kur kryeministri Rama po fliste para Kryeministrisë, pasi u betua në Presidencë, i ka bërë apel Ramës, që të mos e kërcënojë opozitën.  “Kërcënimet e sotme në Kuvend kundër opozitës nuk mund të mos na kujtojnë se zoti Rama është  recidivist  me historitë e tij të njohura  të dhunës  në familje, të dhunës  në bashki , të dhunës  kundër institucioneve  dhe punonjësve të shtetit”, deklaroi Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai shtoi se: “Vjedhja e dhunshme e votave nga Partia Socialiste në Qarkun e Lezhës në zgjedhjet e fundit, frymëzuar prej tij, është projeksioni i  natyrës së tij”.  Z. Basha ftoi të nderohet Parlamenti, të cilën e cilësoi “Shtëpinë e përbashkët të përfaqësuesve të popullit”, duke hequr dorë njëherë e përgjithmonë  nga gjuha e mllefit dhe kërcënimeve, me të cilën nuk kemi asnjë shans të shkojmë në Europë. “Në të kundërt do të përballeni me pasoja që mund ti merrni vetë me mend”, -tha ai.