Lulzim Basha për burgosjen e 2 kryetarëve të PD: Vendim burracak i Edi Ramës. Nuk frikësohemi

132

Në një konferencë urgjente për mediat nga selia blu, kryetari i PD Lulzim Basha e cilësoi vendimin e sotëm të gjykatës së Elbasanit si represion ndaj kundërshtarëve.

Ai deklaroi se, këto veprime të pushtetit jo vetëm që nuk e trembin opozitën, por do të marrin edhe përgjigjen e merituar.

“Prokuroria dhe gjykata e Elbasanit vendosi sot, të mbajë në burg Kryetarin e PD të Librazhdit zotin Bujar Vreto dhe kryetarin e PD të Prrenjasit zotin Arjan Karriqi, si dhe dy qytetarë të tjerë zotin Dashamir Boja dhe zotin Bujar Kllojku. Krimi i tyre është se kanë protestuar në buzë të rrugës ku kaloi Edi Rama. Është vendim burracakësh i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar të Edi Ramës.

Është represion ndaj kundërshtarëve politikë i urdhëruar direkt nga Edi Rama. Qëllimi është vetëm një: persekutimi dhe trembja e kundërshtarëve politikë për të shuar protestën dhe përpjekjet kundër qeverisjes së kriminalizuar të Edi Ramës. Duke shprehur solidaritetin tim për familjet e katër demokratëve të arrestuar që nuk do i kenë prindërit dhe bashkëshortët në shtëpi sot, dua ti drejtohem Edi Ramës dhe klanit të tij kriminal në qeveri: Opozita nuk frikësohet. Opozita nuk trembet. Opozita nuk tërhiqet. Unë, të gjithë demokratët në çdo cep të Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e bashkuar do ta luftojmë këtë qeveri kriminale derisa Edi Rama dhe kriminelët e tij të dalin para drejtësisë së vërtetë. Dua t’ju drejtohem, gjithashtu, të gjithë policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të Elbasanit, të cilët sot vendosën të mbajnë të burgosur politikë njerëz të pafajshëm, ndërkohë që kanë vite që tolerojnë dhe mbrojnë krimet e Qazim Sejdinit dhe të bandave të Elbasanit”, u shpreh Basha.