Lulzim Basha: Populli foli, zbato kontratën ose largohu

561
Sigal

Mesazhi i Kryetarit të Opozitës në protestën më të madhe të zhvilluar ndonjëherë pas vitit 1991, kundër qeverisë Rama-Meta

Të dashur qytetarë të Tiranës e mbarë Shqipërisë,

Të dashur përfaqësues të opozitës, sindikatave të pavarura dhe shoqërisë civile,
Motra dhe vëllezër,

Zonja dhe zotërinj,

Jemi më shumë se asnjëherë tjetër në bulevardin e shpresës, bashkimit dhe dinjitetit njerëzor. Në protestën më të madhe për të drejtat ekonomike dhe sociale të shqiptarëve. Kundër rritjes së çmimit të energjisë, rritjes së taksave, papunësise, varfërisë dhe abuzimit me pushtetin.
Kemi ardhur këtu sot të përballemi, të mbrojmë të drejtat e fituara, të izolojmë të keqen, t’i kthehemi së mirës. Kemi ardhur këtu sepse nuk ka ardhur e nuk vjen më Edi Rama te ju. Nuk i pyet më, nuk i llogarit më qytetarët shqiptarë ky kryeministër.
E keni marrë vesh besoj. Eshte futur në bunkerin e Enver Hoxhës se nuk ju dëgjon dot. Se nuk ju shikon dot me sy.
Eshtë futur në bunkerin e izolimit kryeministri qe mashtroi dhe harroi.

Por ne jemi në këtë shesh sot që t’ia kujtojmë mashtrimet dhe ti themi pse nuk qeveris, por do të sundojë?
Pse nuk iu flet njerëzve por i godet ata pas shpine me stilin e një kaçaku!?

T’a pyesim ç’kërkon dhuna në kohet moderne?

Pse nuk zgjedh me vepra civilizimin perëndimor por na kthen në pashallëkun primitiv?
Pse s’i pyet njerëzit ç’mendojnë por i përdor si mish për top për eksperimentet e tij të dështuara ne ekonomi, rend, arsim, shëndetësi.
Kam ardhur në këtë protestë pas një turi takimesh të hapura me qytetarët nga Jugu në Veri. Kam udhëtuar mes një dëshpërimi popullor të paprecedent.

Kam udhëtuar mes një Shqipërie në lot: gra, të cilave qeveria u ka shembur pa ligj shtëpinë, pasurinë e nje jete, mundin dhe gjakun e familjes. Fëmijë që u kanë dhunuar baballarët sepse nuk kishin me çfarë të paguanin faturën afrofe të energjisë elektrike. Të rinj, burra, gra, kryefamiliarë të goditur nga padrejtësitë e mëdha dhe rrugët e mbyllura.

“Kanë ardhur kohë të vështira” thuhet kur pllakos ndonjë fatkeqësi a krizë. Por sot në Shqipëri kjo frazë e hershme thuhet ndryshe: Kanë ardhur Rama dhe Meta. Dhe kanë të drejtë.

– Premtuan qeveri zhvillimi dhe po instalojnë regjimin e reprezaljes policore.

– Premtuan punësimin por hapën vetëm burgjet.

– Premtuan rritjen e ekonomisë, por rriten taksat e na futen në krizë.

– Premtuan legalizimet falas por sollën fadromat e shkatërrimit të shtëpive dhe bizneseve.

– Premtuan rendin dhe sollën vrasjet mafioze dhe tritolin.

– Premtuan ulje të çmimit të energjisë por sollën rritjen e tij.

– Premtuan dëmshpërblim të përshpejtuar për ish të përdjekurit, por sollën Enver Hoxhën.

– Premtuan kthim të përshpejtuar të pronave dhe kompensim të përshpejtuar të pronarëve të ligjshëm, por po pronësojnë me grabitje vetëm klientelën e tyre.

– Premtuan arsim për të gjithë por mbyllen dyert e universiteteve në rrethe, ulen kuotat dhe rriten tarifat e studimit.

– Premtuan shëndetesi falas dhe po u vdesin njerëzit se nuk kanë as ambulance.

