Lulzim Basha: “Qeveria e re, ekip eksperimental. Ministrat janë kamikazë personalë të Ramës”

508
Sigal

Kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha sulmon kryeministrin e zgjedhur Edi Rama për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. Në një deklaratë për mediat, kreu i PD-së tha se Rama ka mbledhur rreth vetes shpifësit më të zellshëm, protagonistë të trafiqeve dhe persona të paaftë, që do t’u shërbejnë vetëm interesave të tij personale dhe jo qytetarëve. “Edi Rama njoftoi dje ekipin që do të përballet me sfidat e qeverisjes së shqiptarëve dhe që do të përgjigjet për premtimet piramidale dhe amatoreske me të cilat erdhi në pushtet. Tok me emrat e shqiptuar dje nga kryesocialisti, në veshët e shqiptarëve gjëmuan jehonat e të shkuarës së palavdishme dhe të bëmave të errëta të anëtarëve të këtij ekipi eksperimental.  Aktorë të së kaluarës së largët, ministra të Ramiz Alisë, protagonistë famëkeq të kapjes së shtetit dhe përfitimit nga pushteti gjatë qeverisjes së korruptuar të para 2005-s, sharësit dhe shpifësit më të zellshëm kundër Shqipërisë në çdo udhëkryq të rëndësishëm të vendimmarrjeve europiane, protagonistë të lidhjeve me trafiqet dhe lidhje nepotike dhe menaxhues të njohur të interesave të ish-kryetarit në Bashkinë e Kryeqytetit, deri para dy vitesh.  Pra, një ekip që mbledh paaftësinë, mungesën e eksperiencës shtetërore, mediokritetin intelektual  dhe reflekset korruptive dhe autoritare! Duke lënë jashtë vlera dhe kapacitete serioze të Partisë Socialiste, dhe duke përfshirë kamikazë personalë, Edi Rama shkelmoi çdo parim qeverisës të një demokracie parlamentare dhe shpiku rregulla të paqena në funksion të kapjes dhe mbajtjes të gjithë pushtetit për veten dhe tarafin e tij. Pas tërheqjes nga çdo premtim që u ka bërë qytetarëve më 23 qershor, njoftimi i djeshëm nuk habit askënd por, vërteton se qeveria e zotit Rama, nuk mund të ishte veçse një bashkësi që do i shërbejë kryetarit për të përmbushur ëndrrën e tij për tu ndjerë Kryeministër dhe jo për t’ju shërbyer qytetarëve! Ky pra nuk është ekipi që do tu shërbejë shqiptarëve, por ekipi që do ti përulet kryetarit dhe do ti shërbejë vetëm interesave të tij dhe të kupolës së errët të 23 Qershorit! Çdo shqiptar duhet ta dijë sot se shumë shpejt pasojat e këtij qëndrimi shpërfillës dhe përçmues ndaj vullnetit dhe interesave të tyre, do të rëndojnë mbi shpatullat, xhepat dhe tavolinat e tyre dhe të familjeve të tyre. PD-ja  është e vendosur që në respekt të parimeve më të shenjta të demokracisë parlamentare dhe të vullnetit të qytetarëve shqiptarë, të përballet fuqishëm dhe të mbrojë interesat e vendit dhe qytetarëve nga kjo skemë e kapjes së pushtetit dhe e batërdisje së paralajmëruar të shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë.

Bashkëbisedimi i Bashës me gazetarët

– Kur pritet që të mblidhni kryesinë e re të PD-së?

Strukturat drejtuese të PD-së do të angazhohen në një proces sipas parashikimeve statutore që do të nisë në muajin shtator në të gjithë degët e Partisë Demokratike. Një proces analize dhe përgatitjet më zgjedhjen e forumeve të degëve dhe që do të çojë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe zgjedhjen e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së re, në kohën e parashikuar në statut. Dhe për këtë po bëhen hapat e parë të përgatitjes.

– Z. Basha, a keni një emër në mëndje për Kryetarin e grupit parlamentar apo do të prisni të mblidhet Kuvendi që të vendoset si propozim i grupit?

Unë po kryej konsultimet e nevojshme me drejtues, anëtarë të Kryesisë, anëtarë të grupit të ri parlamentar të Partisë Demokratike dhe në kohën e duhur do të bëhet i njohur edhe vendimi përsa i përket strukturës drejtuese të grupit tonë Parlamentar.

– Si do ta koordinoni, menaxhoni në këtë kohë të mbetur zgjedhjen e strukturave të reja? Do të bashkëpunoni me zyrtarët aktualë dhe drejtuesit në detyrë apo edhe me rivalin tuaj, z. Olldashi?

Duke u bazuar në parimet që kam shpallur gjatë gjithë kësaj kohe, të punës, kontributit, përkushtimit dhe vlerësimit të këtyre tre elementëve për çdo drejtues dhe anëtar të PD-së.

        Basha takon ambasadorin e OSBE-së, diskutojnë për zgjedhjet e 23 Qershorit

Kryetari i ri i PD-së zhvilloi dje një takim me kryetarin në detyrë të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Vvilton. Ambasadori Vvilton e ka uruar Bashën për marrjen e detyrës së kreut të ri të Partisë Demokratike. Gjatë takimit Basha dhe Vvilton diskutuan për zgjedhjet e 23 Qershorit dhe arritjet në atë proces. Në takim u nënvizuan problematikat serioze që tashmë janë konstatuar në institucione dhe në publik për këtë proces. Në mënyrë të veçantë biseda u ndal tek problemet e konstatuara në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës. “Basha theksoi se problemet e evidentuara janë pasojë e një vullneti të munguar të PS-së për t’u angazhuar për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe se transparenca e plotë dhe vënia para përgjegjësisë e personave përgjegjës është mënyra e vetme për të trajtuar dhe zgjidhur këto probleme për të ardhmen”,- bën të ditur PPD-ja. Në takim u bisedua për bashkëpunimin e ardhshëm në Parlament dhe më gjerë midis Partisë Demokratike dhe prezencës së OSBE-së. Dy ditë më parë, Basha u takua edhe me ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, të cilit i ka paraqitur një sërë shqetësimesh të Partisë Demokratike si për ato që i cilëson si manipulime në zgjedhje ashtu edhe për paralajmërimet e maxhorancës së re për spastrime në administratë.

 Basha shtron iftar: I lumtur për nisjen e punës për Xhaminë e Madhe

Kryetari i Bashkisë Tiranë së bashku me Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve ka shtruar një iftar për të gjithë besimtarët myslimane në këto ditë të fundit të Ramazanit. Në të ishin të pranishëm personalitetet më të larta të vendit tonë, mes të cilëve, Ambasadorë të shumtë, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, Kreu i Komunitetit Myslyman Haxhi Selim Muça si edhe figura të njohura të jetës sociale e politike të vendit. Zoti Basha foli përpara tyre, duke uruar harmoni mes njerëzve dhe duke mos lënë pa përmendur edhe fillimin e ndërtimit të xhamisë së re në kryeqytet. Ndërkohë që zoti Basha përfundoi fjalën e tij, u dëgjua kënga e hoxhës nga xhamia në qendër dhe të gjithë të ftuarit nisën të shijonin darkën e iftarit në shoqërinë e njëri-tjetrit.