Lulzim Basha: Protesta, bashkim dhe reagim masiv i shqiptarëve

519
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka kërkuar shqiptarëve të marrin pjesë masivisht në protestë. Në një deklaratë për mediat kreu i demokratëve shprehet, se forca e protestës është bashkimi, kurajoja dhe ëndrrat për të ardhmen. Sipas Zotit Basha, “Protesta është bashkimi me i madh i qytetarëve kundër padrejtësisë, kundër keq qeverisjes, kundër varfërisë. Nesër do të marrin pjesë të gjithë qytetarët, gra, burra, të reja, të rinj, pensionistë, familjarë, studentë, gjimnazistë dhe intelektualë, njerëz të artit, kulturës e sportit, të papunë e sipërmarrës, fermerë dhe punëtorë”, shprehet Basha. Ai thotë se nga protesta kanë frikë vetëm ata që duan t’i mbajnë shqiptarët të nënshtruar, “ndaj dhe shpifin e gënjejnë për protestën.. Mos i besoni tamtamet e qeverisë, mos i besoni ata që kanë katër vjet që ju gënjejnë për punësimin, për shëndetësinë falas, për mirëqenien tuaj”, shprehet Basha.
PD, njoftim policisë: Do jemi katër orë në protestë
Partia Demokratike ka njoftuar Policinë për protestën para kryeministrisë.
Në kërkesën e PD-së drejtuar policisë së kryeqytetit thuhet se protesta do të zgjasë katër orë dhe për këtë duhet të bllokohet qarkullimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Deri tani selia blu ende nuk ka dhënë detaje të protestës por fakti që leja është për katër orë do të thotë se do të ketë më shumë se sa disa fjalime politike. Nga ana tjetër, siç raporton News 24, policia ka marrë informacion, se nesër mund të ketë provokime gjatë protestës së Partisë Demokratike. Një ditë para protestës, te kryeministria është mbuluar streha e ndriçuar. “Masat e policisë do të jenë të ngjashme me protestat e mëparshme. Kordoni i parë do të jetë me efektive femra. Por ka informacione që mund të ketë provokime dhe goditje me gurë nga ana e protestuesve”, -bëjnë të ditur burimet e policisë.
Sigal