Përfunduan në shtetin e policisë partiake.

Përfunduan tek modeli i demagogjise së vjetër, me nje kryeminister qe ska argument por ju kanoset burrave dhe grave, e deri studenteve e profesoreve qe protestojne paqesisht per te drejtat e tyre para qeverise.

Kjo nuk quhet qeveri por fatkeqësi.

Kurrë nuk e kam parë kaq të braktisur e të shpërfillur vendin nga qeveria e saj.
Kurrë nuk ka ekzistuar një hendek kaq i thellë dhe një distancë kaq e madhe midis pushtetarëve dhe qytetarëve.
Kurrë nuk e kam parë kaq të rënë flamurin e shpresave të qytetarëve tanë. Kurrë nuk e kam pare kaq shpërthyese revoltën e tyre.
Në emër të gjithë shqiptarëve që ndajnë me ne shqetësimin e thellë për të sotmen dhe të nesërmen edhe më të rëndë, i drejtohem kryeministrit nga kjo foltore e lartë:

Shqiptarët nuk i kanë harruar e nuk i harrojnë për asnjë çast premtim-mashtrimet e tua, talljet e tua.
Shqiptarët nuk mposhten dot as me shtet policor, as me varfëri.

Mos u fshih bunkerëve të diktaturës, mos humb prapa ekraneve, me parada suksesesh imagjinare, në ëndrrën e çmendur për të qeverisur si pasha një vend të NATO-s, nje vend europian.

Varfëria nuk eshte opsion, shteti policor nuk është zgjidhje.

Mos luaj me durimin e një populli. Mos luaj me bukën e fëmijëve, të ardhmen e tyre.
Shqiptarët nuk ngopen me reklama qeveritare dhe propagandë ekranesh. Shqiptaret kërkojnë punë dhe dinjitet.

Zonja dhe zotërinj, të dashur miq.

Partia Demokratike mbështet fuqishëm kërkesat e qytetarëve, të sipërmarrësve, të sindikatave dhe shoqërisë civile. Ato janë jetike për një shoqëri të drejtë shansesh të barabarta. Ato janë realiste për gjendjen e vendit dhe ngritjen e vërtetë të ekonomisë.

Të gjithe ne përsërisim sot me zë të lartë se:

– Rritja e taksave nuk është rruga e ringritjes por e humnerës, reçesionit dhe varfërimit;

– Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk rregullon sistemin por zbraz xhepat e shqiptarëve;

– Rritja e çmimit të karburanteve dhe mallrave nuk është zgjidhja por shtrenjtim i jetës me efekte zinxhir në të gjithë ekonominë.

Po përsëritet gabimi i vitit të shkuar kur rriten taksat e sipërmarrjeve dhe mallrave të konsumit të gjerë. I morën paratë popullit dhe e çuan ekonominë në recesion.

Këtë vit po bëjnë të njëten gjë. Po rrisin taksat, po mbushin thesin e qeverisë, pa e vrarë mendjen për rritjen e ekonomisë reale.
Ne të gjithë, opozitë dhe shoqëri civile, ju përsërisim nga ky shesh: Mos i shkoni deri në fund të keqes. Reçesioni do të jetë dyfish më i lartë me taksat e reja, me politikën e gabuar që po ndiqni, me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë tuaj proverbiale. Vetëm budallenjtë presin rezultate të ndryshme duke përseritur të njëjtat gabime.

Po mos vallë këta, Rama-Meta janë kaq budallenj sa të mos e kuptojnë se nuk mund të arrish rezultate të mira duke përsëritur gabimet që kanë sjellë rezultate të këqija?

Nuk janë budallenj. Jo. Atëherë pse kanë zgjedhur këtë rrugë.

Sepse parimi i tyre nuk është as i majtë, as i djathtë.
Parimi i tyre është parimi i oligarkisë, i regjimit të një grushti njerëzish që kanë futur e duan të fusin në një dorë, në dorën e tyre, pushtetin, paranë, forcën dhe gjithçka.

Kur vjen puna te taksat, ata e kanë mendjen vetëm te lekët që do të kenë nëpër duar, jo te politikat.
Në filozofinë e tyre: populli është keq, por ç’punë prish se do të bëhet edhe më keq duke e vënë të paguajë më shumë se sa paguan për energjinë, për karburantin, për cigaret, për kursimet që ka vënë mënjanë?

Në vend që të marrin përgjegjësi dhe të kërkojnë zgjidhje për të përmirësuar sadopak gjendjen ekonomike të qytetarëve, ata bëjnë të kundërtën.
Pse? Sepse kjo është rruga më e thjeshtë, sikurse është në të njëjtën kohë rruga më e ulët, rruga më e poshtër:
Bjeru qytetarëve, bjeri popullit anonim. Varfëria rrit varësinë dhe varësia rrit dominimin.
Kjo nuk duhet të ndodhë. Ne nuk mund ta lejojmë. Ne duhet ta ndalim.

Këtë jave, vjedhurazi në mes të natës dhe me urgjencë kaloi buxheti i 2015-ës. Buxheti i krizes, i rritjes së taksave dhe papunësisë kaloi pa asnjë konsultim. U përjashtua shoqëria nga vendimi mbi buxhetin e saj. Nuk u pyetën as fermerët, konsumatorët, pensionistët, studentët, biznesi dhe grupet e interesit.

Kryeministri dhe klientët e pushtetit vendosën të vetëm për buxhetin tonë dhe paratë që do na marrin. Rregulluan aferat e tyre në kurriz të qytetarëve.
Partia Demokratike, deputetët e saj dhe unë personalisht u kemi bërë thirrje qeverisë të njohë gjendjen, të dëgjojë zërin e qytetarëve, të reflektoje dhe të vendosë në interes të të gjithëve.

Por kryeministri dhe oborrtarët e tij janë izoluar në luksin qeveritar. Shëtisin nëpër botë me jave e vijnë këtu si turistët.
Të zhytur në luksin me dhoma hotelesh sa rroga vjetore e një hallexhiu, zor se ua ndjen për hallet e Shqipërise reale.
U besojne gënjeshtrave që fabrikojnë dhe jetojnë në delirin e pushtetit.
Nuk ia kanë haberin se si po jetojnë njerëzit e thjeshtë të ketij vendi. Të majtë e të djathtë, me dhe pa parti, të rinj, të moshës së dytë dhe të tretë, shumica dërrmuese e popullsisë janë në pragun e mbijetesës.
Buxheti i vitit të ardhshëm kaloi në fshehtësi sepse qeveria ka dështuar në luftën kundër informalitetit. Sepse dështimin kërkon t’ua hedhë në kurriz sipërmarrësve të ndershëm, qytetarëve të thjeshtë e të rregullt, familjeve të varfra.
Me çfarë logjike?

Qeveria nuk mbledh dot taksat e rritura një vit më parë! Qeveria shpërdoron paratë e mbledhura nga taksat e rritura!

Qeveria e ka nxjerrë vendin dhe qytetarët me këpucë të kuqe sepse ka dështuar, sepse ka abuzuar!

Cila është zgjidhja e saj, për ta shtyrë me të shtyra?

Të paguajnë më shumë ata që paguajnë.

Ky është legjitimim i informalitetit. Ky është dyfishim i informalitetit.

Kjo është një padrejtësi e madhe.

Qytetarët i kanë përmbushur detyrimet e tyre.

Eshtë Qeveria ajo që nuk i ka përmbushur detyrat e veta.

Qytetarët kanë dhënë ç’kanë mundur, por nuk kanë marrë çfarë kanë merituar.

Qeveria ka marrë ç’ka mundur, por nuk ka dhënë asgjë.

Vendi është në gropë dhe gropën e ka krijuar qeveria.

Vendi është në krizë dhe krizën e ka thelluar qeveria.

Vendi është në recesion dhe reçesionin e ka shkaktuar qeveria.

Tani këta thonë “zgjidhe ti, o popull”, zgjidhe duke shtrënguar rripin, zgjidhe duke sakrifikuar, ti që je vetëm për të sakrifikuar, zgjidhe duke paguar më shumë, ti që je vetëm për të paguar!

Dua të jem i hapur me ju dhe me gjithë shqiptarët: Do të flisja ndryshe nëse do të isha i bindur se sakrificat e reja që po ju kërkon kjo qeveri do të kishin një bazë, nëse sakrificat e reja do të ndiznin ndonjë dritë në fund të tunelit, nëse do të sillnin shpëtim, ringritje për vendin, për ekonominë, për familjet, për individët.

Nuk ka as shpëtim, as ringritje me këto taksa dhe aksiza të rritura. Me këtë plan shpenzimesh që ka bërë qeveria, ku vetëm një thërrime e të ardhurave të buxhetit të shtetit shkojnë për investime ndërsa pjesën e luanit e marrin përsëri shpenzimet qeveritare, fryrja e organikave ku do të punësohen militantët dhe klientët e qeverisë, fryrja e shtetit policor.

Qeveria paguhet të gjejë zgjidhje jo tua hedhë qytetarëve të ndershëm. Rritja e taksave nuk është zgjidhje.

Shqipëria i ka paratë për t’u ringritur.

Të goditet informaliteti.

Dështimi në luftën kundër informalitetit nuk mund t’u faturohet sipërmarrësve të ndershëm, qytetarëve të thjeshtë e të rregullt, familjeve të varfëra.
Për paaftësinë qeveritare nuk mund të sakrifikojnë shqiptarët.

Asnjë vend i botës nuk është ringritur me rritjen e taksave dhe tarifave, me rritjen e shpenzimeve qeveritare, me punësime militantësh dhe zgjerim të shtetit policor; me pasurimin korruptiv të klientelës politike dhe me mungesë investimesh strategjike.

Me këtë buxhet:

Nuk ka vende pune për të rinjtë dhe të rejat.

Nuk ka të ardhura për sipërmarrrjen dhe familjet shqiptare.

Nuk ka dëmshpërblime reale për ish të përndjekurit dhe pronarët.

Nuk ka mbështetje për pensionistët.

Me bindjen se po afron një varfëri dhe rënie ekonomike më e madhe, me përgjegjësi si opozita politike e vendit, i kërkojmë solemnisht qeverisë Rama-Meta nga ky shesh:

Mos e bëj akoma më të vështirë jetën e qytetarëve!

Mos e rrit çmimin e energjisë elektrike!

Mos i rrit taksat e karburanteve dhe mallrave të konsumit të gjerë!

Mos i rrit tatimet mbi të ardhurat dhe kursimet e qytetarëve!

Mos i rrit po uli shpenzimet qeveritare!

Mos i ul investimet publike.

Mos i jep oligarkisë paratë e taksapaguesve të ndershëm të këtij vendi.

Boll se nuk mban më. Hiqni dorë.

Të dashur qytetarë,

Ne jemi për një shtet të rendit dhe ligjit. Në demokraci, qytetarët dhe qeveria kanë detyrimet e tyre ligjore. Ne i njohim detyrimet tona. Ne nuk kemi thënë kurrë që qytetarët të mos përmbushin detyrimet. Përkundrazi. Ne jemi këtu të bindur të paguajmë, të mbajmë shtetin me taksat e tona por ne kemi të drejtën ligjore të mësojmë ku shkojnë, ku avullojnë, paratë e taksave të tona të rritura.
Kemi të drejtën e patjetërsueshme të dimë pse është bërë me keq kur kemi paguar më shumë, dhe pse duhet të paguajmë edhe më shumë, pa asnjë garanci për më mirë.

Asnjë prej nesh në këtë bulevard, askush në Shqipëri nuk ka dalë në sheshet e protestave popullore sepse është kundër detyrimeve, apo se kemi diplomat falso apo se duam të ndërtojmë pa leje.

Cinizmi i kryeministrit është fyes. Të gjithë satrapet e kësaj bote fajësojnë qytetarët, i përbaltin sa herë u kërkohet llogari për deshtimet e tyre. Të jetë e qartë për këdo – ne kemi dalë se duam drejtësi, funksionimin e shtetit ligjor.
Ndërtimet pa leje as kanë pasur, as kanë, as nuk do të kenë mbështetjen tonë. Por ne kemi mbrojtur e do të mbrojmë me forcë të drejtat ligjore të gjithë shtetasve që janë bërë objekt i gjuetisë së paligjshme, korruptive dhe barbare të qeverisë së Edi Ramës, shtetas të thjeshtë që janë shkatërruar në pasurinë me të shtrenjtë, pa u dhënë një copë letër në dorë, ndërkohë që pallatet e miqve, shokëve dhe klientelës së Edi Ramës dhe Ilir Metës lartësohen të paprekshme.

Ja se si këta hipokritë guxojnë t’i ndajnë qytetarët në ca të nënës e ca të njerkës,
guxojnë të spekullojnë me dëshpërimin e njerëzve që u ka shkuar thika në palcë,
guxojnë t’u rrisin me dorë të rëndë, pa bërë trasparencë dhe pa dhënë llogari gjëkundi barrën e taksave dhe pagesave për qytetarët, guxojnë t’u prishin pa ligj pronën, guxojnë të vënë dorë mbi ta, guxojnë t’u fusin duart në fyt, guxojnë t’u marrin frymën.
Ne nuk do të rrimë indiferentë ndaj shkatërrimit të paligjshëm të pasurive të njerëzve të thjeshte. Ne ç’vend të botës shteti të prish shtëpinë pa të dhënë një letër me vule dhe firmë institucioni? Në ç’vend të botës pallatet e paligjshme të klientelës politike lartësohen?
Shteti duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Nuk mundet të zotohet dhe pastaj t’i godasë mbas krahëve. Besimi tek institucionet është celësi i respektimit të ligjit dhe shtetit. Mashtrimi dhe pabesia e qeveritarëve minon besnikërinë e qytetarit ndaj shtetit.

Asgjë nuk mund të prishet pa u gjykuar. Vetgjyqësia nuk është tipar i shtetit ligjor. Ne mbeshtesim ligjin konsensual të legalizimeve dhe urbanizimit. Prishjet duhet të jenë alternativa e fundit.
Njëkohësisht, i bejmë apel qytetareve të ndërtojne vetëm me leje dhe institucioneve të shtetit të ecin me planet urbanistike dhe të lehtësojnë lejet e ndërtimit. Ndërtimi nuk mund te ndalet, ai vetem menaxhohet.
Kush ndalon lejet ndalon punën, ndalon punësimin, i hap rrugë korrupsionit dhe ndërtimeve pa leje.

Zonja dhe zotërinj,

Ne protestojme sot edhe për gjendjen e arsimit, mungesën e vizionit dhe tarifat e larta. Shpirti i një kombi është bota akademike dhe studentore e tij. Investimi dhe rritja e prestigjit të shkollës është detyrim i cdo qeverie.
Nuk ndodh kështu me qeverinë tonë. Prej një viti, po godasin pa mëshirë fakultetet, profesorët dhe studentët. Ulja e kuotave, rritja e tarifave dhe retorika anti-arsimore ka prekur imazhin dhe besimin e shkolles shqiptare.
Jemi pranë të gjithë studenteve dhe familjarëve që rane viktima të brutalitetit dhe populizmit. Jemi pranë të gjithë atyre studenteve dhe qyteteve qe u privuan nga e drejta per arsim.

Njerëzit më të paarsimuar janë vënë të reformojnë arsimin.
Diplomat fictive kanë marrë një status të privilegjuar në gjithë piramidën e funksionarëve politikë të shumicës Rama-Meta. Diplomat e blera, të falsifikuara janë fyerja dhe poshtërimi më i madh që i është bërë dijes, sakrificës së prindërve, studimeve të shqiptarëve në universitetet me të mira të vendit dhe botës.

Në Kukës, Vlorë, Lezhë, Korçë, Shkodër, Gjirokastër e kudo, i tregojnë me gisht drejtorët me diploma falso të emëruar nga PS-ja dhe LSI-ja.
Ka edhe unversitete që kane abuzuar me diplomat, por abuzuesit më të mëdhenj janë çifti Rama/Meta që falsitetin e kanë promovuar në qeveri.
Ne solidarizohemi sot me kërkesat e drejta të dhjetra mijëra studentëve, të rinjve dhe të rejave, shpresës së këtij vendi. Kërkesat e tyre, peticioni i tyre është sot thirrja jonë:

Jo rritjes së tarifave për studentët!

Ne solidarizohemi sot me mësuesit dhe pedagogët dhe i bëjmë thirrje qeverisë: larg duart prej tyre!

Të dashur qytetarë,

Në demokraci pushteti buron nga vota, dhe vota ka në themel kontratën me zgjedhësit, kontraten me Shqiperinë. Që nga antikiteti, ne kohen e rilindjes europiane e deri me sot, shoqëritë e civilizuara organizohen përmes respektimit të marrveshjeve të qeveritareve dhe të qeverisurve.

I ftoj pushtetarët e sotshem t’i lënë historitë e Nastradinit dhe adhurimin e trashegimise kriminale të Hoxhës. Shqiptarët kërkojnë, presin dhe meritojnë një moral të ri në politikë, respektimin e kontratës me zgjedhësit, mbrojtjen e të drejtave të patjetërsueshme të qytetareve.
Shkunduni dhe kuptoni, hapni veshët dhe dëgjoni:
Sipas kontratës së qershorit 2013 me qytetaret keni obligimin:

– të hapni 300 mijë vende pune;

– të legalizoni falas shtëpitë dhe pronat;

– të ulni taksat për 95% të shqiptarëve;

– të ulni cmimin e energjisë;

– të siguroni shëndetësi falas për të gjithë.

Kur merr të gjithë pushtetin do mbash edhe të gjitha përgjegjësitë. Kontrata me Shqipërine është e shenjte. Nuk mund të luani.
Ka një rregull në botën demokratike. Kur nuk përmbush kontraten, nuk dhunohet qytetari, por jepet doreheqja.
Nese nuk nuk do përmbushni detyrimet, do largoheni.
Koha po kalon, njerëzve po ju mbaron durimi. Ju nuk po përmbushni detyrimet tuaja. Tërhiquni dhe zprapsuni nga rruga e zullumit, për ndryshe ju paralajmëroj jo vetëm në emër të 200 mijë shqiptarëve sot, por në emër të të gjithë të zhgënjyerve, të braktisurve, se ne nuk do të pranojmë qeverinë e mashtrimit. Ne do t’u largojmë.

Prandaj mos kini shprese se do të ndalemi, do mposhtemi, apo do lodhemi.

Dyshja Rama-Meta duhet të kuptojë se Shqipëria ka ndryshuar.

Shqiptarët e refuzojnë pushtetin e një grushti njerëzish, refuzojnë që civilizimin ta zëvendësojnë me injorancen dhe tiraninë.
E hodhëm një regjim barbar 24 vjet më parë. Do të hedhim këdo që shfaq shenja arrogance me pushtetin.
Nuk do ndalemi, nuk do mposhtemi, nuk do të lodhemi, nuk do pushojmë së luftuari për liritë e dhunuara, për të drejtat e shkelura të qytetarëve shqiptarë.

Mos të të gënjejë mendja se mund tia hedhësh duke u marrë me zërin tim. Zëri im ikën, zëri im bie, por zëri im është zëri i qytetarëve shqiptarë, është zëri i protestës, është zëri i drejtësisë.
Dëgjoni dhe reflektoni tani, nesër do të jetë vonë. As Bunkeri i Enver Hoxhës dhe as hija e tij nuk do ju mbrojnë dot nga zëri dhe fuqia e bashkuar e shqiptarëve.

Jemi të bashkuar rreth demokracisë tonë, me mbështetje të madhe perëndimore, më të vendosur se kurrë për një Shqipëri të drejtë, për një Shqipëri të zhvilluar, për një Shqipëri demokratike, moderne dhe Europiane.

Të gjithë në këmbë, të gjithë të bashkuar, të gjithë në një mendje për të drejtat tona, per të shpetuar vendin.

Rroftë populli shqiptar!

Zoti e bekoftë Shqipërinë.